Fondacioni Shoqëria e Hapur apo siç njihet ndryshe fondacioni “Soros” ka reaguar ditën e djeshme, pas akuzave të hedhura në adresë të themeluesit të tij, miliarderit George Soros nga Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta. Ky i fundit pak ditë më parë hodhi akuza në adresë të Sorosit, duke e akuzuar këtë të fundit për ndërhyrje në zhvillimet e brendshme në Shqipëri, kryesisht reformën në drejtësi. Madje, Meta akuzonte zotin Soros, se qëndronte pas një komploti të kurdisur prej kohësh për të ushqyer përplasjen civile më 30 qershor, si dhe për të ndikuar reformën në drejtësi. Por si përgjigje ndaj interesimit të “Zërit të Amerikës” mbi këto akuza, shefja e zyrës së komunikimit të fondacionit “Soros” me seli në Nju York, Laura Silber, tha se fondacioni në fjalë është i privilegjuar që ka dhënë kontributin e tij për reformën në drejtësi dhe që është rreshtuar krah aleatëve strategjik të Shqipërisë. “Fondacioni Shoqëria e Hapur është krenar për rolin që ka luajtur, krahas Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, për të mbështetur reformën në sistemin gjyqësor në Shqipëri, që është një kërkesë e domosdoshme për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian”, deklaroi ajo. Në deklaratën e zonjës Silber i konsideroi komentet e presidentit Meta për komplot si të çuditshme. “Karakterizimi që Presidenti Meta i ka bërë kësaj përpjekjeje kaq publike si një komplot, është i çuditshëm. Ne presim që të takohemi në të ardhmen e afërt me presidentin Meta, në bazë të ftesës që na ka dërguar”, nënvizoi më tej ajo. Kujtojmë që, presidenti Ilir Meta ka akuzuar edhe më parë manjatin e biznesit George Soros për lidhjet e tij me kryeministrin Edi Rama. Qëndrimit kritik të zotit Meta iu bashkuan së fundmi në Uashington edhe disa dhjetra shqiptarë me banim në SHBA. Të dielën (7 korrik) ata protestuan ndaj asaj që e quajtën “ndërhyrje e multimiliaderit George Soros në punët e brendshme të Shqipërisë si dhe kundër kryeministrit Edi Rama”. “Fondacionet për një Shoqëri të Hapur” janë një rrjet ndërkombëtar organizatash jofitimprurëse, të pavarura, jo qeveritare dhe jo politike që mbështesin financiarisht grupe të shoqërisë civile në sektorë të drejtësisë, arsimit, shëndetit publik dhe shtypit të pavarur në mbarë botën. Në Shqipëri “Fondacioni Soros” e zhvillon aktivitetin që prej vitit 1994.