Maqedonia e Veriut ka vijuar dhe fushatën e saj kundër përvetësimeve dhe abuzimeve me pushtetin nga zyrtarë të lartë të administratës së shkuar, teksa prokuroria kreu 10 arrestime në lidhje me shitjen abuzive të tokës shtetërore. Shumica e zyrtarëve të arrestuar i përkasin opozitarëve të VMRO-DPMNE por mes tyre ka dhe shqiptarë nga BDI dhe zyrtarë ndihmës në procedurat abuzive si avokatë e noterë. Ish-ministri i Transportit, Mile Janakievski, pas disa muajsh arrest shtëpiak, është arrestuar mëngjesin e djeshëm, bashkë me ish-zyrtarë të tjerë të Ministrisë së Transportit, zyrtarë të kadastrës dhe një biznesmen. Arrestimet janë kryer me urdhër të Prokurorisë për krim të organizuar dhe korrupsion, në lidhje me shitjen e tokës shtetërore në Shkup, me çka është dëmtuar buxheti i Maqedonisë me mbi 2,5 milion euro. Aksioni policor ka të bëjë me ndërtimin e tre hoteleve në tokë shtetërore përgjatë lumit Vardar nga ana e kundërt e parkut të Qytetit të Shkupit. Gjithashtu të akuzuarit besohet se kanë manipuluar me tokën shtetërore edhe në parcelat ku duhej të ndërtoheshin “shkallët spanjolle” në qendër të Shkupit.
Biznesmenët shqiptarë
Mediat vendase thonin se biznesmenët shqiptarë të hetuar, ish-politikanë të BDI, janë Ejup Alimi i cili ka qenë deputet i BDI gjatë legjislaturës 2016-2020 dhe biznesmeni Enver Maliqi, të cilët kishin blerë parcela në zonën qytetase disa ditë para zgjedhjeve. Në aksionin policor janë arrestuar edhe Dimitar Dimovski dhe Dejan Mitrevski funksionarë të lartë në opozitaren VMRO-DPMNE. Operacioni vjen ndërsa parlamenti votoi pas një debati të vështirë, riorganizimin e qeverisë. Pas një debati të vështirë që zgjati dy ditë, Parlamenti i Maqedonisë së Veriut miratoi të enjten para mesnate ndryshimet në kabinetin qeveritar të kryeministrit Zoran Zaev. Ndryshimet ndodhën në sfondin e akuzave të rënda për korrupsion ndaj qeverisë. Për secilin prej pesë ministrave u votua veç e veç. Ata morën nga 64 deri 66 vota, ndërkohë që mjaftonte shumica prej 61 votash në parlamentin prej 120 vendesh.
Opozita: Sulm brutal politik
Opozita vendase OBRM-PDUKM tha dje se e konsideron aksionin si sulm brutal politik të dirigjuar nga pushteti, kundër anëtarëve dhe ish funksionarëve të saj. Sipas tyre, nuk bëhet fjalë për vepër kriminale por për interpretim të ndryshëm të procedurave ligjore të cilat thonë se ndodhin zakonisht në administratë. Ata shtuan se janë të bindur se pas një ose dy vitesh, personat e akuzuar do të lirohen si të pafajshëm. “OBRM-PDUKM është e mësuar me përndjekje dhe presione. Le t’i ndjekin anëtarët e OBRM-PDUKM-së por mos t’i ndjekin nëpunëset e pafajshme të cilat vetëm kanë bërë punën e tyre. Ky është rast në të cilin nuk ka, ashtu siç u tha, krim dhe korrupsion dhe te asnjëri prej të arrestuarve nuk janë gjetur mjete të fituara ilegalisht ose pronë e fituar ilegalisht”. “Bëhet fjalë për interpretim të procedurës ligjore gjë që mund të interpretohet në një formë ose në një tjetër. Apelojmë te prokuroria dhe gjykatat që të largohen nga duar të e pushtetit dhe nga ndikimet politike dhe të vendosin sipas ligjit dhe kushtetutës. E kanë për detyrë, kanë bërë betim dhe e kanë përgjegjësi”, deklaroi Aleksandër Nikollovski, nënkryetar i OBRM-PDUKM-së. Opozita, si maqedonase edhe ajo shqiptare e kanë quajtur farsë riorganizimin e kabinetit qeveritar të Zaev, ndërkohë që edhe në opinionin publik ka pasur mjaft kritika nga analistët, sipas të cilëve duheshin bërë ndryshime rrënjësore, të largoheshin ministrat e dyshuar për korrupsion e shpërdorim tenderash. Shefi i ekzekutivit e la bosh vendin e ministrit të Financave deri në gjetjen e një kandidati të përshtatshëm për ta drejtuar këtë post të rëndësishëm.
Andi Lamko