Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka zbardhur arsyet se pse për Kryeinspektoren e ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Marsida Xhaferllari nuk mori dot një vendim shkarkimi apo rikonfirmimi në detyrë pak kohë më parë. Sipas vendimit të KPK, Xhaferllari ka humbur statusin e magjistratit për shkak të punëve të kryera jashtë sistemit të drejtësisë dhe për këto raste KPK nuk shprehet dot. Në vendim janë renditur të gjitha punët e kryera nga Xhaferllari. Ajo ka qenë gjyqtare në Fier nga viti 1999 deri në vitin 2007, ndërsa më pas e ka braktisur këtë post për të shërbyer pranë Ministrisë së Drejtësisë. Aty Xhaferllari ka punuar si këshilltare, ndërsa më pas u caktua edhe Drejtoreshë e Përgjithshme e Kodifikimit dhe Çështjeve të Drejtësisë në ministri. Ndërkohë, në janar të vitit 2013, ajo u emërua Kryeinspektore e Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe e vijoi këtë detyrë derisa ky organ u shkri. Më tej KPK rendit arsyet se pse këto punë i kanë hequr Marsida Xhaferllarit statusin e magjistratit. “Në mars të vitit 2008, ligji vendosi afat 3-vjeçar për gjyqtarët që shërbejnë në strukturat jashtë gjyqësorit. Duke qenë se në ligjin nr. 9877/2008 nuk ka dispozita kalimtare në lidhje me këtë afat, afati bëhet i zbatueshëm menjëherë me hyrjen në fuqi të ligjit. Kjo do të thotë se afati për të shërbyer jashtë strukturave të gjyqësorit, duke ruajtur njëkohësisht statusin e gjyqtarit, për subjektin e rivlerësimit, ka përfunduar në muajin mars të vitit 2011. Si pasojë e kësaj, subjekti i rivlerësimit e ka humbur ex lege, statusin e gjyqtarit. Nuk ka qenë e nevojshme gjithashtu dhënia e ndonjë vendimi konstitutiv të KLD për t’i rikthyer statusin”, thuhet në vendim. KPK ka sqaruar edhe pse as nuk e konfirmon dot në detyrë Xhaferllarin, por as nuk e shkarkon dot. “Ligji nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” e detyron Komisionin ta bazojë vlerësimin e aftësive profesionale të subjektit të rivlerësimit që nuk e ka statusin e magjistratit, mbi rezultatet e testimit pranë Shkollës se Magjistraturës. Për sa kohë që këto rezultate nuk janë të disponueshme, trupi gjykues, nuk mund të kryejë vlerësimin e aftësive profesionale dhe nuk mund të kryejë rivlerësimin kalimtar të subjektit të rivlerësimit”, vijon më tej vendimi.