Teksa Britania e Madhe vendosi të dalë nga Bashkimi Europian, një tjetër vend anëtar i saj po trazon ujërat brenda familjes europiane. Prej vitesh qeveria e re italiane nisi të flirtojë me Moskën, ndërsa ditë e fundit po tregohet qartë se Italia e Rusia kanë nisur një moment të ri bashkëpunimi. Putin ishte në Itali dhe gjatë konferencës të përbashkët për shtyp me kryeministrin Giuseppe Conte, ranë dakord se sanksionet kundër Moskës duhet të tejkalohen, veçanërisht në një kohë kaq shumë “delikate për ekonominë globale”. Kryeministrin Conte tha se Rusia duhet të bëjë pjesën e saj në rivendosjen e klimës së besimit me Evropën. Veç sanksioneve, tema të tjera të trajtuara gjatë takimit ishin Ukraina dhe Libia, për të cilat dy bashkëbiseduesit ndanë shqetësime të njëjta. Gjatë konferencës së përbashkët të shtypit, Conte shprehu shqetësimin për krizën libiane sidomos pas sulmit të fundit ajror që la të vrarë 53 vetë, përfshirë gjashtë fëmijë. “Gjendja e tanishme e ekuilibrit midis forcave në terren mund të shkaktojë një përshkallëzim të mëtejshëm me pasoja shqetësuese në lidhje me krizën humanitare, shpërthimin e terrorizimit dhe vënien në rrezik të sigurisë së infrastrukturës energjetike”, tha Conte. Por ndërsa presidenti Putin shprehu shqetësim për gjendjen në Venezuelë, gjatë konferencës së shtypit u fokusua më shumë për zhvillimet ekonomike në Rusi, si dhe marrëdhënien me Bashkimin Europian. Ai shpresoi se Italia do të ndërmarrë hapa për të normalizuar marrëdhëniet midis Moskës dhe Brukselit. Putini i vari shpresat tek udhëheqja e re e Komisionit Europian për rifillimin e plotë të marrëdhënieve midis Rusisë dhe Europës. “Vendet europiane humbën shansin të kenë qasje në tregun rus. Si pasojë nuk u hapën vende të reja pune, njerëzit nuk u paguan dhe kjo solli humbje për të gjithë,” tha kreu rus. Ai takoi gjithashtu në Romë, zv./kryeministrin Matteo Salvini si dhe u prit nga Papa Françesku.
Takimi me Papën
Presidenti Vladimir Putin, pasi zbriti shkallët e avioni të tij Ilyushin 96-300Pu, në orën 12.58 në Aeroportin e Fiumicino-s, u drejtua për në Vatikan. Lideri i Kremlinit mbërriti në Selinë e Shenjtë i shoqëruar nga delegacioni i tij prej 30 vetësh dhe u prit në audiencë nga Papa Francesku me të cilin pati një takim kokë më kokë dhe që zgjati 55 minuta. Selia e Shenjtë e konsideron Vladimir Putin një interlokutor të çmuar, edhe pse kjo konsideratë nuk i pëlqen aspak kishës ortodokse ukrainase. Gjithsesi Selia e Shenjtë nuk e ka njohur aneksimin e Krimesë nga ana e Rusisë.
Rreziku rus në Ballkan
Teksa Putin po shtin ndikimin e tij në shtetet e BE, pa snuk mbete as Ballkani. “Në Ballkanin Perëndimor, po luhet një nga ndeshjet më delikate gjeopolitike midis Bashkimit Europian dhe Rusisë”- kështu është shprehur professor Ordog ,një nga zërat më interesant në Universitetin e Budapestit, sipas të cilit “Rusia ka intensifikuar në Ballkan aktivitetet e saj kur ka kuptuar forcimin e marrëdhënieve të vendeve të Ballkanit me perëndimin, provë e kësaj ishte përpjekja për grusht shteti në Malin e Zi në periudhën e anëtarësimit në NATO, apo fakti se këtë vit janë bërë shumë arrestime në Kosovë ndaj personave me lidhje të dyshimta me rusët, apo dhe humbja e terrenit në Maqedoninë e Veriut pas arratisjes së kryeministrit Gruevski. Ish-kryeministri i dënuar për korrupsion u arratis në Hungari dhe nuk po ekstradohet me vendim të gjykatës. Dhe ndërsa nga njëra anë Ministri i Jashtëm hungarez pohon zyrtarisht se integrimi i Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut është në interes të gjithë Evropës, Orban fton në Budapest Presidentin e pjesës serbe të Bosnje Hercegovinës, Milorad Dodik, një figurë udhëheqëse e nacionalizmit serb dhe aleat i ngushtë i Putinit.