Donald Trump heq sanksionet ndaj Turqisë: Armëpushimi po zbatohet, kurdët janë të sigurt

0
290

Presidenti amerikan Donald Trump është shprehur dje i kënaqur me krijimin e zonës së sigurisë në veri të Sirisë dhe tha se po heq sanksionet ndaj Turqisë pas respektimit të armëpushimit. Vendimi erdhi pas një marrëveshjeje midis Turqisë dhe Rusisë për vazhdim të armëpushimit në kufirin sirian dhe patrullim të përbashkët atje. “Herët në mëngjes, Turqia informoi administratën time se ata do të ndalin luftimet dhe ofensivën e tyre në Siri. Njerëzit po e vlerësojnë këtë rezultat. Sanksionet do të hiqen, përveç rasteve kur ndodh diçka që ne nuk na pëlqen”, tha Trump nga Shtëpia e Bardhë, duke shtuar se sipas situatës ato mund të vendosen përsëri. Fillimisht ai tha se heqja e sanksioneve do të ishte e përhershme, pastaj shtoi: “Në atë pjesë të botës përkufizimi i fjalës ‘e përhershme’ është pak i dyshimtë”. Trump vlerësoi tërheqjen e trupave amerikane dhe dënoi ish President Obama për dërgimin e tyre atje. Më pas ai shtoi: ‘Një numër i vogël trupash amerikane do të qëndrojnë në zonën ku ata kanë naftën, dhe do ta mbrojnë atë’.

Rusia vendos ushtrinë në kufirin Siri-Turqi

Ndërkohë forcat ruse nisën të vendosen dje në zonën kufitare mes Turqisë e Sirisë si pjesë e marrëveshjes për largimin e forcave kurde nga ky rajon. Marrëveshja u arrit mes presidentit rus, Vladimir Putin dhe homologut të tij turk Rexhep Erdogan. Dy liderët zhvilluan bisedime të gjata në qytetin bregdetar rus Soçi, të cilat zgjatën më shumë se gjashtë orë. Ato u mbajtën vetëm dy orë para se të përfundonte armëpushimi pesëditor, i ndërmjetësuar nga zëvendëspresidenti amerikan, Mike Pence. Disa njësite ruse kapërcyen dje lumin “Eufrat” për të vazhduar drejt qytetit verior, Kobane. Sipas marrëveshjes, forcat ruse dhe siriane do t’i largojnë forcat kurde nga një territor i gjerë në brezin kufitar. Ushtria turke do të vazhdojë të kontrollojë një zonë që e kishin nën kontroll gjatë ofensivës kundër forcave kurde, të cilat Turqia i cilëson si terroriste. Pjesë e planit turk është edhe krijimi i një zone sigurie përgjatë kufirit, ku do të vendosen rreth dy milionë refugjatë sirianë, të cilët janë duke jetuar në Turqi. Moska besohet se tashmë e ka fituar një rol të ri për ndarjen e pushtetit në Lindjen e Mesme në kohën kur ndikimi i Shteteve të Bashkuara në këtë rajon po dobësohet.

Iraku refuzon trupat amerikane

Trupat amerikane në tërheqje nga Siria kanë nisur të hyjnë në Irak, por qeveria e atjeshme po kërkon ndihmë ndërkombëtare pasi nuk ka dhënë asnjë autorizim për këtë. Kryeministri iraken Adil Abdul-Mahdi tha dje se Bagdadi do të marrë hapa ligjorë ndaj kësaj prezencë të paftuar. Ndërsa sekretari amerikan i mbrojtjes Mark Esper njoftoi një ditë më parë se trupat amerikane do të jenë vetëm kalimtare në Irak, teksa do të bëjnë përgatitjet për t’u kthyer në SHBA. “Qëllimi i tyre nuk është të qëndrojnë gjatë në Irak”, tha Esper pa specifikuar se sa kohë do të qëndronin. Ofensiva ushtarake turke filloi pasi Shtetet e Bashkuara i tërhoqën në mënyrë të papritur rreth një mijë ushtarë nga pjesa veriore e Sirisë. Trupat amerikane kanë luftuar përkrah forcave kurde, të cilat kanë qenë aleate në luftën kundër ISIS-it. Marrëveshja e së martës Turqi-Rusi përcakton zonën që do të kontrollohet nga forcat turke, e cila do t’i shtohet territoreve që Turqia i kishte marr nën kontroll nga luftëtarët e Shtetit Islamik dhe forcat kurde gjatë operacioneve në vitet 2016 dhe 2018.

Andi Lamko

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here