Pa kaluar 24 orë nga vetëdorëzimi i Ajaks Boshnjakut, 45-vjeçari ka dhënë dëshminë e tij përpara uniformave blu të kryeqytetit. Boshnjaku i shpallur në kërkim nga blutë e Tiranës për masakrën në bllok, mbrëmjen e 4 tetorit me një të vdekur dhe dy të plagosur, ka mohuar të ketë qenë pjesë e këtij konflikti, duke deklaruar përpara hetuesve se sapo kishte nisur konflikti ishte larguar nga lokali “Monopol”. Boshnjaku, i cili njihet si miku i Ervin Matës, ka thënë se ka qenë në lokal në fillim të sherrit dhe sa ka filluar përleshja ka dalë nga lokali. Gjithashtu ai ka shtuar përpara grupit hetimor se ka njohjen dhe me Elvis Martinajn. “U largova me shpejtësi nga lokali sapo nisi konflikti mes dy grupeve. Nuk kam asnjë lidhje, përveçse i njoh si Ervin Matën, po ashtu edhe Ervis Martinajt. U largova në fillim pasi u tremba se mund të ndodhte diçka tjetër. Unë nuk kam sulmuar askënd, as kam dijeni që aty do ndodhte një përplasje. U dorëzova pasi mora vesh që isha në kërkim. Kam qenë në dijeni të kësaj por kam qenë dhe i frikësuar, por nuk kam lidhje me këtë ngjarje”, ka thënë përpara grupit hetimor Ajaks Boshnjaku. Ajaks Boshnjaku ka hyrë në lokal sëbashku me grupin e Ervin Matës, gjithashtu në pamjet e publikuara dhe në media 45-vjeçari, ka dal nga lokali ku ndodhi krimi vetëm disa sekonda, pasi nisi konflikti. Nga hetimet rezulton se Boshnjaku ka qenë i pranishëm në lokal në momentin kur komandoja Meviol Bilo iu kundërpërgjigj sulmit me armë nga Fabian Gaxha, duke lënë të vrarë këtë të fundit dhe duke plagosur Ervis Martinajn e Elion Hato. 45-vjeçari, u vetëdorëzua mbrëmjen e së dielës në polici i shoqëruar nga avokati i tij mbrojtës, pasi gati prej një muaj ishte shpallur në kërkim nga policia. Urdhër arresti për të u firmos nga prokurorët Kreshnik Ajazi e Artan Lulo, pasi ka dyshime të jetë i përfshirë në krimin që tronditi kryeqytetin. Pritet që ditën e sotme Boshnjaku të dalë përpara togave të zeza për tu njohur me masën e sigurisë. Për ngjarjen e 4 tetorit në ish-Bllok, ku mbeti i vrarë Fabian Gaxha, janë arrestuar 3 të tjerë; Ervis Martinaj, Eljon Hato dhe Geldo Hoti. 36-vjeçari Martinaj akuzohet për veprën penale të vrasjes së mbetur në tentativë. Ndërsa në kërkim janë Ervin Mata, Fabio Allushi, Meviol Bilo.
Ngjarja
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 21:40, ku sipas policisë grupet janë përplasur fillimisht fizikisht me njëri-tjetrin, dhe më pas kanë përdorur armët. Fillimisht palët janë konfliktuar verbalist. Më pas mes tyre ka shpërthyer një konflikt fizik që në pak sekonda ka degjeneruar në përdorimin e armëve. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 4 tetorit në rrugën “Ibrahim Rugova”, në lokalin “Metropolitan”. Të arrestuarit dhe të shpallurit në kërkim janë konfliktuar në ambientet e brendshme të këtij lokali duke qëlluar me armë zjarri në drejtim të njëri-tjetrit, ku si pasojë e të shtënave, mbeti i vrarë shtetasi Fabian Gaxha, dhe u plagosën shtetasit Ervis Martinaj, dhe Eljon Hato, ky i fundit ndodhet ende në spital në gjendje të rëndë. Nga hetimet ka rezultuar se ka qenë efektivi i forcave komando, Merviol Bilo, ai i cili ka qëlluar në drejtim të tre të rinjve, duke lënë të vdekur në vend një prej tyre dhe plagosur dy të tjerët. Bilo ka qenë zyrtarisht i punësuar si badigard i këngëtares Elvana Gjata, të dashurës së Ervin Matës. Për këtë ka qenë në dijeni edhe reparti komando ku ai bën pjesë. Por hetimet janë duke vazhduar, deri në zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motiveve të ngjarjes që tronditi Tiranën mbrëmjen e 4 tetorit. Personat të cilët janë implikuar në ngjarje akuzohen për veprat penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese, kundër dy ose më shumë personave e kryer në bashkëpunim” dhe “Prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve dhe e municionit luftarak”. Sipas burimeve nga prokuroria e Tiranës, thonë se përcaktimi i roleve ka qenë i vështirë, për shkak se në ambientet e brendshme të lokalit, nuk ka pasur kamera sigurie. Në këto kushte, hetuesit kanë vëzhguar nëpërmjet kamerave në bizneset e tjera, hyrjet dhe daljet në orarin kur ka ndodhur ngjarja.
Elvis Myrta