Raportimet e amerikanëve, ja si Tito tentoi të blinte Enver Hoxhën për të bërë Shqipërinë pjesë të Jugosllavisë më 1945

0
560

Gazeta amerikane “The New York Times” ka treguar detaje nga tentativat e Josfi Tito për të shtrirë Jugosllavinë dhe në Shqipëri. Në disa artikuj të shkruara në vitet 1945, tregohet se si Tito i premtoi Hoxhës që t’i jepte Kosovën dhe ta ndihmonte në konfliktin me Greqinë, por që u refuzuan nga diktatori shqiptar më 1945.

17 tetor 1945

Amerikan e Britania përgatiten për njohjen e Hoxhës

Kontesti diplomatik mes Bashkimit Sovjetik nga njëra anë dhe Amerikës nga ana tjetër që po zhvillohet në Evropën Lindore, tashmë po intensifikohet me afrimin e zgjedhjeve në Ballkan. Dy grupe të ndryshme konkurrence po zhvillohen; rivaliteti për qeveritë që vijnë në pushtet në vende të caktuara, ku fuqitë perëndimore japin mbështetjen e tyre për kandidatët opozitarë kundër komunistëve, të cilët dominojnë qeveritë e vendeve nën influencën e Moskës. Sot Shtetet e Bashkuara dhe Britania po përgatiten të njohin zyrtarisht qeverinë e Enver Hoxhës në Shqipëri, edhe pse vendimi nuk është marrë akoma.

Tito kërkon besnikërinë e Shqipërisë

Disa kohë më parë Tito ftoi fshehtësish Shqipërinë që të bashkohej në Jugosllavi. Ideja ishte përfshirja e saj si një provincë sllave autonome. Kanalet diplomatike thoshin se si karrem për ofertën, ishte propozimi që nëse Shqipëria i dorëzohej Beogradit, Tito do i jepte asaj territorin e vilajetit turk Kosova, që ishte i famshëm në historinë serbe, por tashmë ishte i banuar më shqiptarë. Tito ofronte gjithashtu për Hoxhën mbështetje të hapur në konfliktin e tij me Greqinë. Hoxha e refuzoi ofertën e Titos dhe besohet se këtë e bëri me inkurajimin e amerikanëve e britanikëve. Ai tashmë thotë se pavarësia e Shqipërisë qëndron në kufijtë e vendit të vitit 1939. Ideja amerikane e kryeministrit Hoxha është se ai nuk është në fakt ajo që akuzohet se është, pra një kukull e Moskës. Ndoshta Uashingtoni beson se ai është më shumë një socialist francez që kërkon mbështetjen e perëndimit si një kundërpeshë ndaj masës sllave. Ky opinion qoftë ai i drejtë ose i gabuar duket se është baza e politikës prapa dhënies së njohjes së Shqipërisë. Në kabinetin e Hoxhës ka vetëm një komunist të trajnuar në Komintern dhe ky është Sejfulla Malishova. Vjen të theksohet se në zgjedhjet e pritura vetëm një parti po ofron kandidatët e saj, që në Ballkan zakonisht është Fronti Patriotik ose Demokratik.

Çërçil i zhgënjyer

Dhënia e njohjes do të jetë diçka me rreziqe pasi nuk është e sigurt se Hoxha do të kthehet në një mik, ashtu siç e zbuloi dhe Uinston Çërçil në rastin e Titos. Por duket se ka një shpresë që Shqipëria, e cila kontrollon Ngushticën e Otrantos që të çon në Adriatik, do të shikojë nga Perëndimi dhe kjo mund të ndihmojë për të stabilizuar gjërat në Greqi. Problemi është se grekët do të dyshojnë se dhënia e njohjes ndaj një vendi që insiston në kufijtë e tij të vitit 1939, do të thotë se Aleatët nuk do të mbështesin pretendimet greke për zonën e Korçës dhe Gjirokastrës në jug të Shqipërisë. Ndërkohë në një lëvizje balancuese Jugosllavia e Marshall Titos po përshkallëzon luftën e propagandës kundër pretendimeve revizioniste të Greqisë, gjë që ka mbështetjen e heshtur të Moskës. Por edhe situata e brendshme e Titos është e pasigurt. Presioni diplomatik perëndimor po inkurajon gjithnjë e më shumë opozicionin në vend. Dr. Milan Subasiç është dorëhequr si ministër i Jashtëm pas konsultimeve me ambasadorin britanik. Ambasadori amerikan Richard Paterson ka mbështetjen e plotë të Uashingtonit për të bërë betejë për demokracinë, pasi Amerika e di se po i ndalon ndihmën ekonomike Titos dhe insiston në zbatimin e katër lirive kryesore, duke kërcënuar me tërheqjen e njohjes.

Raport për Jugosllavinë

Opozita jugosllave brenda vendit po mban kontakte të ngushta me Mbretin Peter dhe politikanët rreth tij, duke përfshirë dhe udhëheqësin kroat Vladimir Maçek. Sipas tij Ka një pakënaqësi të përgjithshme dhe mungesë bashkëpunimi mes komunistëve dhe partive të tjera të Frontit Çlirimtar, i cili shërben si një mbulesë në emër të demokracisë. Ai shton se kroatët janë 90 për qind kundër regjimit dhe sa më shumë ai sulmohet nga jugosllavët aq më shumë shtohet popullariteti i tij. Me gjithë amnistinë e kohëve të fundit ai thotë se 120 000 njerëz mbeten nëpër burgje.

13 korrik 1945

Greqia pretendon zonën jugore të Shqipërisë

Situata në veri të Greqisë bëhet gjithnjë e më delikate dhe ndihmohet nga mungesa e unitetit politik në vend. Kryepeshkopi Demaskinos tha se megjithë kontributin e Greqisë në luftën anti-naziste, qytetarët e saj në Shqipëri, vend i cili ka luftuar për llogari të Aksit Nazist, po keqtrajtohen, prandaj një forcë ndërkombëtare duhet të dërgohet atje për të ruajtur rendin. Më tej ai shtoi: “Greqia ka gjithashtu pretendime të forta territoriale për Epirin e veriut, ose Jugun e Shqipërisë. Pro problemi është se shumë nga njerëzit tanë po vuajnë nga persekutimi. Me mijëra grekë ortodoksë po persekutohen, burgosen dhe ekzekutohen. Ne kemi dërguar një notë proteste për këtë te fuqitë e mëdha dhe kemi sugjeruar që trupat Aleate të vendosin kontrollin atje”. Ai theksoi se Greqia nuk ka lidhje me qeverinë e majtë të Hoxhës në Tiranë dhe se Jugosllavia e Marshall Titos gjithashtu ka sulmuar Greqinë. “Ne kemi pasur prej kohësh marrëdhënie të mrai me Jugosllavinë, prandaj është shumë shqetësuese tendenca e tyre kohët e fundit. në lidhje me pretendimet e Titos se Greqia po terrorizon minoritetin sllav në Maqedoni, kam marrë një telegram nga guvernatori i Maqedonisë. Ai thotë se jo vetëm që nuk ka maqedonas që po shkojnë nga Greqia drejt veriut por nuk ka pasur asnjë kalim në rajonin mes Kastoria, Follorina dhe Edesa. Gjithsesi banda sporadike sllavo-maqedonase kërkojnë të terrorizojnë fshatrat në anën tonë të kufirit. Duhet të disiplinohen bullgarët dhe shqiptarët të cilët nuk kanë luftuar me ne por me forcat e Aksit Nazist. Ata kanë pushtuar Greqinë nën mbrojtjen e gjermanëve dhe kanë vrarë e plaçkitur si njerëz të egër. Ata kanë ndryshuar dhe mbishkrimet e vareve të vjetra në tentativat e tyre për të sllavizuar rajonin”, tha ai.

11 nëntor 1945

Tre fuqitë e mëdha aprovojnë regjimin në Shqipëri

Shtetet e Bashkuara njoftuan zyrtarisht qeverinë e përkohshme të Shqipërisë për gatishmërinë e tyre mbi dhënien e njohjes sipas disa kushteve që iu njoftuan autoriteteve me anë të një letre në Tiranë të dorëzuar nga Joseph E. Jacobs, kreu i misionit informal amerikan atje, për kryeministrin Enver Hoxha. Veprimi i mor në përgjigje të kërkesës në fjalë nga Shqipëria dhe vetëm pas konsultimeve me qeveritë e fuqive të mëdha aleate. Britania i ka dërguar Shqipërisë një mesazh të ngjashëm dhe me sa kuptohej këtë kanë bërë dhe sovjetikët (Radio Moska tha se qeveria sovjetike kishte informuar Hoxhën për vullnetin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike dhe këmbim të përfaqësuesve). Deri tani ne nuk kemi pasur marrëdhënie zyrtare me Shqipërinë që prej pushtimit të saj në 1939, por kemi deklaruar në disa raste mbështetjen për rivendosjen e pavarësisë së vendit. Misioni ynë informal atje është dërguar për të mbikëqyrur kushtet dhe zhvillimet para dhënies së njohjes.

Teksti i njoftimit të departamentit të Shtetit:

Që prej pushtimit fashist të Shqipërisë në vitin 1939, qeveria e SHBA megjithëse nuk ka ruajtur lidhjet zyrtare me qeveritë shqiptare ka shprehur vazhdimisht mbështetjen e saj për pavarësinë e vendit. Populli amerikan ka admiruar përpjekjen e gjatë e të guximshme të Shqipërisë për liri nga tirania e forcave të Aksit. Kjo përpjekje, e ndihmuar nga rritja e prezencës së forcave Aleate në vend, sollën mbylljen e suksesshme të përpjekjes në fund të 1944 me dëbimin e forcave pushtuese gjermane dhe krijimin e qeverisë së Tiranës që tashmë ushtron kontroll në të gjithë vendin. Më 8 maj 1945 një mision informal amerikan i drejtuar nga Joseph E. Jacobs erdhi në Shqipëri për të studiuar kushtet dhe zhvillimet para dhënies së njohjes dhe pas informacioneve të tyre dhe konsultimit me fuqitë e tjera aleate Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sot që me anë të përfaqësuesit të tyre të komunikojnë qëndrimin e tyre.

Teksti i deklaratës së SHBA është si më poshtë:

Pas marrjes në konsideratë të kërkesës së autoriteteve shqiptare qeveria e SHBA shprehet e gatshme të hyjë në marrëdhënie diplomatike dhe regjimin aktual në Shqipëri si Qeveria e Përkohshme e Shqipërisë. Për vendosjen e marrëdhënieve zyrtare diplomatike qeveria e SHBA dëshiron të veprojë sipas detyrimeve dhe parimeve të Deklaratës së Krimesë për Evropën e Çliruar dhe sipas garancive se në vend do të mbahen zgjedhje të të lira e të drejta, për të gjithë individët dhe grupet etnike, si dhe gazetarët e huaj të lejohen të hyjnë në Shqipëri për të ndjekur zgjedhjet dhe punën e parlamentit. Qeveria e SHBA dëshiron të konfirmojë gjithashtu se traktatet dhe marrëveshjet mes Shqipërisë dhe SHBA para pushtimit të 7 prillit 1939, mbeten të vlefshme. SHBA nga ana e saj e konfirmon vlefshmërinë e akordeve. Pas marrjes së sigurive të kërkuara SHBA është e gatshme të vijojë me këmbimin e diplomatëve zyrtarë. “Unë jam udhëzuar të sugjeroj se propozimi aktual i SHBA nuk duhet të konsiderohet si paragjykues dhe jam i lumtur t’i kaloj qeverisë sime përgjigjen tuaj ndaj propozimeve të mëposhtme.

Parashikohen protesta greke

Ende nuk ka konfirmime nga rrethet zyrtare për lajmet se në Greqi do të vijojnë protesta për njohjen e mundshme të Shqipërisë nga SHBA dhe Britania, por gjithsesi kjo do të ishte një lëvizje normale në lidhje me situatën në Greqi. Sipas burimeve të majta këtu, Moska ka reaguar ndaj kushteve këtu dhe e konsideron si jo-demokratike refuzimin e fuqive të mëdha ndaj pretendimeve greke.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here