Arkivi i Filmi shfaq “Kali i Kuq”, me regji nga Stole Popov

0
427

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit në kuadër të “Ditëve Europiane të Trashëgimisë” në bashkëpunim me institucionin homolog, Kinotekën e Maqedonisë së Veriut shfaq mbrëmjen e sotme në Tulla Nouvelle, filmin “Kali i Kuq” nga regjisori Stole Popov. AQSHF shkruan se bazuar në romanin me të njëjtin titull të Tasko Georgievski, kjo histori Ballkanike sa emocionuese aq edhe argëtuese, shënon filmin e parë të gjatë të Stole Popovit, si dhe një nga personazhet më të spikatur të aktorit të mirënjohur Bata Zhivojinovic. AQSHF fton publikun për filmin, hyrja është e lirë dhe bën me dije se shfaqja e “Kalit të Kuq” i paraprin retrospektivës që po përgatitet për më vonë. “Ejani të ndiqni këtë xhevahir të humbur të kinematografisë së rajonit tonë, që fillon në Shqipëri e një pjesë u xhirua edhe në Kinë. Kjo shfaqje është pararendëse e retrospektivës së filmave Maqedonas, që arkivat e dy vendeve tona po përgatisin. Hyrja e lirë dhe me titra shqip. Mos e humbni!”, shprehet arkivi i filmit. Shfaqja e këtij filmi vjen në vijim dhe të prodhimeve të tjerë kinematografik, që janë shfaqur nga aktivitete të ndryshme që ka zhvilluar deri tani ky institucion. Vetë koleksioni i AQSHF është krijuar kryesisht nga fondi i depozitës legale të prodhimit shqiptar të filluar prej vitit 1947, i cili ka qenë kryesisht prodhim i një qendre të vetme shtetërore, Kinostudios “Shqipëria e re”, aktiviteti i së cilës fillon në vitin 1952 dhe përfundon në vitin 1992. Përveç koleksionit në pelikulë, në origjinalin e vet të kopjes negative dhe në kopje arkivale në pozitiv, AQSHF ruan dhe mbron edhe materiale të tjera të historisë së krijimit filmik, si skenarin letrar, skenarin regjisorial, listën e montazhit, fotografi, negativa te fotove, materiale të promovimit të veprës, partiturat e muzikës së filmave dhe posterat e tyre. Ky dokumentacion origjinal shoqërohet me të dhëna të tjera të shumta bibliografike, materiale shtypi, botime të ndryshme për filmin, fotografi të historisë së kinematografisë, të dhëna biografike të kineastëve shqiptarë, si dhe një dokumentacion aparaturash dhe gjithçka tjetër që ka të bëjë me muzeologjinë e filmit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here