Zbardhet plani, 1.7 miliardë lekë për të ngritur SPAK dhe luftuar korrupsionin, vjeshta sjell tërmet në politikë

0
325

Zbardhet plani i qeverisë për të ngritur Strukturën e Posaçme Antikorrupsion. Teksa Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Komisioni i Pavarur i Kualifikimit po punojnë intensivisht për konstituimin e SPAK, kaq nuk mjafton sepse që ky organ të funksionojë duhet të ketë edhe një buxhet të mirë në dispozicion. Për këtë arsye Ministria e Drejtësisë ka hartuar një plan veprimi që përfshin vitet 2019-2020 në zbatim të strategjisë ndërsektoriale kundër korrupsionit. Në këtë plan veprimi, tek theksohet se në luftën kundër korrupsionit nevojitet një impenjim më i madh, fokusi ndalet veçanërisht tek SPAK, duke qenë se kësaj strukture i është besuar goditja e pushtetarëve të korruptuar. Sipas planit të qeverisë, për ngritjen e SPAK dhe funksionimin e tij janë vënë në dispozicion 1.7 miliardë lekë të vjetër për një periudhë 5-vjeçare. “Forcimi i kapaciteteve në logjistikë dhe burime njerëzore i strukturave të hetimit të korrupsionit dhe krimit ekonomik: Totali: 177,564,000 lekë; Viti 2019: 35,512,800; Viti 2020: 35,512,800; Viti 2021: 35,512,800; Viti 2022: 35,512,800; Viti 2023: 35,512,800. Krijimi dhe funksionimi me eficiencë i Prokurorisë së Posaçme (SPAK-ut) dhe i strukturave kundër krimit ekonomik”, thuhet në draft-planin e siguruar nga gazeta. Në këtë buxhet të vënë në dispozicion nga qeveria për SPAK mbulohen trajnime, shtime personeli apo investime të ndryshme. Në planin e qeverisë objektiv është edhe rritja e referimeve për vepra penale kundër korrupsionit. Për këtë pikë në dispozicion janë vendosur afro 45 milionë lekë. “Përdorimi më eficiencë i mjeteve të posaçme të hetimit në procedimet për vepra penale në fushën e korrupsionit për rezultate më efektive në luftën kundër tij. Rritja sasiore dhe cilësore e referimeve për vepra penale kundër korrupsionit nga agjencitë ligjzbatuese bazuar në përdorimin e mjeteve të posaçme të hetimeve si për regjistrimin e hetimeve proaktive, ashtu dhe për rritjen e eficiencës në luftën kundër tij”, vijon më tej plani.

Sekuestrimi i pasurive dhe sistemi i raportimit

Në planin e Ministrisë së Drejtësisë thuhet ndër të tjera se gjatë viteve 2019-2023 në fokus do të jenë edhe pasuritë e korrupsionit të sekuestruara. Për këtë pikë do të krijohet një sistem raportimi, përmes së cilit do të mblidhen të dhëna të detajuara për pasuritë e konfiskuara. Kjo do të jetë pa kosto shtesë për qeverinë. “Krijimi i një sistemi raportimi për të përcaktuar vlerën e të ardhurave të pasurive të sekuestruara në rastet e korrupsionit. Përcjellja më e madhe e të dhënave për sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive. Trajnimi i stafit të AAPSK për përdorimin e sistemit të ri të raportimit për të përcaktuar vlerën e të ardhurave të pasurive të sekuestruar në rastet e korrupsionit”, thuhet në plan. Qeveria kërkon përgjatë këtij 5-vjeçari edhe rritjen e kapacitetit hetimor nëpërmjet forcimit të strukturës së hetimit dhe shfrytëzimit të instrumenteve ligjorë që shërbejnë për përmbushjen e veprimtarisë. Për këtë janë vënë në dispozicion 290.614.500 lekë. Aty përfshihet rritja e numrit të rasteve ku punonjës të strukturave që janë objekt i veprimtarisë së SHÇBA dyshohen se implikuar në veprimtari të kundërligjshme. Pra, kërkohet një ndëshkim për punonjësit e strukturave që abuzojnë me detyrën apo përfshihen në korrupsion pasiv. 

Mimoza Ibra

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here