Banka Botërore do të ndërhyjë për t’i dhënë zgjidhje kaosit të krijuar me pronat në Shqipëri. Prej vitesh qytetarët vuajnë në zyrat e ZVRPP për të gjetur të drejtën e tyre, por deri më sot vetëm janë sorollatur kot. Për të parë se çfarë ndodh me çështjen e pronave në vendin tonë, Banka Botërore ka kryer një studim të posaçëm për çështjet e pronave, i cili është publikuar së fundmi. Në këtë studim Banka Botërore ka gjetur me dhjetëra shkelje e gabime. Ajo zbuloi se pronat e regjistruara në zyrat e hipotekave shpesh nuk kanë lidhje me realitetin. Po ashtu, u vu re se hartat ekzistuese kadastrale të mbajtura nga ZRPP nuk pasqyrojnë përgjithësisht situatën aktuale në terren. “Njësitë e pasurive të paluajtshme (parcelat dhe ndërtesat kadastrale) në shumë raste janë të pozicionuara gabimisht dhe problematika është ndërlikuar me kalimin e kohës, duke ndryshuar specifikimet dhe sistemet e referencës. Në shumë raste, ka disa kopje të së njëjtës fletë harte, që përdoret dhe shpesh është e paqartë se cila hartë është më aktuale ose e sakta”, thuhet në studimin e Bankës Botërore.
Gabimet me dokumentacionit
Gabimet me hartat për çështjet e pronave nuk janë të vetmet të evidentuara nga Banka Botërore. Në studimin e saj, ajo ka kapur shkelje edhe me dokumentacionet, për të cilat thuhet se nuk kanë qenë të sakta. Banka Botërore ngre si shqetësim edhe faktin që hipotekat kanë me qindra informacione për parcelat, por nuk dihet statusi i pronësisë së saj. Sipas raportit, ky problem është më i theksuar në Tiranë. “Gabimet më së shumti janë akumuluar për shkak mospërputhjeve që vijnë edhe nga mungesa e dokumentacionit. Gabimet në regjistrimet e pronave përgjithësisht reflektojnë kufijtë të gabuar, madhësinë e parcelës dhe dokumentet e pronësisë. Ish-punonjës dhe punonjës aktuale të zyrave të hipotekave janë përgjegjës për këto gabime. Vendimet shpesh merren duke përdorur njohjet mbi të shkuarën e personit ose pronës. Në zyrat e hipotekave përgjithësisht ka të dhëna mbi parcelat por nuk dihet më saktësi statusi i pronësisë së saj. Situata është përgjithësisht më e ngatërruar ne zonat urbane, sidomos në Tiranë dhe rreth saj dhe në disa prej zonave bregdetare më të mëdha ku ka shumë ndërtime informale. Rastet e gjetura ilustrojnë disa lloje të mospërputhjesh kur krahasohen parcelat kadastrale ose blloqe parcelash, me ortofotot e vitit 2007”, thuhet në raportin e përgatitur nga Banka Botërore. Gabimet zakonisht zbulohen në kohën kur bëhet një transaksion në njësinë përkatëse të pasurive të paluajtshme. Deri në kohën kur bëhet një transaksion, pronari i pronës ose pronarët ngjitur të pronave nuk kanë njohuri për gabimet që lidhen me pasurinë. Duke marrë shkas nga të gjithë këto probleme dhe gabime të evidentuara nga Banka Botërore, kjo e fundit ka marrë përsipër një projekt për rishikimin e statusit të pronave në Shqipëri. Kjo pasi banka zbuloi se pronat e regjistruara në zyrat e hipotekave shpesh nuk kanë lidhje me realitetin. Për t’i dhënë zgjidhje këtij problemi “gangrenë” për qytetarët, Banka Botërore do të marrë në dorë situatën përmes projektit në fjalë, i cili pritet të zbatohet së shpejti. Përmes këtij projekti pritet që të rishikohen titujt e dhënë të pronësisë me qëllim që të nxirren në pah ata që janë dhënë në mënyrë të padrejtë e të shkojnë tek personi i duhur.