Cirku Kombëtar këtë vit shënon 60 -vjetorin e krijimit të tij. Një përvjetor, që për artistët duhet të kishte vëmendjen e Ministrisë së Kulturës, por kjo ka munguar. Artistët shprehen se duke qenë se është një vit jubilar nga ministria duhet të ketë një fond shtesë për të zhvilluar aktivitetet. Sipas artistëve, cirku shqiptar është i vetmi në Ballkan, por ky 60- vjetor e gjen të amortizuar. Kryetar i Sindikatës së Artistëve të Tiranës dhe artist i Cirkut Kombëtar Julian Kazazi shprehet se janë menduar disa veprimtari për 60- vjetorin, por është përgjegjësi e Ministrisë së Kulturës që ti kthejë dinjitetin cirkut. “Cirku Kombëtar është një nga institucionet, që ka argëtuar çdo moshë ndër vite dhe ky vit është i rëndësishëm për ne ku do festojmë 60- vjetorin e krijimit të këtij institucioni dhe do i japim një vlerë të madhe mirënjohje krijuesve të tij, të cilët na e trashëguan këtë art sa të bukur dhe aq të vështirë. I bëj apel Ministrisë së Kulturës që ta mbështes këtë event, që ti japim përmasat e duhura dhe ti kthejmë dinjitetin këtij institucioni ashtu siç e meriton, duke qenë se jemi i vetmi Cirk Kombëtar në të gjithë Ballkanin”, pohon artisti Julian Kazazi. Duke folur për punën që bëjnë artistët, ai shprehet se këtë vit po mendohet për t’u bërë një mbrëmje gala, ku do të marrin pjesë edhe artistë veteranë, të cilët kanë dhënë kontribute të mëdha në cirkun e vendit tonë. Kjo mbrëmje mendohet të jetë në fund të nëntorit dhe në dhjetor sipas artistit të cirkut Julian Kazazi pritet të jetë në skenë një premierë e re. “Buxheti është po i njëjti si çdo vit diku tek 16.000 euro. Por në cirk po punojmë për një shfaqje të re e cila është “Katedralja e Parisit”, që do të jetë në dhjetor”, tregon më tej Kazazi. Në apelin e tij drejtuar Ministrisë së Kulturës artisti i cirkut Julian Kazazi shprehet se ndërsa artistët vazhdojnë punën dhe mendojnë që 60 -vjetori të dalë sa më bukur, nga Ministria e Kulturës nuk po shihet asnjë mbështetje. “Kemi 60 vjet histori me cirkun dhe normalisht ne si artistë mendojmë, që të dalë një super mbrëmje gala që do të jetë me numrat më të mirë ndër vite dhe duke pasur prezent shumicën e artistëve, që janë ende në formë për të performuar në 60 vjetor, por nuk po shikojmë ndonjë mbështetje nga Ministria e Kulturës, që të kemi fond shtesë dhe po mundohemi me atë buxhet qesharak që të nxjerrim diçka të bukur”, pohon Kazazi, artist i cirkut dhe kryetar i Sindikatës së Artistëve të Tiranës.
Arti në dekadencë
Në vitin 1959 artistë kurajozë e të talentuar realizuan një shfaqje të plotë cirku të titulluar “Shkopi Magjik”. Ky moment i rëndësishëm shënon krijimin e cirkut shqiptar. Mjeshtri veteran i Cirkut Kombëtar Pavli Sallata, i cili fillimet në cirk i ka që në vitin 1965, pohon se prej vitesh nga institucionet nuk ka pasur vëmendje për cirkun. “Unë do të doja që aktivitetet e cirkut të ishin të shkallës superiore dhe të përfaqësonin cirkun në 60- vjetor. Në këto gati 30 vjet për cirkun nuk është bërë sa duhet. Që nga koha që erdhi demokracia pati shkurtime pa kriter të trupës së cirkut ndër vite, më pas u hoq dhe ligji i pensioneve. Pra arti nuk është trajtuar si duhet dhe ka ardhur në dekadencë nga dekada në dekadë. Cirku është në kufijtë e mbijetesës, nuk ka asnjë investim, nuk dimë se çfarë do bëhet me cirkun. Kemi një çadër të amortizuar, pra kështu e gjen 60- vjetori cirkun, me një buxhet që nuk është në parametrat e duhura, dhe mendoj se do të jetë një përvjetor i vakët. Ky 60 -vjetor e gjen të amortizuar Cirkun Kombëtar, nuk është në parametrat që duhet të jetë ”, pohon mjeshtri Sallata. Në reagimin e tij ai shprehet se artistët, që prej vitesh kanë dhënë kontributin e tyre në cirk janë të gatshëm për të bashkëpunuar për këtë përvjetor, edhe pse sipas tij deri tani nuk janë afruar sa duhet. Duke filluar nga viti 2012, cirku ynë është njohur si Cirk Kombëtar.
Nga Julia Vrapi