Artistët e Cirkut Kombëtar shprehen se përballen me jo pak probleme gjatë aktivitetit të tyre artistik. Për artistët, cirku nuk duhet që të rrënohet më tej dhe i bëjnë thirrje Ministrisë së Kulturës që të investojë për trupën artistike. Në reagimet e tyre artistët shprehen se Ministria e Kulturës nuk ka vëmendje ndaj Cirkut Kombëtar, dhe problemet vijojnë prej vitesh. Jo vetëm investime për të përmirësuar kushtet e punës, por ata pohojnë se në cirk janë akoma pajiset, që në kohën kur artistët kanë qenë në Kinë. Kryetar i Sindikatës së Artistëve të Tiranës dhe artist i Cirkut Kombëtar Julian Kazazi shprehet se ka 30 vjet, që nuk janë bërë blerje për artistët në aktivitetin e tyre. “Sa i përket investimeve, bazës materiale, objekte të reja në skenë kjo ka munguar. Fonia në cirk është jashtë çdo lloj norme dhe ne e kemi bërë kërkesën shumë herë për të rinovuar. Teknologjia çdo pesë vjet duhet rinovuar, por ne kemi ja 30 vjet që nuk e kemi ndërruar foninë dhe asnjë lloj përgjigje deri tani. Por dhe çadra është një problem më vete, që duhet parë. Në Cirkun Kombëtar asgjë nuk është ndërruar. Aty ka 30 vjet, që nuk është blerë një vegël apo aparaturë cirku. Janë të gjitha aparatura çfarë kanë ardhur nga artistët e vjetër nga Kina kur ata kanë qenë atje. Për artistët nuk është bërë një trajnim, një specializim dhe për brezin e ri”, pohon artisti Julian Kazazi. Nuk është hera e parë që artisti Julian Kazazi flet për problemet me aktivitetin e Cirkut Kombëtar, por gjërat sipas tij nuk kanë ndryshuar. “Fonia ka më shumë se 30 vite dhe jemi akoma me vegla nga Kina. Ministria të nxjerrë një fond për t’u pajisur me objekte të reja, sepse po e njëjta situatë vazhdon dhe artistët dalin i blejnë vetë për të ushtruar profesionin tyre, për të mbajtur profilet gjallë në cirk, duke filluar nga unë i pari dhe kolegët e mi me rrallë. Por duke qenë se nuk kanë interes te cirku dhe nuk mund të përfitojnë dot është dhe kjo lloj mungesë vëmendje, sepse nuk e shfrytëzojnë dot si artet e tjera”, vijon artisti Julian Kazazi. Në reagimin e tij si artist i cirkut Julian Kazazi i drejtohet Ministrisë së Kulturës, që të kthejë sytë nga artistët për të ndihmuar dhe në 60 -vjetorin e cirkut. “Ne kërkojmë më tepër vëmendje për të kthyer sytë nga cirku. Për të rritur të paktën buxhetet dhe për të na krijuar një fond të veçantë në lidhje me 60-vjetorin, që të dalë një mbrëmje gala, që nuk është parë në Shqipëri. Duke qenë se jemi i vetmi cirk në Ballkan ne e pretendojmë një gjë të tillë”, shprehet Julian Kazazi, artist i cirkut.
Ministria të përgjigjet për cirkun
Mjeshtri veteran i Cirkut Kombëtar Pavli Sallata, i cili fillimet në cirk i ka që në vitin 1965, pohon se nga Ministria e Kulturës nuk investohet, por mbi të gjitha duhet të ketë dhe transparencë se çfarë do të ndodhë me artistët. “Institucioni është pa investime dhe kushtet janë në shkatërrim. Mendoj se nga Ministria e Kulturës duhet që të kishin nxjerrë fonde për të përmirësuar kushtet, por jo, nuk investohet sepse do të iki cirku prej aty dhe e kanë lënë në këtë gjendje. Përderisa nuk ka një perspektivë atëherë Ministria e Kulturës të japë një përgjigje. Edhe qeveria të japë përgjigje. Çfarë do të bëhet me këtë institucion? Mbi të gjitha ministria duhet të ketë transparencë sa i takon çështjes së Cirkut Kombëtar. Çfarë do të bëhet me këtë kolektiv, me këtë institucion dhe këtë publik”, shprehet Pavli Sallata “Mjeshtër i Madh” për aktivitetin e tij ndër vite. Dekada punë pranë cirkut, mjeshtri Pavli Sallata shprehet se është e pajustifikueshme mungesa e vëmendjes nga ministria. “Të jenë kushtet për zhvillimin e aktivitetit artistik. Të paktën mos të rrënohet fare. Pra nëse nuk investon plotësisht në cirk meqë do iki vend tjetër atëherë ti si ministri krijo kushtet minimale për punën këtu. Edhe për bazën materiale ka probleme. Ato të Kinës kanë më shumë se 50 vjet më parë, që në 1964 dhe nuk ka më. Janë vegla që janë amortizuar. Është e pajustifikueshme mungesa e investimeve nga Ministria e Kulturës”, shprehet mjeshtri Pavli Sallata. Në vitin 1959 artistë kurajozë e të talentuar realizuan një shfaqje të plotë cirku të titulluar “Shkopi Magjik”. Ky moment i rëndësishëm shënon krijimin e cirkut shqiptar.
Nga Julia Vrapi