Rigels Seliman
Brukseli ka shprehur shqetësim të thellë për paktin mes Ramës dhe Berishës sa i takon amnistisë penale, e cili i hapi rrugë lirimit nga burgu të disa zyrtarëve të lartë të akuzuar për korrupsion dhe pastrim parash nga Prokuroria e Posaçme (SPAK). Gazeta “SOT” ka siguruar progres raportin e Bashkimit Evropian për vitin 2024, ku thuhet se Shqipëria ka bërë progres në luftën kundër korrupsionit, por Brukseli ngre shqetësim për amnistinë penale, e cila u votua në prill të këtij viti me 110 votat pro të socialistëve të kryeministrit Edi Rama dhe deputetëve opozitarë të Rithemelimit të Sali Berishës. Pazari mes PS dhe PD për amnistinë penale, përveçse liroi nga burgu të korruptuarit, nxori jashtë loje edhe SPAK dhe “minoi” Reformën në Drejtësi.
Kështu që përballë kësaj situate delikate, BE ka reaguar ashpër dhe ngritur alarmin, teksa i ka dhënë një “shuplakë” të fortë binomit Rama-Berisha. Në progres raportin e bërë publik nga Komisioni Europian thuhet se nga pakti Berisha-Rama përfituan 105 të dënuar nga Gjykata e Posaçme (GJKKO). Madje me tone kritike, BE thekson se Shqipëria duhet të abstenojë çdo veprim, përfshirë edhe amnistinë, nëse ka ndikim negativ në luftën e SPAK kundër korrupsionit. “Në prill të vitit 2024, Shqipëria miratoi një ligj që u jep amnisti rreth 700 të burgosurve dhe ul dënimin e mbi 400 individëve, përfshirë zyrtarë të nivelit të mesëm, nënkryetarë bashkie dhe sekretarë të përgjithshëm të dënuar për korrupsion.
Gjithsej 40 persona të dënuar nga gjykatat e SPAK-ut morën falje të plotë dhe 65 personave iu reduktuan dënimet sipas këtij ligji. Gjithashtu, 12 persona nën mandatin e SPAK kanë përfituar nga amnistia për ndjekjen penale dhe çështja e tyre është pushuar. Shqipëria duhet të abstenojë nga çdo veprim, përfshirë legjislacionin e amnistisë, i cili ka një ndikim negativ në luftën e SPAK-ut kundër korrupsionit. Numri i raporteve të sinjalizuesve mbetet i ulët. Gjatë vitit 2023, ILDKPKI ka shqyrtuar 13 denoncime të reja dhe një kërkesë për mbrojtje kundër hakmarrjes, si dhe është vendosur gjobë administrative në 11 raste. Perceptimi tek publiku, ekspertët dhe bizneset është se ka një nivel të lartë korrupsioni në sektorin publik. Ky perceptim ka mbetur relativisht i qëndrueshëm në vitet e fundit”, thuhet në progres raport.
Reagon Basha
Por sa i takon pazarit Rama-Berisha dhe progres-raportit të BE-së, i cili ndër të tjera theksonte se bashkimi i votave për amnistinë penale, ndikoi negativisht në punën e institucioneve të drejtësisë, ka reaguar dje edhe kreu i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha. Përmes një statusi në rrjetet sociale, Basha shprehet se u vërtetua edhe njëherë ajo që kishin paralajmëruar demokratët euroatlantikë, që “bashkimi i votave të Edi Ramës me Sali Berishën ishte kundër SPAK dhe GJKKO”.
Ai më tej thotë se “kokat që kërkojnë të mbajnë gjallë pandëshkueshmërinë, po punojnë për të mbrojtur veten dhe shërbëtorët e tyre nga ndëshkimi”. “Ashtu siç kishim paralajmëruar, amnistimi i të korruptuarve nga bashkimi i votave mes Edi Ramës dhe Sali Berishës nuk ishte vetëm një shqetësim i drejtë i ngritur nga Demokratët Euroatlantikë, por edhe një kambanë e fortë alarmi për Bashkimin Europian. Raport progresi i BE-së pohon qartë se ai bashkim votash kundër punës së institucioneve të drejtësisë ndikon negativisht luftën e SPAK kundër korrupsionit. Kokat që kërkojnë të mbajnë gjallë pandëshkueshmërinë dhe bishtat e tyre që gënjyen paturpësisht, duke deklaruar publikisht se nuk do të amnistoheshin të ndëshkuarit nga GJKKO, janë ekspozuar edhe njëherë se po punojnë për të mbrojtur veten dhe shërbëtorët e tyre nga drejtësia.
Ky raport progres është edhe një paralajmërim për ndalimin e menjëhershëm e planeve të fshehta të Trekëndëshit të Bermudës për të ndërhyrë në punët e SPAK dhe GJKKO përmes një amnistie të re, që pas amnistimit të “ushtarëve” synon amnistimin e korrupsionit të “kryetarëve”. Frika e një grushti të vogël njerëzish nga e shkuara e tyre, nuk duhet të pengojë të ardhmen europiane të vendit dhe çlirimin e potencialit të jashtëzakonshëm të shqiptarëve, të penguar kaq gjatë nga korrupsioni i kudondodhur. Kushdo që me naivitet, apo mirëbesim u bë pjesë i atij votimi të turpshëm, sot ka mundësinë të distancohet dhe t’i kërkojë ndjesë qytetarëve. Rruga e shqiptarëve drejt Bashkimit Europian kalon përmes fundit të pandëshkueshmërisë”, shkroi dje Basha.
KE mesazh Shqipërisë
Ndërkohë bëjmë me dije se Komisioni Europian ka publikuar raportin me rekomandime për përmirësimin e disa fushave në Shqipëri, si dhe vlerësime për arritjet në reforma të rëndësishme. Raporti thekson angazhimin e vendit për anëtarësimin në Bashkimin Europian dhe progresin në reforma si ajo e drejtësisë dhe procesi i vetingut. Në raport, Komisioni përshëndet hapjen e negociatave mbi grupin themelor gjatë konferencës së dytë ndërqeveritare të mbajtur më 15 tetor, duke e konsideruar këtë ngjarje një moment kyç në rrugën drejt anëtarësimit. Megjithatë, ndër të tjera raporti bën thirrje për intensifikimin e reformave në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke theksuar rëndësinë e këtyre përpjekjeve për të avancuar në procesin e integrimit evropian.
Pjesë nga progres raporti i BE-së për Shqipërinë:
Shqipëria është mesatarisht e përgatitur në përafrimin me acquis të BE-së në fushën e drejtësisë, lirisë dhe sigurisë. Njëfarë progresi është bërë në luftën kundër krimit të organizuar duke rritur kapacitetet e Strukturave të Specializuara Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), duke përmirësuar përdorimin e hetimeve financiare dhe duke ndryshuar legjislacionin për substancat psikoaktive. Nevojiten veprime të mëtejshme për të forcuar kapacitetet e zbatimit të ligjit dhe për të përmirësuar efikasitetin e hetimeve. Është arritur njëfarë progresi në fushën e migracionit me miratimin e strategjisë së re të migracionit në përputhje me prioritetet e BE-së. Nevojiten përpjekje të mëtejshme për të përmirësuar aksesin në azil dhe për të përafruar politikën e vizave të vendit me atë të BE-së. Rekomandimet e Komisionit nga viti i kaluar janë zbatuar pjesërisht dhe mbeten kryesisht të vlefshme. Në vitin e ardhshëm, Shqipëria duhet të:
→ të vazhdojë zhvillimin e përdorimit sistematik të hetimeve financiare paralele kur kemi të bëjmë me krim të rëndë dhe të organizuar, trafikim të paligjshëm, terrorizëm dhe pastrim parash;
→ miratimi i kuadrit ligjor për ngritjen e një observatori kombëtar të drogës dhe një sistemi kombëtar të paralajmërimit të hershëm për zbulimin e substancave të reja psikoaktive;
→ përmirësoni sistemin e referimit të azilit dhe aksesin në procedurat e azilit, përmirësoni procedurat e kthimit, vazhdoni të trajtoni çështjen e kërkesave të pabazuara për azil në Shengen dhe vendet e lidhura dhe përafroni më tej politikën e vizave të vendit me atë të BE-së.
Lufta kundër krimit të organizuar
Shqipëria është mes përgatitjes së një niveli të caktuar dhe të moderuar në përafrimin me acquis të BE-së në këtë fushë. Është bërë njëfarë progresi në përmbushjen e rekomandimeve të vitit të kaluar duke rritur kapacitetin e SPAK-ut në hetimet financiare (me akses të përmirësuar në bazat e të dhënave), duke forcuar luftën kundër pastrimit të parave dhe sekuestrimin e aseteve të lidhura me krimin e organizuar. Shqipëria duhet të vazhdojë të punojë për të siguruar pavarësinë e agjencive të saj të zbatimit të ligjit.
Rekomandimet e Komisionit nga viti i kaluar janë zbatuar pjesërisht dhe mbeten kryesisht të vlefshme. Në vitin e ardhshëm, Shqipëria duhet të:
→ të forcojë më tej luftën kundër krimit të organizuar, duke përfshirë bashkëpunimin e vazhdueshëm me Shtetet Anëtare të BE-së dhe agjencitë e BE-së (përfshirë Europolin, në kuadrin e Platformës Multidisiplinare Evropiane kundër Kërcënimeve Kriminale (EMPACT) dhe Eurojust), të rrisë kapacitetin për të luftuar krimin kibernetik dhe paratë pastrimi, dhe parandalimi dhe lufta kundër trafikimit të qenieve njerëzore;
→ ngritja e një zyre të rikuperimit të aseteve e ngarkuar me identifikimin dhe gjurmimin e aseteve kriminale në mënyrë që të rrisë efektivitetin e sistemit kombëtar të rikuperimit të aseteve dhe të lehtësojë bashkëpunimin operacional me zyrat e rikuperimit të aseteve në shtetet anëtare të BE-së pa vonesë, në përputhje me BE-në acquis;
→ përmirësimi i sistemeve dhe metodologjive të analizës kriminale për zgjidhjen e çështjeve komplekse kriminale.