Nis restaurimi i ikonave “Shën Mëria” dhe “Krishti” që janë pjesë e fondit të DRTK Berat

0
25

Julia Vrapi

Restaurimi i ikonave “Shën Mëria” dhe “Krishti” po kryhet në Laboratorin e Restaurimit të Veprave të Artit në Drejtorinë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Berat. Puna restauruese me këto dy ikona vjen në vijim dhe të atyre më parë, që janë kryer nga restauratorët e DRTK-Berat. Ikona “Shën Mëria” e gjetur në kishën e Shën Gjergjit në fshatin Libofsh të qarkut Fier është me autorë vëllezërit Çetiri. Edhe ikona “Krishti” e gjetur po në fshatin Libofsh është me autorë vëllezërit Çetiri. Ndërsa puna me dy ikonat po vijon, Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Berat thotë se procesi i ndërhyrjes në këto dy vepra me autorë vëllezërit Çetiri do të kalkojë nëpër disa faza.

“Të dy ikonat që po i nënshtrohen këtij restaurimi janë pjese e fondit të ikonave të drejtorisë dhe ndërhyrjet po kryhen nga restauratorët e DRTK-Berat. Procesi i ndërhyrjes restauruese do të kalojë nëpër këto faza: Konsolidimi i pikturës së ikonës, dizinfektim, pastrim,rivendosje vernikut për mbrojtjen e pikturës së ikonës”, thuhet nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Berat.

Vëllezërit Çetiri ishin një grup piktorësh ikonash dhe afreskesh, të cilët për rreth 100 vjet (1762-1853) pikturuan kisha. Vepra e tyre, nga pikëpamja sasiore është madhështore, dhe përmbledh ikona kishtare, dekorime tempujsh dhe ikonostase druri të pikturuara. Mjeshtrat Çetiri realizuan pikturimin e shumë kishave dhe ikonostaseve në Berat dhe Myzeqe, ashtu si dhe në vendlindjen e tyre Grabovë. Këta mjeshtra pikturuan në të njëjtën atelie së bashku, duke e trashëguar mjeshtërinë në breza të tjerë.

Ikona që janë restauruar më parë

Specialistët e restaurimit në DRTK-Berat këtë muaj më parë përfunduan punën për shpëtimin nga degradimi të dy thesareve të trashëgimisë kulturore. Ikona “Shën Gjergji” me prejardhje nga kisha “Lindja e Shën Mërisë”, Vokopolë, autori anonim dhe ikona “Shën Gjergji dhe Shën Mitri” me prejardhje nga kisha “Profet Ilia” Berat, autori anonim u restauruan. Këto ikona janë pjesë e fondit të DRTK-Berat. Ndër ikonat e tjera që janë restauruar më parë pranë Laboratorit të Restaurimit të Veprave të Artit në Berat përmendim edhe restaurimin e ikonës “Joan Pagëzori”. apo dhe ikona “Shën e Premtja me 4 shenjtorë”.

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Berat (DRTK ) është institucion rajonal i specializuar, tekniko-administrativ buxhetor, në varësi të ministrit përgjegjës për trashëgiminë kulturore dhe ushtron veprimtarinë e saj në fushën e trashëgimisë kulturore, me seli në Berat. DRTK Berat ka për mision ruajtjen, mbrojtjen, mirëmbajtjen, konservimin dhe restaurimin e monumenteve të kulturës si edhe promovimi i vlerave të trashëgimisë kulturore materiale dhe jomateriale në territorin administrativ nën juridiksionin e saj.

Drejtorinë Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Berat monitoron dhe administron qendrën historike Berat, si pjesë e listës së trashëgimisë botërore të UNESCO-s. Specialistët e drejtorisë hartojnë projekte konservimi, restaurimi, vlerësimi, projekte të tjera në fushën e trashëgimisë kulturore dhe bashkërendon punën për zbatimin e tyre në nivel rajonal e vendor.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here