Pas dekretit të Metës, vihet në lëvizje DASH: Po vlerësojmë pasojat e vendimit të presidentit, opozita të dialogojë me qeverinë

0
371

Vendimi i presidentit për të shtyrë zgjedhjet e 30 qershorit ka vënë në lëvizje ndërkombëtarët. Deri tani të gjitha palët kanë qenë të rezervuara, për shkak se edhe po shqyrtojnë situatën. “Zëri i Amerikës” ka kontaktuar me një zëdhënës të Departamentit Amerikan të Shtetit, ku e ka pyetur në lidhje me vendimin që morri presidenti Ilir Meta për anulimin e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit. Sipas zëdhënësit, Departamenti Amerikan i Shtetit po ndjek të gjitha zhvillimet në Shqipëri, por edhe po mban kontakte me aktorët politik në lidhje me ndikimet ligjore për dekretin e presidentit. Lidhur me gjendjen politike në Shqipëri, zëdhënësi tha se qëndrimi i Uashingtonit zyrtar mbetet i njëjtë, duke u bërë thirrje të gjitha palëve të shmangin konfrontimet dhe të bashkëpunojnë në mënyrë konstruktive për të ardhmen e Shqipërisë. Zëdhënësi i DASH iu ka bërë thirrje Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim që të gjejnë një rrugë për të hapur dialogun me qeverinë rreth reformës elektorale. Por ditën e djeshme presidenti Ilir Meta ka dalë në një konferencë për shty, ku ka pranuar se ka marrë një telefonatë nga kreu i OSBE Miroslav Lajçak. Por sipas burimeve, mësohet se Lajçak i ka tërhequr veshin kreut të shtetit mbi firmosjen e dekretit për shtyrjen e zgjedhjeve të 30 qershorit. Kjo tregohet dhe nga deklarata që ky i fundit lëshoi të hënën në mbrëmje. “Lajçak shprehu shqetësimin lidhur me zhvillimet më të fundit në Shqipëri, të cilat sipas tij mund të thellojnë më tej krizën politike dhe si pasojë të sjellin ndalimin e funksionimit të institucioneve shtetërore. Kryesuesi në detyrë u bëri thirrje udhëheqësve politikë të demonstrojnë përmbajtje dhe respekt për legjislacionin në fuqi, si dhe për rolet kushtetuese të institucioneve përkatëse demokratike. Ai shprehu besimin se udhëheqësit do të veprojnë në përputhje me parimet demokratike dhe do të respektojnë të drejtën e qytetarëve për të votuar për përfaqësuesit e tyre brenda afatit kohor të përcaktuar nga kuadri ligjor shqiptar”, thuhej në njoftimin e OSBE.

Reagon Koçijançiç

Mbi këtë çështje reagoi të hënën dhe zëdhënësja e shefes për Politikën e Jashtme të BE-së, Maja Koçijançiç. Ajo ka kërkuar që të respektohet Kushtetuta në mënyrë që qytetarët të votojnë për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në pushtetin vendor. Maja Koçijançiç shprehet qartë se duhet të garantohet e drejta e shqiptarëve për të votuar, ndërsa kërkon nga palët politike që të angazhohen urgjentisht për dialog për të kapërcyer krizën. Përfaqësuesja e Brukselit ripërsërit se largimi i opozitës ishte i qëllimshëm, ndërsa tashmë parlamenti është funksional, pasi të larguarit janë zëvendësuar. “Ne po ndjekim zhvillimet. Kjo është një çështje që institucionet shqiptare duhet ta trajtojnë në përputhje me legjislacionin dhe jurisprudencën ekzistuese, në respekt të plotë të parimeve kushtetuese dhe demokratike. Tani është thelbësore që të garantohet e drejta kushtetuese e qytetarëve shqiptarë për të votuar në zgjedhjet lokale dhe për të siguruar vazhdimësinë e qeverisjes lokale. Ne përsërisim thirrjen tonë nga të gjitha palët që të angazhohen urgjentisht në një dialog konstruktiv për të kapërcyer situatën aktuale politike”, tha Maja Koçijançiç. 

Elisjeda Kiko

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here