Nga Rron S. Shkambori
Dodona, vendi i shenjtë i Zeusit Pellazgjik, ka mbetur një mister i madh historik dhe arkeologjik. Ndërsa shumë historianë kanë pranuar teorinë se Dodona ndodhet pranë Janinës, një analizë më e thellë e burimeve antike dhe e gjurmëve arkeologjike tregon se vendndodhja e saj e vërtetë është mali i shenjtë i Tomorrit në Shqipëri.
Herodoti na rrëfen se një pëllumb i zi u ul mbi një lis dhe nisi të fliste me njerëzit, duke urdhëruar ndërtimin e orakullit. Por përse të besojmë se ky lis mitik ndodhet në Janinë, kur vetë Homeri e përshkruan Dodonën si një vend të ftohtë dhe të dimërkët? Janina nuk përmbush këto kritere klimatike, ndërsa Tomorri, me majat e tij të mbuluara me borë për shumicën e vitit, është përkufizimi i kësaj Dodone “dimërkeqe”.
Gjurmët ciklopike të gjetura në fshatrat Tomorr, Fushë-Peshtan, Selan, Vlushe dhe Leshnjë dëshmojnë për një civilizim të lashtë dhe të fuqishëm, shumë më të hershëm se periudha helene. Këto janë mure të ndërtuara nga pellazgët, populli i parë i këtyre trojeve, të cilët e adhuronin Zeusin në formën më të pastër. Për më tepër, Straboni dhe Pindari na tregojnë se Dodona ishte epiqendra shpirtërore e pellazgëve, dhe ku tjetër mund të ketë qenë kjo, nëse jo në malin që ende njihet si “shenjtëria e shqiptarëve”?
Nëse pranojmë teorinë e një Dodone të Janinës, atëherë si shpjegohen toponimet e shumta me emrin “Dodona” ose në Tomorr apo Kamnik në Shqipëri? A nuk është më logjike të mendojmë se Dodona e vërtetë ndodhet në Tomorr, ndërsa të tjerat janë bijat e saj të mëvonshme?
Është koha që historia të rishkruhet dhe të pranojmë se Dodona e parë dhe më e rëndësishme, orakulli i madh i pellazgëve, qëndron në Tomorr. Ndërsa vendet e tjera si ai në Janinë ose Kamnik të Kolonjës mund të jenë vetëm kopje të vonshme, hija e një qytetërimi madhështor që kishte qendrën e tij në zemrën e Shqipërisë.