Ekspozita “Univers”, me veprat e skulptorit Perikli Çuli në Muzeun Historik Kombëtar

0
329

Ekspozita “Univers” me punimet e skulptorit të njohur Perikli Çuli u çel për publikun në Muzeun Historik Kombëtar. Ekspozita është 60 vjet udhëtim i skulptorit të Merituar Perikli Çuli, Laureat i Çmimit të Republikës. Në fjalën e hapjes së ekspozitës, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, dr. Dorian Koçi u shpreh se profesor Perikli Çuli është ndër figurat më të shquara në art. “Të nderuar miq, kam kënaqësinë që ta filloj sezonin e ri të ekspozitave në Muzeun Historik Kombëtar me ekspozitën “Univers”. Profesor Perikliu është një nga figurat më të shquara të skulpturës shqiptare dhe si një dashamirës i artit nuk mund të lë pa e përmendur këtë mjeshtër të artit shqiptar dhe skulpturat e tij, të cilat kanë mbushur sheshe të tëra përgjatë territorit tonë”, tha drejtori i MHK. Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, para hapjes së ekspozitës shkruante se nuk duhej humbur “Univers” në muze. “Nga “Katër heroinat e Mirditës” te “Portret vajze”, nga “Ylli i lirisë” te “Ëndërr dashurie”…Janë 60 vjet krijimtari plot pasion të skulptorit Perikli Çuli, një univers i tërë, që ai na fton ta zbulojmë. Për të mos u humbur ekspozita e tij retrospektive në Muzeun Historik Kombëtar”, shprehej ministrja Margariti. Ekspozita përmban rreth 80 vepra arti në mermer, alabastër, qeramikë, etj, por nuk mungojnë dhe grafika e fotografi. Disa nga veprat e njohura, që janë ekspozuar në hapësira publike dhe janë realizuar nga skultprit Perikli Çuli përmendim “Toka jonë” në qytetin e Lushnjes, “Ylli i lirisë” në Qukës të Librazhdit, “4 heroinat e Mirditës”, “Tanush Topia” etj. Në ekspozitë janë prezantuar edhe disa prej punimeve që nuk janë ekspozuara më parë si “Vajza në heshtje” (dru arre, 1965), “Dashuria” (mermer gri, 2007), “Zogu rrezatues” (mermer i bardhë, 2008), etj. Në ceremoninë e hapjes së ekspozitës merrnin pjesë, miq dhe kolegë të skulptorit të njohur, ku nuk mungonin dhe dashamirës të artit të tij. Këtë herë me një ekspozitë në Muzeun Historik Kombëtar, skulptori Perikli Çuli përshëndeti të pranishmit, por falenderoi Muzeun Historik Kombëtar, Ministrinë e Kulturës dhe Bashkinë e Tiranës për ndihmën dhe bashkëpunimin e tyre në realizimin e kësaj ekspozite. Ekspozita “Univers” me vepra të skulptorit të njohur Perikli Çuli do të mirëpres publikun në hollin kryesor të Muzeut Historik Kombëtar deri më 17 shtator.

Aktiviteti ndër vite

Në albumin me vepra të skulptorit, piktori Gazmend Leka shprehet se ishte një privilegj të kontribuonte në organizimin e ekspozitës personale të skulptorit Perikli Çuli me rastin e 80-vjetorit të tij. “Ai është një nga personalitetet më të fuqishme të artit shqiptar”, pohon Leka. Petrit Malaj, Dekan i Fakultetit të artit skenik shprehet se kjo ekspozitë, me rastin e 80 vjetorit të skulptorit Perikli Çuli, e titulluar “Universi”, është ngjarje e madhe e mjedisit kulturor shqiptar. Piktori Ali Oseku gjithashtu vlerëson krijimtarinë e skulptorit të njohur. Ai shprehet se Perikli Çuli është autor i shumë monumenteve, fitues i shumë çmimeve në konkurse kombëtare dhe ndërkombëtare, një prej themeluesve të Akademisë së Arteve me një kontribut shumë të gjatë në artin shqiptar dhe në sistemin arsimor të artit. “Një nga pedagogët më të respektuar që kanë edukuar tre breza artistësh të rinj” pohon Oseku. Skulptori Perikli Çuli nga 1963 deri në 1990 ka ekspozime të veprave në ekspozita të ndryshme, së bashku me autorë të tjerë shqiptarë, në Shqipëri, Austri, Egjipt, Rumani, Francë, Greqi, Jugosllavi, Itali. Në 1993- Janos Gat Gallery, New York; Greenwich – koleksion privat, Manhattan, SHBA; Cornell Club, Cambridge, Oxford, Angli, 1994- Muzeu Historik SIBIU, Rumani, 1995 – Muzeu Mediceo, Pietrasanta -Toskanë, Itali. 1996, i ftuar në Columbia University, New York, SHBA; 1999 i ftuar në ekspozitë në Paris, Francë; 2001- ekspozon në galerinë Sassetti, Milano, Itali. Në aktivitetin e tij ndër vite merr porosi për buste, reliefe dhe monumente të ndryshme në Shqipëri e jashtë saj. Në aktivitetin e tij përmendim dhe çmimi i dytë në konkursin për reliefin “Rindërtimi i vendit”, bronz, Muzeu Historik Kombëtar, 1981. Urdhri i Punës i Klasit të I-rë për zhvillimin e arteve të aplikuara, 1982. Çmimi “Odhise Paskali”, skulptori më i mirë i vitit për monumentin “Tre Frashërllinjtë”, 1987; çmimi i parë për monumentin “Toka Jonë”, 1988; çmimi i Republikës” për skulpturën monumentale, 1989; çmimi i parë “Onufri” për veprën në skulpturë, 1995; çmimi i parë “Onufri” për veprën në skulpturë,1996.

Nga Julia Vrapi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here