Shumë deputetë e zyrtarë të tjerë të lartë kanë rezultuar me probleme me dekriminalizimin. Gjatë vitit 2018, Prokuroria e Përgjithshme ka kryer verifikime dhe hetime të thelluara për plot 185 emra publikë. Një shifër e tillë bëhet e ditur tek projekt-rezoluta që Kuvendi i Shqipërisë ka përgatitur për Prokurorinë e Përgjithshme. Teksa i lë detyrat për vitin 2019, Kuvendi vlerëson faktin se gjatë vitit që lamë pas ky organ ka patur 185 raste për të verifikuar integritetin e figurës së zyrtarëve dhe funksionarëve publikë. “Bashkëpunimi ndër institucional në nivel qendror dhe vendor në përgjithësi është rritur, por ka ende nevojë për përmirësim dhe rritje të cilësisë së tij; Bashkëpunimi me autoritetet gjyqësore të huaj për të shkëmbyer informacion lidhur me veprimtaritë e grupeve kriminale që shtrijnë aktivitetin jashtë vendit dhe për krijimin e grupeve hetimore të përbashkëta për hetimin dhe goditjen e veprimtarisë së tyre brenda dhe jashtë vendit është rritur, por ka ende nevojë të forcohet; Sektori i verifikimit të integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, pranë Prokurorisë e Përgjithshme ka administruar 185 raste për verifikim të thelluar”, thuhet në projekt-rezolutë. Urdhri për krijimin e Sektorit të verifikimit të integritetit të figurës për zyrtarët publikë është dhënë nga ish-kryeprokurori Adriatik Llalla. Ky sektor ka si qëllim që të kapë të gjithë deputetët e funksionarët e tjerë të administratës publike që kanë probleme me figurën e që kanë probleme me formularin e dekriminalizimit. Vetëm vitin e kaluar janë referuar 185 zyrtarë me probleme. Kujtojmë që pak ditë më parë Prokuroria e Përgjithshme ngriti si shqetësim faktin se nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka patur asnjë kërkesë për verifikim të kandidatëve për zgjedhjet lokale.
“Detyrat e shtëpisë” për Prokurorinë e Përgjithshme
Përveçse e përgëzon për punën e bërë gjatë 2018, Kuvendi kërkon nga Prokuroria e Përgjithshme një punë më efikase në drejtim të goditjes së korrupsionit dhe krimit të organizuar. Sipas rezolutës, një detyrë për prokurorinë është që të rrisë hetimet dhe sekuestrimet e pasurisë. “Bazuar sa më sipër, për vitin 2019, Kuvendi i Shqipërisë kërkon nga Prokuroria e Republikës së Shqipërisë: Forcimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, nëpërmjet zbatimit më të mirë të procedurave të hetimit proaktiv dhe përdorimit në kufijtë e ligjit të teknikave speciale të hetimit; Sigurimin e zbatimit të drejtë dhe të njëllojtë të procedurave përsa i takon hetimeve pasurore, sekuestrimit dhe konfiskimit të aseteve. Brenda muajit Tetor 2019, të përcjellë në Kuvendin e Shqipërisë një raport në lidhje me ecurinë e zbatimit të këtij rekomandimi”, thuhet në rezolutë. Po ashtu, Kuvendi kërkon nga prokuroria që të rrisë më tej bashkëpunimin me organet e huaja ligjzbatuese, me qëllim që të ketë më shumë operacione të përbashkëta të suksesshme. “Zgjerimin dhe forcimin e bashkëpunimit ndër institucional me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, me qëllim rritjen cilësore, thellimin dhe intesifikimin e hetimeve në funksion të zbulimit dhe goditjes të veprimtarisë kriminale brenda vendit dhe të lidhjeve të tij jashtë vendit. Rritjen e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë dhe autoritetet gjyqësore të huaja në gjitha fushat e bashkëpunimit ndërgjyqësor, me qëllim shkëmbimin e informacionit lidhur me veprimtaritë e grupeve kriminale që shtrijnë aktivitetin me lidhjet e tyre jashtë vendit dhe nxitjen e krijimit e grupeve hetimore të përbashkëta për hetimin dhe goditjen e veprimtarisë së tyre brenda dhe jashtë vendit”, thuhet në rezolutë.
Mimoza Ibra