Gjykata Kushtetuese, që do të vendosë përfundimisht për shkarkimin e presidentit Ilir Meta do të jetë funksionale së shpejti. Me shkarkimin nga detyra të pjesës më të madhe të anëtarëve, kjo gjykatë u fut në ngërç. Prej disa muajsh Këshilli i Emërimeve në Drejtësi po punon me verifikimin e kandidatëve, ndërsa edhe Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka nisur procesin e rivlerësimit për ta. KPK konfirmoi në detyrë dy ditë më parë gjyqtaren Regleta Panajoti, e cila kandidon edhe për Kushtetuesen. Me konfirmimin e saj në detyrë, numri i kandidatëve që janë gati të bëhen pjesë e gjykatës shkon në katër. Para Panajotit, vendim pozitiv nga KPK kanë marrë edhe Arta Vorpsi, Fiona Papajorgji dhe Rexhep Bekteshi. Ky i fundit është gjyqtar i Gjykatës së Durrësit, ndërsa Vorpsi e Papajorgji këshilltare ligjore pranë Gjykatës Kushtetuese. Pra, anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese po bëhen pak nga pak gati dhe është çështje ditësh ringritja e këtij organi. Në këtë mënyrë, do t’i jepet fund një herë e mirë debatit për shkarkimin e Ilir Metës sepse Kushtetuesja duhet të thotë fjalën e fundit.
Skema që do të ndiqet
Nëse i hedhim një sy listës së kandidatëve për Gjykatën Kushtetuese, vihet re se vetëm një pjesë e tyre janë emra për të cilët procesin e vetingut mund ta kryejë Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Nga këta emra, KPK i kanë mbetur pa rivlerësuar vetëm dy gjyqtarë: Ilir Mustafaj nga Gjykata e Tiranës dhe Anila Kristani po ashtu nga Gjykata e Tiranës. Mustafaj u thirr një herë në seancë dëgjimore, por ajo u shty duke qenë se gjyqtari kërkoi përjashtimin e relatores së çështjes sepse vetingu për të ishte kryer vetëm për kriterin e pasurisë. Ndërsa për pjesën tjetër të kandidatëve që nuk e gëzojnë statusin e magjistratit dhe për të cilët KPK nuk i rivlerëson dot, në skenë do të futet Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. Me qëllim që të mos ketë asnjë pengesë dhe asnjë vonesë për asnjë kandidat, KED ka vendosur që kandidatët që nuk i verifikon dot KPK, t’i verifikojë ajo. Në këtë mënyrë, sipas burimeve të gazetës, KED ka administruar të gjitha dosjet për secilin kandidat dhe ka nisur verifikimin e deklarimeve të pasurisë, të integritetit të figurës dhe aftësive profesionale. Pra, teksa pritet që KPK të fusë në veting edhe dy gjyqtarët e mbetur, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi nga ana tjetër po punon intensivisht me vlerësimin e kandidatëve që nuk e gëzojnë statusin magjistrat.
Bien tentativat bllokuese të Metës
Disa media pranë LSI kanë nisur të propagandojnë se pavarësisht punës intensive që po bëjnë KPK dhe KED për ringritjen e Kushtetueses, kjo gjykatë nuk ngrihet dot sepse është në dorë të presidentit. Në fakt, sipas ligjit, presidenti ka të drejtë të emërojë 3 anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. 3 të tjerë emërohen nga Parlamenti ndërsa 3 të fundit nga Gjykata e Lartë. Nga Parlamenti dhe Gjykata e Lartë nuk pritet të ketë tentativa bllokuese. Madje, sipas burimeve të gazetës, Kuvendi dhe Gjykata e Lartë pritet t’i zgjedhin brenda korrikut emrat e tyre. I vetmi institucion që mund të hapë probleme mund të jetë Presidenca. Duke qenë se Gjykata Kushtetuese do të vendosë për shkarkimin e tij, Meta mund të tentojë të zvarrisë deri në limitet e afatit emërimin e 3 anëtarëve të Kushtetueses. Një shqetësim i tillë u ngrit pak kohë më parë edhe nga nënkryetarja e Kuvendit, Vasilika Hysi. Por pavarësisht tentativave bllokuese të Metës, sërish ai nuk bëhet dot pengesë sepse në ligj thuhet se nëse anëtarët nuk zgjidhen brenda 1 muaji, atëherë emërohet automatikisht emri i parë që është renditur nga KED. Por edhe nëse nuk zgjidhen dot 3 anëtarët nga Presidenca, atëherë sërish nuk përbën problem sepse me emërimin e anëtarëve që do të bëjnë Parlamenti dhe Gjykata e Lartë, Gjykata Kushtetuese do të ketë 6 anëtarë, çka e bën tërësisht funksionale gjykatën.
Mimoza Ibra