Jeta artistike dhe teatrore ka jo pak probleme. Jo vetëm buxhetet e pakta për shfaqjet dhe qarkullimin e tyre në skena të ndryshme, por dhe mungesa e dramës shqipe shihet jo pak problem. Regjisorja Elma Doresi tregon se është një situatë, që për mungesën e veprave shqipe në skena përgjegjësia shkon jo vetëm te drejtuesit e teatrove, por dhe te regjisorët. Sipas saj ka dhe regjisorë që kanë frikë nga drama shqipe dhe u mungon guximi. Në intervistën për “SOT” regjisorja Elma Doresi që ka spikatur me shfaqjet teatrore në skena të teatrit tregon se problem mbetet dhe plagjiatura në teatër. Sipas saj kjo ndodh dhe askush nuk flet, sepse artistët janë të varur. Në lidhje me qëndrimin e Ministrisë së Kulturës ndaj teatrit, regjisorja Elma Doresi pohon se bëhet pak për të financuar projektet e pavarura. Sipas saj, buxhetet që jep ministria janë shumë të ulëta dhe mezi mbulohen shpenzimet për sallën ku do të jepet shfaqja dhe jo më të mendosh realizimin e saj. Për regjisoren Elma Doresi ka shumë probleme në teatro që sipas saj sjellin mungesën e disiplinës dhe të përgjegjësisë për çfarë ndodh.
-Me shfaqjen teatrore “Njeriu, që pa vdekjen me sy” do të jeni edhe në skenën rumune. Si vjen kjo pjesëmarrje?
Me sa duket skenat e huaja po na “përqafojnë” nga skenat tona, ku rëndomtë na “dëbojnë” (qesh). Është organizim i z. Fate Velaj. Në premierë kemi pasur diplomatë nga Rumania gjë që solli edhe këtë udhëtim drejt saj. Nuk është festival, por një Javë Kulturore e cila do të finalizohet me shfaqjen tonë. Nuk mund ta mohoj faktin që ndihem e privilegjuar për këtë pjesëmarrje si dhe faleminderit z. Fate Velaj për këtë mundësi, të cilën mezi presim të prekim një skenë të re dhe një publik ndryshe. Aty do të jetë prova jonë me madhe.
-Një shfaqje, që ju e keni vënë në skenë me trupën e Vlorës. Si regjisore çfarë kërkoni në ndihmë të aktivitetit artistik për teatrot në rrethe?
Kërkoj jo më shumë e jo më pak se qarkullimin e shfaqjeve, por jashtë kufijve tanë. Aty ku kritika dhe publiku nuk është xhaja/tezja/ apo halla apo më keq akoma një vartës, i cili medoemos do të hesht apo do të mbyll njërin sy se kështu ia do puna.
-Ka nisur sezoni i ri artistik, çfarë gjen problematikë këtë sezon të ri teatror?
Ndoshta duhet të presim të mbyllet sezoni për të dalë në rezultate apo për ti bërë një rezyme. Atë që uroj për sezonin që sapo kemi nisur është se: të jetë më i mirë nga ai që lamë pas, flas këtu në produksione. Të mos harrojmë që sezoni i kaluar ishte shumë i varfër, më i varfri i viteve të fundit.
-Në skenën e teatrit ju keni sjell vepra shqiptare, por vijon të pohohet se mungon në teatro. Për ju ku shkon përgjegjësia?
Përgjegjësia mbetet tek drejtuesit dhe regjisorët. Autorë ka, ata shkruajnë, mirë apo keq ka komisione që nxjerrin përfundimet, ama shkruhet! Teatri i Metropolit po vijon me një festival kushtuar dramës shqipe. Ndërkohë kemi një Teatër Kombëtar, i cili këtë vit qëndron larg “Netëve të leximit të dramës shqipe”, arsye të cilat ende si kam të qarta. Kam kontaktuar me shumë të rinj, të cilët kanë shkruar dhe autor me përvojë të cilët presin që dikush ti lexoj. Regjisorët nga ana tjetër kanë frikë nga drama shqipe. U mungon guximi.
-Po Ministria e Kulturës sipas teje sa ka bërë për teatrin? Çfarë ka munguar në politikat e saj?
Ministria ka bërë një të mirë vjen përherë në shfaqje. Ama kaq! Sa i përket teatrit kam vënë re një lloj qëndrimi të largët prej tyre. Nëse një opera apo një piktor ka dal jashtë kufijve tanë të gjithë e kemi parë mbështetjen nga ministria, qoftë edhe në mbështetje në rrjete sociale. Kjo gjë ka munguar tek teatri. Kam ndjekur znj. ministre në parlament, dhe më ka pëlqyer që këto kohë ka bërë reklamë për shfaqjet. Sa mirë do kishte qenë të kishte bërë diçka të tillë kur ikëm në Kinë, por jo! Heshtje nga një institucion, që duhet të flas.
-Artistët pohojnë se jepen pak buxhete për projektet e shfaqjeve të teatrit nga ministria. Si ndikon kjo te një shfaqje për ta sjell në skenën teatrore?
Kam dashur njëherë të aplikoj dhe kur dëgjova shumën ishte fyese dhe i anullova. Ajo që më habit nuk është ministria, por kolegët që shkojnë e aplikojnë për shuma aq te mjera. Duhet urgjentisht të ndryshojnë shifrat. Buxheti që ata japin as sallën nuk mbulon e jo më të realizosh një shfaqje.
-Ka pasur zëra artistësh, që janë shprehur se 70 përqind e produktit teatror është mediokër në skena. Edhe ju më parë reaguat për këtë problem. Sipas jush çfarë duhet bërë, dhe ku shkon përgjegjësia?
Unë nuk mund ti quaj mediokër, nuk do guxoja. Sepse mirë apo keq aty është hedhur punë dhe mund. Unë mendoj se gjykimi nuk duhet nisur tek regjisorët apo aktorët, por tek ai që i përzgjedh! Ai ose ata duhet të mbajnë përgjegjësi.
-Jeni shprehur më parë se ka humbur disiplina në teatro. Pse?
Fatkeqësisht po. Lufta bëhet në fillim: Sa të fitoj projektin apo sa të marr rolin, dhe më pas fatkeqësisht dëshira humb gjatë rrugës dhe nga: “Ti do ta shohësh se çfarë roli do të bëj” përfundon me fjalinë e rëndomtë: “Hajde ta heqim qafe”. Shfaqja dhe roli kërkojnë mund, kërkojnë punë, kërkojnë krijimtari gjë që e gjen tek disa persona të paktë. Ka shumë probleme të cilat nuk janë etike ti përmend këtu, por që fatkeqësisht sjellin atë mungesën e disiplinës dhe përgjegjësisë.
-Problem sipas jush mbetet dhe plagjiatura në teatër. Çfarë po ndodh?
Ndodh dhe kjo rëndomtë dhe askush nuk flet. Skenografi e kostumografi të tjetërkujt, të cilat ia bashkangjisin produksioneve të tyre. Tmerr! Koncepte të tjetërkujt, turp! Ndodh e gjitha nga heshtja. Ne heshtim, sepse jemi të varur ja përse. Unë do të hesht se do më duhet të marr një projekt. Ajo do të heshti, sepse do të marri një rol, ai tjetri një skenë e kështu me rradhë. Do të na “njihni” kur e drejta autorit të zbatohet vërtetë, atëherë “hov të të shoh” do të jetë shprehja. Aty do të dalim të gjithë zbuluar, ne “Mjeshtrat e skenës”.
-U zhvillua festivali mbarëkombëtar i teatrit. Për ju çfarë solli?
Nuk e ndoqa. Ama lexova një shkrim ku thuhej se regji kishte, por nuk kishte aktor. Me të drejtë thashë: atëherë pse u dhanë disa çmime si shfaqja më e mirë? Unë di që një çmim i tillë duhet të plotësojë të gjitha hallkat për të qenë e tillë. Ndërsa Teatrit Kombëtar i them vetëm mot më mirë.
-Artistët pohojnë se festivali duhet të vijoje traditën dhe i kërkuan Ministrisë së Kulturës, që të jetë një projekt që të mbështet?
Jam me kolegët e mi. Padiskutim, që duhet të vazhdoj tradita. Është festë për artistët. Kanë mundësi njohjeje dhe ballafaqimi me njëri -tjetrin.
-Vijon të mbetet problem mosqarkullimi i veprave teatrore në skena të ndryshme. Pohohet nga mungesë buxhetesh, si ndikon kjo çfarë duhet bërë?
Ndikon aq sa një shfaqje: Vdes! Në plot kuptimi e fjalës. Jashtë apo qoftë dhe në festivalin e Butrintit kemi ndeshur jo pak raste të shohim shfaqje, që kanë 10 vite në repertor, ndërsa tek ne na duhet të krijojmë shfaqje çdo tre muaj. E përse? Pa marr ende benefitet e njërës kalojmë tek tjetra. Sepse mungon buxheti, mungon mbështetja, mungon dashamirësia, etj.
-Në aktivitetin tuaj artistik, ku jeni përqendruar këto kohë?
Unë vazhdoj lexoj e mbaj shënime konceptet e mija. Natyrisht do kisha dashur që ato koncepte mos të shkruheshin në letra, por të realizoheshin në skenë, por ende dhe sot askush dhe asnjë institucion nuk po flet për regjisoren, e cila u hoq me alogjizma, sepse kështu na e donte puna dhe u dërgua as më shumë e as më pak se në shtëpi.
Intervistoi: Julia Vrapi