Qytetarët kanë dorëzuar pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit me mijëra dosje sa i takon aferave të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Gazeta ka siguruar të dhënat më të fundit nga ana e KPK, nga ku rezulton se janë bërë 1.688 denoncime nga ana e qytetarëve pranë këtij organi. Edhe pse në fillim qytetarët shprehën skepticizëm në lidhje me ecurinë që do kishte reforma në drejtësi, pasi gjatë muajit tetor 2017 u bënë vetëm dy denoncime, numri tyre filloj të rritej nga dita në ditë. Pas thirrjes së KPK, e cila inkurajoi qytetarët përmes formularit të denoncimeve që të depozitonin prova për të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar, numri i denoncimeve filloi të rritej ndjeshëm. Kështu, sipas të dhënave të siguruara nga gazeta, gjatë muajit nëntor 2017 numri i denoncimeve u rrit në 112 dhe në dhjetor akoma më shumë pasi numri qytetarëve që denonconin aferat e gjyqtarëve dhe prokurorëve shkoi në 321. Një detaj ky që tregon se qytetarët kanë rritur besimin akoma më shumë tek reforma në drejtësi.
“Bum” denoncimesh gjatë muajve të verës
Por krahas kësaj, numri i qytetarëve që kanë depozituar prova pranë KPK, edhe gjatë 2018-ës, ka ardhur gjithmonë në rritje. Sipas të dhënave të KPK, gjatë muajit janar u bënë 187 ankesa në drejtim të prokurorëve dhe gjyqtarëve, ndërsa në shkurt 134. Por krahas këtyre muajve, gjatë marsit pati një ulje të ndjeshme denoncimesh pasi numri u ul në 115. Ndërsa në muajin prill pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, numri i denoncimeve ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve arrit në 146. Por efektet e procesit të vetingut gjatë periudhës maj, nga ku u shkarkuan një sërë gjyqtarësh dhe prokurorësh, duket se ndikuan që qytetarët të rrisnin ndjeshëm besimin tek KPK. Gjatë muajit maj numri i denoncimeve arriti në 171 dhe në qershor në 170. Por krahas kësaj numri i qytetarëve që denoncojnë aferat e gjyqtarëve dhe prokurorëve u rrit akoma më shumë gjatë muajve të nxehtë të verës. Përgjatë korrikut numri i qytetarëve që depozituan denoncime pranë KPK arriti në 224. Ndërsa gjatë muajit gusht, muaj ky kur KPK ndërpreu dhe aktivitetin e saj për shkak të pushimeve, numri i denoncimeve arriti në 106. Pra detaj ky që tregon se qytetarët kanë rritur besimin tek KPK dhe presin që të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar të shkarkohen nga detyra dhe të mbajnë përgjegjësi për të gjitha aferat që kanë bërë.
KPK refuzon shumicën e denoncimeve
Por edhe pse në drejtim të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit janë bërë përgjatë 11 muajve 1.688 denoncime nga ana e qytetarëve në drejtim të gjyqtarëve dhe prokurorëve, shumica e tyre nuk janë marrë parasysh. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka argumentuar në vendimet e publikuara të subjekteve të rivlerësimit se edhe pse ndaj gjyqtarëve apo prokurorëve ka pasur denoncime të shumta ato nuk janë marrë parasysh se nuk kanë pasur prova bindëse. Kjo për faktin se shumica e qytetarëve kanë depozituar pranë KPK, vendimet e gjykatave apo çështjeve të ndryshme penale dhe jo prova që tregojnë lidhjen e prokurorëve dhe gjyqtarëve me krimin apo duke marrë ryshfet nga ana e personave të ndryshëm. Pikërisht kjo gjë ka bërë që KPK të rrëzojë një pjesë të denoncimeve dhe të fokusohet vetëm tek ato ku paraqiten prova bindëse./Endri ARIZI.Sot News/