Shkrimtarët i bëjnë apel Ministrisë së Kulturës, që të jetë transparente me vendimmarrjet, që do të bëhen për mbështetjen e krijimtarisë letrare, që këtë vit ka në fokus letërsinë për fëmijë. Autorë të ndryshëm pohojnë se prej vitesh Ministria e Kulturës jo vetëm ka treguar mungesë transparence, por dhe vlerësimi më pas ka sjellë shumë diskutime. Për autorët shqiptarë koha ka ardhur që të hiqet dorë nga praktikat denigruese dhe të përzgjidhen vlerat. Dy autorë të njohur të kësaj krijimtarie Pandeli Koçi dhe Vangjush Saro shprehen se është rasti që Ministria e Kulturës të vlerësojnë pjesëmarrësit, që kanë aplikuar për këtë fond me objektivitet. Shkrimtari Vangjush Saro pohon se shpresa mbetet të zgjidhen ata autorë, që të mos zhgënjejnë lexuesit. “Mendoj se është një projekt, që duhet vlerësuar. Të shpresojmë, së paku në këtë rast, se do të përzgjidhen autorë dhe libra që kur të shkojnë te lexuesi të mos e zhgënjejnë atë. Them kështu, sepse kemi pasur përvoja jo të mira, për të mos thënë fyese, kur letërsia për fëmijë e të rinj është trajtuar si e “njerkës”, duke e shkelmuar atë dhe krijuesit që i janë përkushtuar asaj në emër të njëlloj snobizmi që, në fakt, po mbyt letrat shqipe, po denatyron botimet, po drejton në pista të gabuara edhe shijet e lexuesve”, pohon shkrimtari Vangjush Saro. Sipas tij, nuk kanë munguar dhe rastet kur fondet e dhëna janë rrëmbyer nga mediokër. “Kemi parë se si fondet e dhëna për të nxitur krijimtarinë, përshembull përkthimet, janë rrëmbyer nga grafomanë e mediokër, që kanë mbështetësit e tyre në institucione, me fjalë të tjera njerëz që lexojnë vetëm miqtë dhe që nuk shohin përtej hundës së tyre. Kemi parë se si çmimet letrare janë dhënë apo iu janë “dhuruar” gjithnjë vetëm shtëpive botuese, që kanë nga një “flamur” shoqate. Ndonjë biografi e letrarizuar na është “shitur” për vepër, vetëm e vetëm se prapa saj qëndronte një njeri me pushtet, etj. Në këtë “tallava” tipike shqiptare, mund të shohim ndërkaq se sa pak lexohen e blihen krijimet e përzgjedhura në emër të tarafit, dhe kjo është kaq mjeruese”, vijon shkrimtari i njohur Vangjush Saro. Sipas tij ka ardhur koha që të hiqet dorë nga praktika denigruese dhe jo të kemi autorë që sot lançohen dhe nesër harrohen. “Besoj se është rasti që Ministria e Kulturës dhe specialistët e saj të vlerësojnë pjesëmarrësit me objektivitet, duke u mbështetur në parime estetike dhe te fjala, si kryezonjë e letrave, në mënyrë që të përcillen në publik emra dhe libra që shkojnë te lexuesi dhe nuk mbeten në anonimat. Koha ka ardhur që të hiqet dorë nga praktikat denigruese dhe të përzgjidhen vlerat, nuk është e vështirë, thjesht kërkohet transparencë dhe drejtësi. Mjaft më me autorë dhe botime të rastësishme, që sot lançohen e nesër harrohen”, shprehet shkrimtari Vangjush Saro.
Ministria të jetë transparente
Ministria e Kulturës shprehet se thirrja për mbështetjen e krijimtarisë letrare për fëmijë vjen në zbatim të politikës së në fushën e librit dhe ka për qëllim të mbështesë krijimtarinë e autorëve shqiptarë. Por për shkrimtarin Pandeli Koçi një nga problemet që ka vijuar gjithmonë ka qenë emërimi i bordeve. “Gjë e mirë që u hap ky projekt për letërsinë për fëmijë, por gjithmonë kur ministria flet për të tilla projekte duhet transparencë. Një nga problemet që ka qenë gjithmonë është kush është caktuar në borde?Ata që njoh unë dhe ti që je aty në ministri apo dhe të tjerë që ne nuk i njohim, por mund të jenë me vlera shumë më të mëdha se këta? Që të jemi transparentë, të dobishëm dhe sa më objektivë në vlerësimin e librave që do të vijnë, komisioni ose bordi duhet të jetë me personalitete të fushës së letërsisë për fëmijë dhe jo vetëm nga nënpunësit e Ministrisë së Kulturës”, pohon shkrimtari Koçi. Duke folur për problemet, që kanë shoqëruar projektet në ministri prej vitesh, shkrimtari i kujton Ministrisë së Kulturës që duhet të dalë nga rutina. “Në rast se do të vijohet siç ka qenë me bordet në ministri atëherë është rutina, që do të vihen në diskutim vlerat e atyre librave, që do të vlerësohen dhe do të fitojnë në këtë projekt. Ministria e Kulturës duhet të fusë në komision apo në bordin e vlerësimit të librave personalitete që të jenë të lidhur me letërsinë për fëmijë. Pra të jenë studiues të letërsisë për fëmijë, që e njohin gjithë gamën e gjerë të botimeve aktuale dhe historike” vijon shkrimtari Pandeli Koçi. Aplikimi filloi më 1 qershor dhe përfundon më 8 korrik 2019. Shpallja e fituesve për këtë fond do të bëhet më 30 korrik. Vlera e financimit të Ministrisë së Kulturës për këtë thirrje është 1.000.000 lekë dhe secili prej fituesve do të paguhet në vlerën prej 150.000 lekë.
Nga Julia Vrapi