Artistët dhe drejtues aktivitetesh kundër Ministrisë së Kulturës për financimet e projekteve këtë vit në art dhe kulturë. Artistët shprehen se zëri i tyre është injoruar nga Ministria e Kulturës ku këtë vit nuk ka gjetur mbështetje sa duhet jo vetëm krijimtaria muzikore, por dhe projektet me teatrin. Ministria shkruan se ishte kolegjiumi i Ministrisë së Kulturës që mori në shqyrtim rreth 300 projekt-propozime në art, kulturë dhe trashëgimi, nga të cilat përzgjodhi 151 projekte fituese. Në projektet që nuk gjeti mbështetje financiare këtë vit është dhe festivali ndërkombëtar “Pianodrom”. President i festivalit kompozitori Aleksandër Peçi shprehet se Ministria e Kulturës nuk denjoi të merrte parasysh vlerat e këtij projekti. “Festivalin më të rëndësishëm ndërkombëtar në muzikën bashkëkohore “Pianodrom” i vetmi që zhvillon kompozicionin shqiptar u bënë shumë vite, që nuk e mbështesin. “Pianodrom” në 6 vjet i ka dhënë kulturës 90 produksione dhe është i vetmi festival që zhvillon kompozicionin e muzikën shqiptare”, shprehet kompozitori Peçi. Më tej ai i drejtohet Ministrisë së Kulturës se nga 151 projekte, vetëm 10 përqind janë për muzikën në përgjithësi. “Në 151 projekte të miratuara nga Ministria e Kulturës më rezulton se janë vetëm 15 projekte të muzikës shifër kjo shumë e pakët, pra muzika zë në 151 projekte vetëm 10 përqind. Por skandali është se dhe në të 15 projektet muzikore asnjë s’ka karakter që të zhvillojë kompozicionin e krijimtarinë. Projektet janë të natyrave interpretative, që sigurisht duhen mbështetur, por nuk janë kreative që pasurojnë me vepra të reja muzikën shqiptare”, vijon kompozitori Peçi. Për pianisten Etrita Ibrahimi njëkohësisht dhe drejtoreshë artistike e “Pianodrom” është për të ardhur keq se si bëhet vlerësimi nga ministria. “Është vërtetë për të ardhur keq që muzika shqiptare nuk ka asnjë mbështetje nga shteti, që thotë se dëshiron të promovojë kulturën, por me sa duket jo muzikën; është për të ardhur keq që vetëm disa emra, janë pothuajse gjithmonë të privilegjuarit e komisionit gjykues, i cili, me sa duket, është gjithmonë i njëjti dhe shikon vetëm me “paraocchi, come i cavalli”, siç thonë bashkëkombësit e mi të dytë, italianët”, shprehet Ibrahimi mes të tjerave në statusin e saj në Facebook. Pianiste dhe pedagoge Merita Rexha Tërshana gjithashtu shkruan në Facebook se muzika klasike kërkon mbështetjen e ministrisë. “Më erdhi shumë keq që festivali “Pianodrom” nuk është në listën e projekteve që Ministria e Kulturës mbështet sivjet. Ky festival që me aq pasion organizohet nga prof. Aleksandër Peçi ka në qendër pianon, ka sjell në Tiranë emra të mëdhenj të artit, ka mbështetur pianistët e rinj, ka sjell shumë premiera veprash shqiptare dhe botërore. Kush më shumë se muzika klasike ka nevojë për mbështetjen e Ministrisë së Kulturës?”, shprehet pianistja.
Ministria të jetë në shërbim të artistëve
Ministria nuk bën me dije emrat se kush vlerësoi projektet dhe si u ndanë buxhetet, gjë e cila sipas artistëve tregon mungesë transparence. Sipas regjisores Elma Doresi Ministria e Kulturës po injoron artistët. “Zërat tonë dhe njëherë ranë në heshtje. Ministria e Kulturës duhet të jetë në shërbim të artistëve dhe jo duke i injoruar ata. Paguhen për këtë gjë. Vura re një mal projektesh mbi librin, dhe në mos gaboj vetëm 3 ishin nga teatri, dy prej tyre të përsëritur. Ende asnjë e dhënë mbi përzgjedhjen. Ende asnjë firmë mbi bordin përzgjedhës, asnjë zbardhje fondesh, asnjë kriter mbi fituesit. Ministria duhet të flasë, nuk duhet ta kalojë në heshtje. Pse vetëm tre projekte nga teatri? Këtë përgjigje duhet ta gjejë ministria si dhe gabimet e saj. Mos po largohen artistët nga konkurset e ministrisë? Përgjigje e cila i takon sërish ministrisë”, vijon regjisorja. Këtë vit ministria nuk mbështeti as Festivalin e Romancave dhe sipas kompozitorit Haig Zacharian nuk u morën parasysh vlerat që kanë projektet. “Nuk është një vendim i drejtë që Festivali i Romancave Shqiptare nuk gjeti mbështetje këtë vit. Është një zhgënjim i madh për të bërë një punë pa një interes personal. Edhe shumat që ne kërkojmë janë qesharake, por sërish pranojmë të punojmë duke parasysh shumë gjëra. Ishin 151 projekte dhe uroj të mos gaboj, por asnjë nuk është që mbështet krijimtarinë muzikore. Edhe ato që ka mbështet ministria janë festivale interpretuesish, përveç atij të Shkodrës që mund të ketë ndonjë krijimtari të re. Në ministri nuk ekziston transparenca me projektet, nuk ekziston shkaku pse nuk jemi financuar. Nëse ne mund të jemi gabim të korrigjojmë, por nuk dimë asgjë”, shprehet kompozitori. Në mbështetje të artistëve edhe piktori Robert Përmeti shprehet se transparenca është utopike në ministri. “Nëse qeveria nuk jep para nuk ka projekte. Në ministri nuk janë aty për të ndihmuar për të zhvilluar artin dhe kulturën. Transparenca është kaq utopike për ministrinë. Rrogat i marrin ata në ministri, dhe projektet japin te ata që njohin dhe pjesa tjetër as nuk mendohet. Në ministri nuk bëhet fjala për transparencë, injorim i zërit të artistëve”, shprehet Përmeti.
Nga Julia Vrapi