Pjesa shqiptare e rajonit të Liqenit të Ohrit, bëhet pjesë e listës së pasurive botërore të UNESCO-s. Komiteti i Trashëgimisë Botërore i mbledhur në Baku, Azerbajxhan, mori vendimin e shumëpritur dhe një punë shumëvjeçare u shpërblye. Ministrja e Kulturës Elva Margariti shprehet se tani edhe pjesa shqiptare i përket trashëgimisë së mbarë botës. “Ndajmë me gëzim dhe krenari një lajm të mirë! Pas një pune shumëvjeçare, më në fund, “trupi” i Ohrit është i plotë në listën e pasurive botërore të UNESCO. Sot, Komiteti i Trashëgimisë Botërore, i cili po zhvillon sesionin e tij të 43-të, në Baku, Azerbajxhan, miratoi zgjerimin e pronës: “Trashëgimia natyrore dhe kulturore e rajonit të Ohrit”. Tanimë edhe pjesa shqiptare i përket trashëgimisë së mbarë botës”, shkruan ministrja Elva Margariti. Veç pjesës shqiptare të liqenit të Ohrit, Shqipëria numëron edhe disa pasuri të tjera në lisën e trashëgimive botërore të mbrojtura nga UNESCO. Parku kombëtar i Butrintit, Gjirokastra dhe Berati janë të tjera pasuritë kulturore mijëravjeçare të Shqipërisë, që janë në listën e pasurive botërore të UNESCO-s, Organizatës për Edukim, Shkencë dhe Kulturë të Kombeve të Bashkuara, ku vendi ynë aderon që prej vitit 1958. Tashmë kësaj liste iu bashkua dhe pjesa shqiptare e liqenit të Ohrit ose liqeni i Pogradecit. Liqeni i Ohrit është një nga më të mëdhenjtë në gadishullin Ballkanik dhe llogaritet si një nga liqenet më të vjetra në botë. Pjesa më e madhe e liqenit i përket Maqedonisë së Veriut, kurse pjesa tjetër i përket Shqipërisë. Në bregun e liqenit shtrihen tre qytete të mëdha Ohri dhe Struga në Maqedoninë e Veriut dhe Pogradeci në Shqipëri, ku tashmë pjesa e liqenit të Pogradecit është përfshirë në UNESCO. Organizata për Edukim, Shkencë dhe Kulturë e Kombeve të Bashkuara (UNESCO) është një agjenci e specializuar e Kombeve të Bashkuara e themeluar më 16 nëntor 1945. Qëllimi i deklaruar i kësaj organizate është të kontribuojë për paqen dhe sigurinë në botë, duke nxitur bashkëpunimin ndërkombëtar përmes arsimit, shkencës, dhe kulturës. Projekte të sponsorizuar nga UNESCO përfshijnë ndër të tjera programet ndërkombëtare shkencore; projekte rajonale dhe kulturore historike, avancimin e kulturës; marrëveshjet e bashkëpunimit ndërkombëtar për të siguruar në botë trashëgiminë kulturore dhe trashëgiminë natyrore.