Bllokohet procesi për dëmshpërblimin e pronarëve/ ATP përplaset me Kadastrën, nuk trajtohen dot dosjet

0
367

Kadastra dhe ATP nuk po gjejnë koordinim për procesin e trajtimit të pronave. Ky vit mendohej që do të sillte zgjedhje të shumë çështjeve të pronave të mbetura pezull prej vitesh, por padakordësitë e krijuara mes Agjencisë së Trajtimit të Pronave dhe Agjencisë Shtetërore të Kadastrës ka sjellë bllokimin e procedimit të dosjeve të pronarëve. Sipas njoftimeve  të ATP, shkak i këtij mish-mashi janë bërë ndryshimet e ndodhura pas krijimit të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, gjë që solli edhe unifikimin e institucioneve të pronave, ku çdo proces i çdo çështje do të kryhet nga Kadastra, madje një pjesë e mirë e detyrave kaloi nga Agjencia e Pronave tek Kadastra  me miratimin e ligjit në këtë fillim viti.  Ky fokusim i punëve në një institucion të vetëm dukej se do të sillte lehtësi dhe përshpejtim të çështjes për qytetarët dhe vetë institucionet, por mes tyre ka dalë një problem tepër i madh që pengon të gjithë procesin. Në raportin për periudhën janar-prill 2020, Agjencia e Trajtimit të Pronave vëren se prej Kadastrës është ndryshuar shërbimi i verifikimit të gjendjes juridike të pasurive që shpërblehen financiarisht. Tashmë ASHK, prej shkurtit 2020, kërkon që ky verifikim të bëhet on-line dhe të paguhet. Por deri më tani nuk është bërë asnjë lloj pagese për shërbimet, pikërisht kjo ka sjellë bllokim të përkohshëm të procesit. Së pari sipas legjislacionit në fuqi, Agjencia e Trajtimit të Pronave nuk paguan asnjë tarifë për shërbime të marra nga institucione shtetërore dhe së dyti pasi, një zë i tillë as që është parashikuar në buxhetin e saj. “Jo vetëm që teknikisht ATP nuk mund të aplikojë on-line si biznes privat, por edhe nuk mund të paguajë tarifa. Neni 36 i ligjit 133/2015 përcakton se ATP nuk paguan tarifa dhe taksa për bashkëpunimin institucional. Gjithashtu, ATP nuk ka të parashikuar asnjë buxhet për këtë shërbim. Nga ana e ATP janë bërë përpjekje zyrtarisht për zhbllokimin e kësaj situate, që ka sjellë edhe një numër më të ulët të aplikimeve nga subjektet si dhe të rasteve të trajtuara”, thekson Agjencia e Trajtimit të Pronave në raportimin për 4 muajt e parë të vitit. Ashtu siç u lajmërua edhe disa javë më parë nga përfaqësues të Kadastrës në një Komision të Ekonomisë, tashmë edhe ATP konfirmon se në muajt mars-prill janë reduktuar ndjeshëm  aplikimet dhe janë shtuar ankesat. Kjo edhe për shkak të pandemisë, por më së shumti edhe nga problemi mes  Kadastrës dhe ATP.

Dyndje ankesash dhe padish ndaj ATP

Ndërkohë me 13 gusht Kadastra u kërkoi qytetarëve  që të presin për disa çështje dhe ato që munden të bëjnë një shtyrje në kohë. Por, pas pezullimit thuajse të plotë gjatë muajve të pandemisë, qytetarët janë rikthyer në sportelet e Agjencisë së Trajtimit të Pronave gjatë muajve të verës, sidomos në korrik. Madje dhe në këtë muaj pavarësisht kërkesës së Kadastrës përveç aplikimeve pranë zyrave ka pasur edhe ankesa e padi të shumta. Konkretisht, sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë, vetëm gjatë muajit korrik janë paraqitur nga qytetarët 46 kërkesa për tërheqje dosjesh, 14 aplikime për kompensim financiar si dhe 157 aplikime për kompensim për pronat e zëna nga ndërtimet informale. Agjencia ndërkohë njofton se ka në total 687 dosje të përgatitura në pritje për t’u tërhequr nga qytetarët. Ndërkohë në rritje kanë ardhur paditë gjyqësore gjatë këtyre muajve, ku më së shumti qëndrojnë për qëllime vonesash dhe tarifës shumë të ulët të kompensimit, çka ka revoltuar shumë ish-pronarët. “Vetëm gjatë muajit korrik, Agjencia raporton 99 padi ndaj saj për ndjekje në gjykata. Ndërkohë përgjatë gjithë vitit 2020, arrin në rreth 500 numri i padive të reja nga ana e pronarëve ndaj Agjencisë së Trajtimit të Pronave. Një numër shumë i madh padish të ngritura nga pronarët presin prej vitesh nëpër gjykata, veçanërisht në atë të Lartën. Ndërkohë që sipas parashikimeve, paditë do të vijojnë për shkak të shifrave shumë të larta që pretendojnë pronarët nga shteti. Vetëm Agjencia e Trajtimit të Pronave ka vlerësuar se fatura financiare për kompensimin e pronarëve arrin në 101 miliardë lekë, afërisht 1 miliard dollarë, ndërkohë që shoqatat e pronarëve pretendojnë një vlerë rreth 4 herë më të madhe”, njofton ATP. Ndër të tjera bëhet me dije se, deri në fund të vitit 2019 janë shqyrtuar në total mbi 26 mijë dosje pronarësh, ndërkohë që shifra prej 1 miliard eurosh i korrespondon afërsisht 18 mijë vendimeve për kompensim. Në këto parametra ashtu sikur edhe qytetarët pretendojnë  vlera e lënë për kompensim të pronave është shumë e ulët për të mbuluar të gjitha  kostot që procesi të vijojë në ritmin e  premtuara nga kreu i Kadastrës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here