Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka zbardhur dje vendimin e shkarkimit për prokurorin e Prokurorisë së Përgjithshme, Arqile Koça. Sipas vendimit të KPK, Koça ka përfituar disa herë kredi si i pastrehë, në kundërshtim me ligjin. Po ashtu, duke u deklaruar si i pastrehë, ai ka privatizuar një pasuri të paluajtshme në Korçë. “Gjatë hetimit administrativ, u vërtetua se subjekti ka përfituar me shumë se një herë, kredi me statusin si i pastrehë, sipas VKM-së, nr. 102, datë 05.03.1999, status i konfirmuar me shkresën datë 05.01.2000, të Këshillit të Ministrave. Disa muaj pas përfitimit të kësaj kredie, konkretisht, më datë 05.07.2000, subjekti ka privatizuar një pasuri të paluajtshme po me statusin e të pastrehut, në qytetin e Korçës. Subjekti ka përfituar, me statusin si i pastrehë, në korrik të vitit 2000, një pasuri në Korçë, truall me sip. 100 m2 dhe ndërtesë me sip. 100 m2, pasi në mars të vitit 2000, ai e kishte konsumuar marrjen e kredisë prej 5.000.000 lekësh për blerjen e një banese në Tiranë, duke vepruar në kundërshtim me vendimin nr. 102, datë 05.03.1999, pika 2, “Për trajtimin në strehim të funksionareve politikë””, thuhet në vendim.
Lidhur me privatizimin e pasurisë së paluajtshme, Arqile Koça ka deklaruar se ai ka banuar me statusin e ish-qiramarrësit në një banesë të ish-NKB, të cilën do ta privatizonte sipas ligjit. Por KPK ka argumentuar se kjo pasuri nuk i takonte subjektit të rivlerësimit sepse me transferimin në Tiranë, e drejta për t’u strehuar në Korçë ka përfunduar. Një tjetër arsye pse KPK e shkarkoi nga detyra prokurorin e Prokurorisë së Përgjithshme është edhe fakti se ai nuk ka deklaruar disa pasuri. “Subjekti ka pasur në pronësi dhe katër pasuri të tjera të shitura përkatësisht në vitet 2009, 2010, 2015 dhe 20187. Subjekti i ka marrë në dorëzim pasuritë duke u bërë posedues i të drejtave reale mbi to, që prej vitit 2009. Këto pasuri nuk janë deklaruar në deklarimet periodike për vitet 2009, 2010, 2011, 2012 dhe 2013. Deklarimi dhe përfitimi i të ardhurave nga shitja e dy prej pasurive, por edhe dhënia e katër prej tyre në huapërdorje, vërtetuar gjatë hetimit administrativ, janë fakte që tregojnë se subjekti nuk ka qenë thjesht posedues i tyre, por ka ushtruar të drejta reale të pronësisë”, thuhet në vendim.