“Il Trovatore” kryevepra e Verdit në dhjetor në Opera,në skenë dhe tenori Josif Gjipali e mezzosoprano Enkeleida Shkoza

0
21

Nga Julia Vrapi

Historia e operës “Il Trovatore” vjen këtë sezon artistik. Kryevepra e kompozitorit Giuseppe Verdi që njihet për meloditë e fuqishme, dramatikën e thellë dhe kërkesat vokale të larta vjen në skenë në muajin dhjetor në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. “Il Trovatore”, kryevepra botërore e  Verdit, rikthehet në skenën tonë me një produksion të ri, që mban firmën e regjisorit Roberto Catalani, realizuar nga Teatro “Amilcare Ponchielli” i Cremonës në Itali. Në mbrëmjet e dhjetorit, muzika, drama dhe pasioni verdian bashkohen në një shfaqje, që shënon edhe një nga momentet e veçanta të kalendarit artistik këtë muaj. Opera “Il Trovatore” ka mbetur një prej veprave më të interpretuara në skenat e mëdha botërore, jo vetëm për shkak të melodive të paharrueshme, por edhe për shkak të dramës së saj të fuqishme. Një vepër që trondit dhe prek njësoj dhe sot. Në skenë për këtë shfaqje operistike do të jenë solistë të njohur të Operës, por dhe të tjerë që kanë vijuar aktivitetin e tyre dhe në skenat ndërkombëtare. Tenori Josif Gjipali, mezzosoprano Enkeleida Shkoza apo dhe sopranot Eva Golemi dhe Ramona Tullumani janë vetëm disa prej tyre, që do të jenë në skenë në muajin dhjetor në kryeveprën e Verdit.

Në një material rreth artistëve, sipas teatrit mezzosoprano Enkeleida Shkoza debuton për herë të parë në Shqipëri në një produksion operistik. “Pas 24 vitesh mungesë, rikthehet në skenën shqiptare tenori ynë i mirënjohur me karrierë ndërkombëtare në skenat më prestigjioze të botës, Josif Gjipali. Për herë të parë në Shqipëri, në një produksion operistik, debuton në skenën e TKOBAP-së mezzosoprano shqiptare me famë ndërkombëtare Enkeleida Shkoza, në rolin dramatik të Azucenës. Roli i Conte di Luna interpretohet nga baritoni Ankhbayar Enkhbold dhe baritoni i mirënjohur i teatrit, Armando Likaj. Në rolin e Leonorës, skenën e ndajnë sopranot e mirënjohura Eva Golemi dhe në kastin e dytë Ramona Tullumani. Rolin e Azucenës në kastin e dytë e luan mezzosopranoja e teatrit Ivana Hoxha, ndërsa roli i Manricos vjen në kastin e dytë nga tenori Amadi Lagha. Rolin e Ferrandos e sjell në skenë Bledar Domi. Ines interpretohet nga Suada Gjergji dhe Greis Shametaj, ndërsa roli i Ruiz ndahet mes Matias Xhelit dhe Redon Sinellës”, thuhet nga teatri ndër të tjera. Orkestra Simfonike e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit është nën drejtimin e dirigjentit Andrea Solinas dhe dirigjent i korit është Dritan Lumshi. Vepra operistike do të jetë në skenë në mbrëmjet e datave 11, 12 dhe 13 dhjetor në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Skenograf  Emanuele Sinisi, kostumografe Ilaria Ariemme, koncertmaestër produksioni Herta Cane, Igli Rapaj, koncert maestër kori Ingrid Pulizo, mjeshtre grimi e paruke Bebeka Alla.

 Vepra këtë sezon artistik

Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit po i afrohet një prej ngjarjeve më të rëndësishme të sezonit artistik, premierës së operës “Il Trovatore”. Në operën “Il Trovatore” ngjarjet ndodhin në Spanjë, në fillimin e shekullit XV-të, ku komandanti i trupave mbretërore të Aragonit, Konti di Luna është i dashuruar me Leonorën, një fisnike e re në shërbim të mbretëreshës, e cila nuk ia kthen dashurinë. Ndërsa, jashtë rezidencës mbretërore, ushtarët e tij e ruajnë gjatë tërë natës atë. “Il Trovatore” opera e kompozitorit Giuseppe Verdi u shfaq për herë të parë në 19 janar të vitit 1853 në Teatrin Apollo të Romës. Së bashku me “Rigoletto” e “La Traviata ”, kjo opera bën pjesë në të ashtuquajturën triologjia popullore verdiane. Libreti në katër akte është marrë nga drama “El trovador” e autorit Antonio Garcia Gutierrez. Në një material të TKOB në 2019, thuhej se ishte vetë Verdi, që pati idenë të nxirrte një opera nga një vepër e Gutierrez, duke ia besuar Salvadore Cammarano-s përpunimin e libretit. “Poeti napolitan vdiq papritur në 1852, sapo përfundoi libretin dhe Verdi, që dëshironte të bënte disa shtesa apo modifikime të vogla, u detyrua të kërkonte ndërhyrjen e një bashkëpunëtori të të ndjerit Cammarano, Leone Emanuele Bardare. Vetë Verdi, veç të tjerash, ndërhyri personalisht në vargjet finale, duke i shkurtuar. Shfaqja e parë qe një sukses i madh: siç shkruan në kronikën e kohës Julian Budden. Me asnjë nga veprat e tij, madje as me “Nabucco”, Verdi nuk arriti të prekë kaq shpejt zemrën e publikut”, thuhet rreth veprës. Opera “Il Trovatore” është vënë dhe më parë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë, ndërsa këtë dhjetor vjen për publikun si një produksion i ri.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here