Ballisto-fashistët nuk i kursenin plumbat edhe duke vrarë pleq.Kudo që kalonin në vendin tonë pushtuesit nazi-fashistë, shoqëroheshin nga kolaboracionistë ballisto-zogistë. Duke qenë bashkë, mendonin se ishin më të sigurtë për të kryer misionin e tyre, por edhe për jetën e vetë. Frika nga ndonjë përpjekje me partizanët i bënte ata të bashkëpunonin. E kishin më lehtë të vepronin tok. Ballisto-fashistët ishin udhërrëfyes të pushtuesve të huaj. Të parët u tregonin këtyre se kush është shtëpia e komunistit, e partizanit, për të vepruar: për plaçkitje, kërcënime, djegie të shtëpisë dhe vrasje njerëzish burra e gra e deri fëmijë e pleq! Faktet janë të shumtë.
“Qëlloni, mor të poshtër, hakën do ma marrin partizanët”!
Mallakastra ishte çliruar nga Operacioni gjermano-ballist. Forcat partizane goditnin armikun. Ballistët masakronin fshatarë. Në Frashër e Sherishtë, kapën Koli Dimo, 62 vjeç, kryetar i këshillit nacionalçlirimtar. Më 10 qershor 1944 rrethuan këto dy fshatra, bën kontroll dhe grabitën pasurin e fshatarëve. Të informuar nga spiunët arrestuan xha Kolin, shtëpia e të cilit ishte bazë lufte, thirrën mbledhjen e popullit dhe e torturonin në mënyrë çnjerëzore. Tradhtarët bënë çmos që ta mposhtnin, por xha Koli qëndronte heroikisht.“Qëlloni mor të poshtër, se hakun do të ma marrin Partia dhe partizanët,- u tha ai sypatrembur. Ballistë e xhandarë iu vërsulën me radhë duke e goditur akoma më shumë, ku të mundnin. Në mbrëmje të asaj dite, xha Koli mbeti në çaste agonie. Ballistët e lanë në atë gjendje dhe i vunë roje që të mos i afrohej askush. Pas dy ditësh, ai vdiq. Armiqtë urdhëruan që të mos varrosej, por populli i të dy fshatrave s’e përfilli këtë urdhër dhe e varrosi me nderime dëshmorin Koli Dimo.
Beqo Zani,plak njeri, kërcënohet dhe vidhet nga ballistë hajdut të njohur. Kishte shkuar në shtëpinë e Brahim e Shero Mihos. Shtëpia ishte në pyll, afër lumit të Kardhiqit, atje ku fillon e përpjeta e Qafës së Taroninës të Fushbardhës. Një ditë vajtën aty një grup gjermanë e ballistësh, të cilët e gjetën vetëm plakun dhe filluan t’i bënin presion psikologjik e ta kërcënonin se “Do të të vrasim”. Ndërkohë vodhën çfarë gjetën. Sidomos hëngrën mjaltin e shtëpisë. I thoshin plakut: “Ha dhe ti, që të shkosh i ngopur në botën tjetër”. Dhe i drejtonin pushkën, sikur do ta vrisnin, por plaku trim qëndronte i patundur. I shikonte me rreptësi. Jeta nuk i dhimbsesh, vetëm kishte hallin te jeta e dy fëmijëve që mbante aty. Në fund ballistët, pasi u shqepën duke ngrenë mjaltë e çfarë gjetën, plakun nuk e vranë, jo se u vinte keq, por se kishin frikë nga ndonjë rrethim partizan dhe e pësonin për vete, prandaj u larguan me shpejtësi.
Një ditë tjetër, gjermanë e ballistë, po i afroheshin po kësaj shtëpie, të cilët i pa e zonja e shtëpisë, Shero Miho, aktiviste antifashiste, trime, mikpritëse dhe bujare e partizanëve. Me shpejtësi e guxim mori dy fëmijët dhe u ngjit malit përpjetë për t’i shpëtuar nga rënia në duart e armiqve. Por shiu i madh dimëror që kishte rënë bëri që të dilte përroi i rrëmbyeshëm dhe i turbullt, i cili vërshonte fuqishëm dhe vente përpara çdo gjë që gjente, gurë e popla dhe s’mund të kalohej. Jeta e Sheros dhe e dy fëmijëve ishin në rrezik. Andej armiq, këndej përroi, kalimi i të cilit ishte e pamundur. U shkoi në ndihmë me shpejtësinë e erës bashkëfshatari Bilush Peçi, i cili i shpëtoi nga vdekja e sigurt e përroit dhe nga kapja për së gjalli prej ballistëve, ajo u fsheh që të mos diktohej e asgjësohej nga armiku. Qysh atëherë ai përrua mori emrin “Përroi i Sheros”.
-“Ku e ke djalin, fol”!
-“Në shesh të luftës”!
Zojë Djaloshi,65 vjeç, nënë partizane. Gjermanë e fundërina të reaksionit mbërritën në Qerret të Pukës. Hynë në shtëpinë e saj. -Ti je nënë komunisti?-Po! -Ku e ke djalin? -Në shesh të luftës! Si hyni kështu në shtëpinë e botës? –Zjarr shtëpisë, thirri komandanti i bandës. –Zjarri të përvëloftë! Shtëpinë e kam ndërtuar unë dhe pa vdekur unë ti s’e djeg dot, iu përgjigj Zoja!
Ndërkaq armiqtë sollën kashtë. Zoja nuk duroi më. Rrëmbeu një drapër dhe me të në dorë u sul mbi armiqtë. Plagosi një xhandar. Të tjerët u tërhoqën. Komandanti i tyre urdhëroi ta kapin menjëherë. E kapën disa prej tyre. Nëna përpiqej t’u shpëtonte nga duart. Shtëpia mori flakë. Nëna thërriste me zë të lartë: “Komunistët do t’u hanë kokat”. Komandanti armik u tërbua dhe me breshëri predhash e shtriu nënë trime përtokë…
Në gushtin e vitit 1944, një grup gjermano-ballistë, rrethuan Mashkullorën e Gjirokastrës. Me listë të zezë në dorë dhënë nga spiunë ballistë, duke shfryrë urrejtjen kundër LANÇ vranë 11 burra e djem, me në krye kryetarin e këshillit nacionalçlirimtar, Bedri Ahmeti. Pastaj shkuan në një ahur, ku gjetën një plakë, që s’kishte shkuar dot në mal si fshatarët e tjerë,Zelide Bistri, nga një shtëpi bazë lufte, me djem partizanë dhe e vanë. Njërin nga ballistëtajo e njihte dhe ky nga frika se do të tregonte e kundër tij do të kishe hakmarrje, i mori jetën plakës së gjorë. Mirë nazistët, po është e rëndë që të vrasë shqiptari shqiptarin, të cilët quhen vëlla e shkuar vëllait. Po ballisti s’do t’ia dijë, është gjakatar, vrastar.
Në nëntor 1943, komandatura gjermane e Korçës i kërkoi qarkorit të Ballit arrestimin e 8 personave të lëvizjes. Dhe krerët e spiunëve tradhtarë, dhanë edhe emrin e Ali Resnjës, 61 vjeç, shtëpia e të cilit bazë e luftës, babait të dy partizanëve, të cilin e pushkatuan në rrugën e Voskopojës, bashkë me 7 aktivistë të tjerë të luftës. Pa këtë bashkëpunim gjermano-ballistë, vështirë se mund te bëheshin akte të tilla kriminelësh. Sado që të përpiqen neeoballistët e sotëm t’i mohojnë këto barbarizma, dielli me shoshë nuk mbulohet.
“Pasha zotin, unë do luftoj për liri”!
Ndrek Bardhi,mirditor, antizogist. Tregon se kur ishte i ri, u njoftua të shkonte ushtar dhe tha: “Për Zogun të shkoj ushtar?! E pse çfarë është ai? Vjedhës, që kërkon të mbushë xhepat e tij me gjakun tonë”. Për hakmarrje i dogjën shtëpinë. Ndreka nuk u nënshtrua. Mori malet. Regjimi i Zogut s’e hodhi dot në dorë.
Me pushtimin fashist, Ndeka u shfaq antifashist. Gjonmarkajt e ftojnë të prisnin fashizmin. Nreka u shpreh “Kurrën e kurrës”. Karabinierët i rrethojnë shtëpinë. Morën përgjigjën:“Nuk dorëzohem gjallë”. Bashkë me vëllezërit Ndeka çau rrethimin me pushkë. U vra një fashist. Ndreka përsëri në male. Për hakmarrje i dogjën shtëpinë. I internohet familja. Malësori trim takohet me Bardhok Bibën. I jep fjalën: “Pasha besën, unë do jem me ty, me ata që luftojnë për lirinë e këtij vendi”. Dhe Ndreka qëndroi e luftoi përkrah partizanëve deri sa kullave të Gjonmarkajve u doli tymi! Por një ditë në pyllin e Kaçinarit u dëgjuan krisma pushke. Ndreka dhe i biri, Pali kishin rënë në pritë. Armiqve nuk iu dorëzuan, babë e bir luftuan si trima derisa të dy ranë dëshmorë…
Hasan Doçinga Kruja, 64 vjeç. banonte në Vlorë duke punuar kasap. Antifashist. Aktivizohej në këshillin nacionalçlirimtar. Djali i tij, Et’hem Doçi partizan, 18 vjeç, dëshmor. Hasani ndiqej nga spiunë e ballistë. Pushtuesit italianë e internojnë në Sazan, andej e nisën drejt ish Jugosllavisë të internuar, kaluan kufirin dhe afër Strugës e pushkatuan, pasi i detyruan bashkë dhe me disa të tjerë të hapnin gropën për varrimin e tyre. Bab’e bir dëshmorë.
Nerënxa Ziçishti,56 vjeç. Në Ziçisht gjermanë e ballistë u lëshuan nëpër shtëpi. Nisën plaçkitjen. Por te Nerënxa kishin tjetër qëllim. Ishte spiunuar se shtëpia e saj qe bazë luftë. Burri vdekur. Fëmijët s’ishin aty. Ajo tentoi të dalë jashtë shtëpisë. Ballistët nuk e lanë. Qëndroi e patundur te dera. E kërcënojnë: “Fol, moj nepërkë, ti e ke një djalë komunist, Llaqi Ziçishtin”! Nerënxa s’mund të heshtte. Iu përgjigj dhe qëndroi trimërisht.
Komandanti ballist dha urdhër dhe pesë prej tyre e shtynë Nerënxën dhe hynë brenda në shtëpi. Por në çast u dëgjuan krisma armësh. Ballistët ngrinë nga frika. E lanë kontrollin. Komandanti ballist me shpejtësi derdhi vajgurin e llambës në dysheme dhe ndezi zjarrin. Nerënxa kishte dhe hallin se aty mblidheshin dokumente të partisë, fishekë e bomba. U përpoq të shuante flakën që sapo filloi të përhapet. Ia arriti qëllimit. Flaka u shua. Ballistët u kthyen dhe e vranë në shtëpinë e saj. Krismat e pushkës partizane sa vinte e dëgjoheshin. Ballistët ikën të trembur…
Qëndrime atdhetare të vendosura kanë mbajtur edhe gra e nuse, që u janë kundërvënë me guxim ballistëve. Mund të përmendim një rast në Progonat për trimërinë e nënës Duda Haxhiaj. Ishin dallgët e Operacionit gjermano-ballist të Dimrit 1943-44, në shtëpinë e kësaj nëne ishin mbledhur nga nuse të fshatit që të mbroheshin bashkë. Kur ballistët trokitën në portë për të hyrë në shtëpi e të bënin reprezalje, nëna plakë Duda u tha ballistëve: “Porta jonë nuk thyhet. Po erdhët, ja, na shikoni? Të gjitha do hidhemi nga dritarja si Suljotet”! Ballistët ikën me bisht ndër shalë, kurse nënë Duda u dërgua delegate në Konferencën e grave të qarkut të Gjirokastrës, që u zhvillua në Poliçan të Pogonit e më vonë delegate në Kongresin e Gruas në Berat.
***
Ka me qindra fakte të tilla, të bashkëpunimit të armiqve të brendshëm me pushuesit e huaj. Kolaboracionistët pushtuesin e ndihmonin, popullin e kërcënonin, plumbin si vrastarë s’e kursenin, Atdheun e tradhtonin, veten e dëmtonin. Ishin kriminelë, çnjerëzorë, antishqiptarë, antipatriotë, antihumanë, që vrasin dhe pleq, sikur të mos kishin vetë prindër!…Le t’i mësojnë këto krime edhe bijtë e tyre e të ecin në rrugë të drejtë të atdhetarit…
Nga Sevo TARIFA