Presidenti Ilir Meta zhvilloi ditën e djeshme një takim me ambasadorët e Bashkimit Evropian të akredituar në Tiranë, të cilët i ka sqaruar për dekretin e anulimit të zgjedhjeve të 30 qershorit 2019. Sipas burimeve, gjatë diskutimeve, Meta i ka paralajmëruar ambasadorët se nëse do të jetë e nevojshme do të nxjerrë ushtrinë për të penguar dhunën gjatë zgjedhjeve në 30 qershor, duke u kujtuar se është Komandant i Forcave të Armatosura. “Nuk do të hezitoj të vë në lëvizje FA-të, në rast se do të ketë probleme të rendit publik gjatë zgjedhjeve”, mësohet t’u ketë thënë Meta ndërkombëtarëve. Po a ka fuqi kushtetuese dhe ligjore Presidenti për të angazhuar ushtrinë? Kreu i shtetit, ashtu siç nuk ka kompetenca për ç’dekretimin e zgjedhjeve dhe shpërndarjen e Parlamentit në situatën aktuale, nuk ka gjithashtu asnjë tagër ligjor për të vënë në lëvizje ushtrinë, për arsyen e thjeshtë se Shqipëria nuk është në kohë lufte. Sipas Kushtetutës së Shqipërisë, Presidenti i Republikës është Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, por ka të drejtë t’i drejtojë ato vetëm në kohë lufte. Në kohë paqe, FA i drejton kryeministri dhe ministri i Mbrojtjes. “Presidenti i Republikës, në kohë paqeje, ushtron drejtimin e Forcave të Armatosura nëpërmjet Kryeministrit dhe ministrit të Mbrojtjes”, thyhet në nenin 169 të Kushtetutës. Edhe në kohë lufte, Kushtetua njeh qeverinë si autoritet që propozon shpalljen e gjendjes së luftës dhe Kuvendin që vendos për mobilizim të përgjithshëm ose të pjesshëm. Konkretisht, pika 1 i nenit 171 të Kushtetutës parashikon që në rast agresioni të armatosur kundër Republikës së Shqipërisë, Presidenti i Republikës, me kërkesë të Këshillit të Ministrave, shpall gjendjen e luftës. Pika 2 e këtij neni parashikon që në rast kërcënimesh të jashtme ose kur detyrimi për mbrojtje të përbashkët buron nga një marrëveshje ndërkombëtare, Kuvendi, me propozim të Presidentit të Republikës, shpall gjendjen e luftës, vendos gjendjen e mobilizimit dhe të çmobilizimit të përgjithshëm ose të pjesshëm. Por në rast se ndodh që presidenti të nxjerr ushtrinë në 30 qershor, kjo do të thotë se ai do të jetë para një shkeljeje tjetër kushtetuese.
Meta kërcënon ndërkombëtarët
Kreu i shtetit Ilir Meta ka këmbëngulur se vendimi i tij për të anuluar zgjedhjet është marrë me përgjegjshmëri të plotë, dhe se ka rrezik real për përshkallëzim të situatës ditën e zgjedhjeve, të dekretuar për herë të parë prej tij më 30 qershor. Ai tha pak ditë më parë se nuk e ka shkelur Kushtetutën, duke shtuar se ka modele kushtetuese të përkthyera gabim, edhe në gjuhë të ndryshme. Duke ju drejtuar në mënyrë indirekte ndërkombëtarëve, që mund ta kenë lexuar gabim kushtetutën shqiptare nga përkthimet sipas tij jo të sakta, Meta ka cituar disa pjesë nga Kushtetuta. “Me përgjegjësi të lartë në datën 8 qershor para zhvillimit të protestës bëra publik vendimin për shfuqizimin e dekretit të zgjedhjeve. Vendimi u mor me përgjegjësi të plotë nisur nga faktet dhe informacionet se në datë 8 qershor mund të kishte destabilitet për jetën e qytetarëve dhe rendin Kushtetues. Dje bëra të ditur argumentet. Që në momentin e shpalljes së vendimit kam vënë re për fat të keq disa reagime të ndryshme se Presidenti ka shkelur Kushtetutën duke krijuar qëllimisht një gjendje amullie. Duke e ditur fort mirë që në Tiranë qarkullojnë edhe disa modele të ndryshme të Kushtetutës edhe disa të përkthyera gabim”, tha Meta.
Elisjeda Kiko