“Këngëtarja tullace” kryevepra e autorit Eugene Ionesco, komedia absurde e sjellë mjeshtërisht në skenë nga regjisori Spiro Duni dhe me një kast aktorësh të njohur, vjen në datat 28, 29 dhe 30 shtator në teatrin “Bylis”, Fier. Pas premierës më 19 shtator ku u mirëprit nga publiku, vepra rikthehet sërish në skenë në sezonin artistik. Në rolet e shfaqjes teatrore “Këngëtarja tullace”, në skenë do të jenë aktorët Fatmir Xhelili, Miola Sitaj, Flaura Kureta, Astrit Hasani, Doriana Çaushi, Margent Caushi. Regjisori Spiro Duni është shprehur se “Këngëtarja tullace”, është një vepër për çdo kohë. ““Këngëtarja tullace” është një vepër e teatrit absurd (Eugenio Ionesco), një vepër për çdo kohë, pasqyrë e falimentit moral dhe mendor të shoqërisë njerëzore. Njëkohësisht pasqyrimi i një bote njerëzish që gjenden në udhëkryq, sepse nuk mund të komunikojnë më as me veten. Vlerat janë kthyer në antivlera, gjuha nuk është më një mjet komunikimi por mjet gënjeshtre dhe mashtrimi. Fjalët janë kthyer në lëvozhga tingujsh pa kuptim, brenda një bote që ka humbur identitetin, që ka humbur çdo gjë njerëzore, ku njerëzit pa ndjenja tashmë, nuk kanë më arsye të komunikojnë”, pohon regjisori Spiro Duni. Eugene Ionesco lindi më 26 nëntor 1909 nën emrin Eugen Ionescu në Slatinë të Rumanisë. Transferuar një vit më vonë në Paris me prindërit, pas Luftës së Parë Botërore ai u shpërngul në Majenne, në fshatin e vogël Chapelle-Anthenaise, edhe për shkak të anemisë së tij. Kthehet në Paris dhe shkruan një dramë patriotike, vepra e tij e parë, në kulmin e adoleshencës. Më vonë prindërit e tij u divorcuan. Më 1925, Eugene u kthye në Rumani, ku kryen arsimin e mesëm dhe mëson rumanisht. Në vitin 1929, ndonëse dëshira e tij ishte të bëhej aktor, me impulsin e babait të tij, ai u regjistrua në Universitetin e Bukureshtit. Në vitet në vijim ai iu kushtua shkrimit, artikujve kritikë dhe vargjeve poetike. Dalluar në gjysmën e parë të viteve tridhjetë si një eksponent premtuese i avant-gardës rumune, në vitin 1934 Eugene Ionesco publikon esenë “Nu”. Midis 1941 dhe 1944 ai ishte i punësuar nga ambasada Rumune në qeverinë kolaboracioniste të Vichy. Në vitin 1950 ai përfundoi dramën e tij të parë, me titull “Këngëtarja tullace”, e cila u vu në skenë për herë të parë në maj të atij viti në Teatrin des Noctambules. Si një nga autorët e ndaluar të letërsisë dhe dramaturgjisë moderne të shekullit të XX, Eugene Ionesco (1909-1994) pa dritën e skenës shqiptare vetëm pas viteve ‘90.