Ditën e djeshme është zhvilluar sesioni i fundit parlamentar për këtë vit. Gjatë kësaj seance Parlamenti hodhi në votim edhe buxhetin për vitin 2020. Pas votimit me 90 vota pro, 9 vota kundër dhe 2 abstenim, buxheti 2020 u miratua me të gjitha ndryshimet dhe risitë e bëra gjatë komisioneve për shqyrtim të tij. Por, cilat janë përfitimet e qytetarëve nga ky projekt-buxhet?! Në dukje ky buxhet pritet më pozitiv dhe mbështetës për qytetarët. Pasi këtë herë vëmendja e qeverisë është drejtuar tek forca punëtore, duke përmendur këtu rritje pensionesh për naftëtarët, metalurgët, kompensimin për ish-pronarët, duke vazhduar me shpërblim për ish-të përndjekurit, skemat e financimit për familjet në nevojë dhe reformat për standardizim të skemave për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore. Më konkretisht referuar të dhënave të publikuara në projekt buxhet, fondi për kompensimin në vlerë të ish-pronarëve është përcaktuar në total rreth 4.5 miliardë lekë. Duke u rritur nga viti në vit, mendohet që në 2022 të shkojë në 5.5 miliardë lekë. Rritja e fondit të kompensimit në vlerë të pronarëve bëhet në mbështetje të reformës së ndërmarrë nga qeveria për trajtimin e ish-pronarëve, pjesë e së cilës është kompensimi në vlerë për t’u realizuar brenda periudhës 10-vjeçare.Madje edhe fondin që ka mbetur nga 2019 në arkën e ATP-së prej rreth 35 milionë dollarësh, Qeveria do ta përdorë për vitin që vjen. Përsa i përket ish-të përndjekurve, është parashikuar një fond prej 1 miliard lekë ose 0.05% e PBB. Në lidhje me këtë çështje Ministria e Financave bënë të ditur se në rast se vlera totale e miratuar për të gjithë përfituesit është deri në 1.000.000 lekë, por me një ndryshim që shpërndarja e dëmshpërblimit do të kryhet me një këst të vetëm në mënyrë proporcionale për të gjithë përfituesit dhe jo 70% me 30%, sikurse ka qenë deri në këtë vit.
Indeksimi i pensioneve
Referuar buxhetit të viti 2020, qeveria planifikon indeksim të pensioneve në masën 2,5% deri në vitin 2022 dhe rritje të numrit të personave që do përfitojnë pension. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, mbulimi i efekteve financiare të shtesës natyrale të numrit të përfituesve parashikohet të jetë rreth 48,000 përfitues, pra një shtesë neto me rreth 16,000 persona në vit, me një efekt financiar rreth 13 miliardë lekë. Për vitet e ardhshme qeveria ka hartuar një plan, i cili do të mund të plotësojë nevojat bazë të pensionistëve. Në bazë të këtij plani pritet që pensionet të shënojnë një rritje me rreth 5% çdo vit për 5 vite, që do të arrijë vlerën e 1,4 mld lekëve, ndryshim nga i cili priten të përfitojnë 10 mijë pensionistë.Në buxhet përcaktohet edhe fondi që do të shkojë për trajtim me pension suplementar të naftëtarëve, minatorëve dhe metalurgëve. Konkretisht, efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i ligjit, llogariten në shumën 725 000 000 lekë. Qeveria ka deklaruar se do të rrisë indeksin për pensionet e policëve, ushtarakëve dhe anëtarëve të SHISH.
Fondi për ndihmat ekonomike
Në buxhetin e 2020 është përcaktuar dhe një vlerë prej rreth 4,5 miliardë lekësh për familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike. Vlerë nga e cila do të mbështeten më shumë se 2600 familje rome dhe 6000 familje me gra kryefamiljare. Gjithashtu në këtë buxhet përcaktohet se niveli i shpenzimeve për Skemën e Sigurimeve Shoqërore do të jetë në masën 137.5 miliardë lekë ose 7.7% e PBB. Ndërsa në skemën e Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor për vitin 2020 janë përcaktuar në rreth 44 miliardë lekë ose 2.5% e PBB nga rreth 42 miliardë lekë të parashikuara në fund të vitit 2019. Edhe në këtë vit, buxheti përcakton një tavan prej 11 miliardë lekësh për skemën e rimbursimit të barnave. Shpenzime të tjera sociale janë programuar në masën 24.6 miliardë lekë, që përfshijnë: Shpenzimet për pagesën e papunësisë në nivelin 600 milionë lekë; shpenzimet për pagesën e ndihmës ekonomike dhe personave me aftësi të kufizuar në nivelin 21 miliardë lekë.
Esmeralda Hida