Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka zbardhur vendimin e shkarkimit për kryetarin e Gjykatës së Apelit të Shkodrës, Fuat Vjerdha. Sipas vendimit, ai ka probleme me pasurinë dhe aftësitë profesionale. Sa i takon profesionalizmit, KPK ka konstatuar nga hetimi i çështjeve të gjykuara nga Vjerdha se, ky i fundit ka mangësi profesionale e ka kryer një gjykim të dobët. “Lidhur me aftësitë profesionale të subjektit të rivlerësimit janë konstatuar mangësi profesionale të përsëritura, shkelje procedurale dhe gjykim i dobët, për shkak të të cilave subjekti nuk arrin nivelin kualifikues të kërkuar sipas germës “c”, të nenit 59/1, të ligjit nr. 84/2016, dhe, për rrjedhojë, duhet aplikuar pika 4, e nenit 61, e ligjit nr. 84/2016. D. Nga vlerësimi tërësor dhe kryesisht për sa i takon aspektit etiko-profesional, rezulton se subjekti i rivlerësimit ka cenuar besimin e publikut te sistemi i drejtësisë, ndaj, për rrjedhojë, duhet aplikuar edhe pika 5, e nenit 61, të ligjit nr. 84/2016”, thuhet në vendim. Një nga çështjet që e ka çuar trupën gjykuese të KPK në këtë mendim për profesionalizmin e Vjerdhës është ajo për vrasjen e një të mituri. Trupa gjykuese e Apelit të Shkodrës, ku në këtë rast bënte pjesë edhe Fuat Vjerdha, ka lehtësuar dënimin për autorët. “Gjykata e Apelit Shkodër ka regjistruar çështjen në regjistrin themeltar penal dhe në sistemin elektronik ICMIS datë 9.2.2012 dhe në përfundim të gjykimit, me vendimin datë 4.1.2013, ka vendosur për të pandehurin S. M., ndryshimin e vendimit: deklarimin fajtor të të pandehurit për kryerjen e veprës penale të sigurimit të kushteve për të kryer vrasje dhe në bazë të nenit 80 dhe 52 të Kodit Penal e dënon me 2 vjet e 6 muaj burgim; Deklarimin fajtor të pandehurit për veprën penale “moskallëzim krimi” dhe në bazë të nenit 300 dhe 51 të Kodit Penal e dënon me 1 vit e 6 muaj burgim. Në zbatim të nenit 55 të Kodit Penal e dënon përfundimisht të pandehurin me 4 vjet burgim”, sqarohet në vendim. Sipas KPK, gjykimi i kësaj çështjeje është kryer jashtë afatit 9-mujor të përcaktuar në një vendim të KLD. Po ashtu, të gjitha seancat gjyqësore kanë filluar me vonesë, pa u pasqyruar në procesverbal shkaku i vonesës. “Kjo praktikë e gabuar ka sjellë për pasojë uljen e transparencës së zhvillimit të gjykimeve në këtë gjykatë”, thuhet në vendimin e KPK.