Eliminohen pengesat e reformës në drejtësi, ja si do ndryshojnë nenet që rrëzoi Kushtetuesja, rikthehen kompetencat për KLGJ dhe KLP

0
364

Eliminohen të gjitha pengesat e reformës në drejtësi. Deri më tani Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë nuk mund të bëjnë dot asnjë emërim apo shkarkim gjyqtarësh dhe prokurorësh, për shkak se Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar disa nene të rëndësishme në ligjin për organet e reja të drejtësisë. Por pas një zvarritje gati një vjeçare, mazhoranca ka gati ndryshimet që do i mundësojnë KLGJ dhe KLP të jenë me kompetenca të plota. Nenet kryesore që rrëzoi Kushtetuesja ishin 61 dhe 159, të cilat kanë të bëjnë me mbledhjet plenare të KLGJ dhe KLP. Këto nene kanë ndryshuar dhe tani përcaktohen kompetencat e sakta të këtyre organeve. Në nenin 61, që ka të bëjë me mbledhjet plenare të KLGJ, duke i dhënë të drejtën këtij organi të emërojë dhe të shkarkoj gjyqtarë, si dhe t’i propozojë presidentit kandidatët për gjyqtarë pranë Gjykatës së Lartë. “Këshilli i Larte Gjyqësor organizohet dhe e ushtron veprimtarinë e tij në komisione ose në mbledhje plenare. Mbledhja plenare e Këshillit të Lartë Gjyqësor ushtron kompetencat e mëposhtme: Emëron, vlerëson, ngre në detyrë dhe transferon gjyqtarët e të gjitha niveleve; vendos masa disiplinore kundër gjyqtarëve të të gjitha niveleve; i propozon Presidentit të Republikës kandidatët për gjyqtarë në Gjykatën e Lartë, në përputhje me ligjin; miraton rregullat e etikës gjyqësore dhe mbikëqyr zbatimin e tyre; menaxhon dhe kujdeset për veprimtarinë në administratën e gjykatave, përveç veprimtarisë së strukturave të teknologjisë së informacionit në gjykata, e cila rregullohet me vendim të Këshillit të Ministrave”, thuhet në nenin 61. Të njëjta kompetenca vlejnë dhe për KLP.

Shkeljet disiplinore

Një tjetër nen që rrëzoi Kushtetuesja ishte neni 5/1, që ka të bëjë me masat disiplinore ndaj anëtarëve të KLGJ dhe KLP. Sipas ndryshimeve në ligj, shkeljet disiplinore gjatë ushtrimit të funksionit janë në veçanti, por nuk kufizohen vetëm në veprimet, mosveprimet ose sjelljet e anëtarit të Këshillit te Larte Gjyqësor, si më poshtë: a) mosparaqitja e kërkesës për përjashtim, kur është e detyrueshme, sipas ligjit, nëse anëtari i KLGJ ka dijeni ose duhet të kishte dijeni për rrethana te tilla; paraqitja e kërkesës për heqje dorë të anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor nëse ky veprim: nuk bazohet në shkaqe të parashikuara në ligj; bëhet me qëllim që të krijohen përfitime të padrejta për subjektin e procedimit ose synon shmangien e përgjegjësisë ligjore nga anëtari i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose që çështja t’i caktohet një anëtari tjetër të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Përjashtimi i anëtarit

Neni 4 i projektligjit propozon një riformulim të pikës 2 të nenit 76, pas shfuqizimit që Gjykata Kushtetuese, me vendimin nr.78/2017, i ka bërë pikës 2 të nenit 76 të ligjit. Në vendimin e saj Gjykata Kushtetuese është shprehur: “Duke qene se kompetenca për të vendosur në lidhje me kërkesën për përjashtim, pra në lidhje me pjesëmarrjen ose jo të anëtarit të Këshillit në shqyrtimin e procedurës administrative, lidhet në mënyrë të drejtë me kompetencat funksionale të këtij organi, ajo nuk mund të ushtrohet nga një organ tjetër, siç është kryetari apo zëvendëskryetari…. Po ashtu, parashikimi se në rastet e paraqitjes së kërkesës për përjashtim për kryetarin vendos zëvendëskryetari, përbën një kompetencë shtesë që i njihet nga ligji këtij të fundit, i cili, siç u theksua më sipër, është parashikuar si funksion më vete vetëm me qellim moskrijimin e boshllëqeve në institucion në rastet e mungesës apo pamundësisë së kryetarit për të ushtruar funksionet e tij”.

Elisjeda Kiko

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here