Mblidhet Këshilli Politik, nga koalicionet te listat e hapura. Çfarë pritet të diskutohet

0
256

Pas më shumë se 6 javësh pushim, sot rifillon puna në Këshillin Politik, organ i ngritur për të punuar mbi përmbylljen e Reformës Zgjedhore për garën e ardhshme, e cila është caktuar të jetë në 25 prill.

Mbledhja që pritet të fillojë prej orës 18:00 të pasdites së sotme dhe nga sa mësohet pritet që të ketë një përcaktim të rendit të pikave që do duhet të diskutohen në javët e ardhshme. Pas ndryshimeve të Kodit Zgjedhor sipas marrëveshjes së 5 qershorit dhe ndryshimeve kushtetuese, puna e Këshillit Politik do të fokusohet në disa çështje. E para, pritet të jetë ajo e koalicioneve parazgjedhore, ku maxhoranca dhe opozita e bashkuar mbajnë qëndrim të kundërt. Kryeministri Rama, por edhe eksponentë të tjerë të maxhorancës, janë shprehur për një mënyrë të re koalicionesh parazgjedhore, pasi siç ata kanë qenë deri më tani nuk mund të funksionojnë me listat e hapura.

LISTAT E HAPURA

Por edhe për këtë të fundit nuk ka dakordësi. Në ndryshimet që iu bënë Kushtetutës në 30 korrik, thuhet se listat e deputetëve duhet të jenë të hapura jo më pak se 2/3 e tyre, duke lënë mundësinë që pjesa tjetër të jetë e vendosur nga kryetari apo strukturat drejtuese të partisë. Opozita e bashkuar është deklaruar për një hapje 100% të listave të deputetëve, duke ua lënë në dorë qytetarëve mundësinë e përzgjedhjes së përfaqësuesve të tyre në Kuvend. Ndërsa PS ka mbrojtur idenë e hapjes së listave deri në masën e 2/3, duke i rezervuar 1/3 për të mbrojtur barazinë gjinore në Kuvend.

MANDATET

Një tjetër pikë që pritet të prodhojë debat dhe diskutime të gjata në mbledhjen e sotme të Këshillit Politik, por edhe në vazhdim, pritet të jetë çështja e shpërndarjes së mandateve. Opozita e bashkuar këmbëngul se ndryshimet e bëra në Kushtetutë nuk imponojnë ndryshimin e formulës së shpërndarjes së mandateve brenda koalicioneve. Po ashtu, opozita shprehet se formula e shpërndarjes së mandateve brenda koalicioneve është edhe pjesë e marrëveshjes së 5 qershorit, e firmosur në prani edhe të ambasadorëve kryesorë në vendin tonë. Po ashtu, pritet të diskutohet në mbledhjet e ardhshme në lidhje me të drejtën që do të kenë votuesit për të zgjedhur një apo më shumë kandidatë për deputetë.

PROCEDURA

Puna në Këshillin Politik do të nisë, pasi më herët sot në Komisionin e Ligjeve pritet të miratohet ngritja e grupit të punës që do të bëjë draftimin e Kodit Zgjedhor sipas parimeve që u votuan në 30 korrik kur u ndryshua Kushtetuta, duke mundësuar kështu hapjen e listave. Gjithashtu, në këtë sezon të ri të punës së Këshillit Politik intensiteti pritet të jetë më i lartë, pasi tashmë kemi një datë për zgjedhjet e ardhshme dhe koha nuk është e bollshme. Nëse palët do të duan që ta përmbyllin punën 6 muaj para zgjedhjeve, siç rekomandon Komisioni i Venecias, ndryshimet e reja në Kodin Zgjedhor duhet të votohet para datës 25 tetor. Po ashtu kjo këshillëe për të mos bërë ndryshime në ligjet zgjedhore në prag të zgjedhjeve jepet edhe nga Kodi i Praktikave të mira, të cilit në jo pak raste i janë referuar si nga maxhoranca edhe nga opozita e bashkuar. Gjithsesi, vlen të theksohet se kjo datë nuk ka peshë juridike, pasi në asnjë nen të Kushtetues apo Kodit Zgjedhor, nuk përcaktohet një afat fundor për ndërhyrje në ligjin zgjedhor.

Nga koalicionet te vota e emigrantëve, debati tek OSBE

Debati për koalicionet parazgjedhore mes maxhorancës dhe opozitës shqiptare ka shqetësuar partnerët ndërkombëtarë, anëtarë të OSBE-së. Prezenca e OSBE-së në Shqipëri zhvilloi disa ditë më parë takimin e parë me shtetet anëtare të saj për t’i informuar në lidhje me ecurinë e Reformës Zgjedhore në Shqipëri. Ndërkohë, gazeta “Panorama”, përmes burimeve diplomatike, ka mësuar shqetësimet e shprehura nga Gjermania dhe vendet e tjera për situatën në Shqipëri. Burimet konfirmojnë se përfaqësuesi i shtetit gjerman ka pyetur përfaqësuesit e OSBE-së nëse ka një skenar dakordësie mes PS-së e PD-së për koalicionet. Ndërkohë, nga prezenca e OSBEsë në Shqipëri është konfirmuar se maxhoranca kërkoi heqjen e koalicioneve për shkak të hapjes së listave dhe se tani mund të garojnë me një logo partie dhe listë të përbashkët. Por ajo që po diskutohet, sipas prezencës së OSBEsë në vendin tonë, është formula e shpërndarjes së mandateve.

Një tjetër shqetësim i ndërkombëtarëve është edhe koha e limituar për ndryshimin e Kodit Zgjedhor para zgjedhjeve të ardhshme, pasi me përcaktimin e 25 prillit si data e zgjedhjeve të ardhshme, nuk ka shumë kohë në dispozicion për t’i punuar dhe implementuar ndryshimet. Ata kërkojnë të dinë nëse ka një kufizim kushtetues se deri sa kohë para zgjedhjeve mund të bëhen (ndryshimet) në Kodin Zgjedhor. Ndërsa duke iu përgjigjur një tjetër pyetjeje të partnerëve ndërkombëtarë, prezenca e OSBEsë konfirmon se edhe Kodi Zgjedhor i miratuar më 23 korrik nuk reflektonte të gjitha rekomandimet e ODHIR-it, por theksohet se vijon puna për t’i adresuar. Sakaq, gjatë këtij diskutimi është folur edhe për votën e emigrantëve. Aplikimi i votës së emigrantëve i është lënë KQZ-së për të vlerësuar se çfarë do të bëjë dhe si do të zbatohet. KQZ-ja do të vendosë nëse ka kohë dhe burime të mjaftueshme për ta bërë atë tani për zgjedhjet e 25 prillit./ Panorama.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here