“Pikë uji” një histori dramatike që na përball me problematika të shoqërisë që po jetojmë

0
49

Nga Julia Vrapi

“Pikë uji” filmi më i ri i regjisorit Robert Budina një histori dramatike, që na përball me problematika të shoqërisë që po jetojmë. Me një kast të zgjedhur aktorësh, nga 12 shtatori filmi shënon premierën në ekranin e madh të kinemasë. Filmi me metrazh të gjatë “Pikë uji” me një subjekt që ka në qendër një histori të errët përdhunimi e përmes saj shpalos dhjetra plagë të shoqërisë shqiptare u prezantua të hënën para mediave. Një ditë më parë regjisori Robert Budina dhe producentja Sabina Kodra folën për punën me filmin, realizimin e tij dhe çfarë i përcjell publikut përmes ngjarjeve. Duke treguar për filmin e tij, regjisori Budina tha se arti është mënyra më e mirë për ti thënë gjërat.

“Jemi përpjekur të prekim shpirtra, shpresoj t’ia kemi arritur. Të gjithë krijuesit të kenë më shumë kurajo të flasin me këtë gjuhë arti. Artë është mënyra më e mirë për t’i thënë gjërat. E ftoj publikun të vijë ta shohë”, tha regjisori i njohur Robert Budina. “Pikë uji” vjen me një histori dramatike, ku skenari është shkruar nga Robert Budina, Doruntina Basha, Ajola Daja. Krimi, politika dhe pushteti takohen në një histori, ku në krizë është edhe familja. Aida, personazhi kryesor në “Pikë uji”, një funksionare e rëndësishme në bashkinë e qytetit, përpiqet me çdo mënyrë të gjejë një rrugëdalje nga korridoret e errëta të pushtetit ku është ngërthyer, për të mbrojtur djalin e saj Markun, nga krimi që ai akuzohet se ka kryer, përdhunimi i një të miture. Çfarë mund të bëjë një nënë për të mbrojtur fëmijën e saj pavarësisht përmasave të krimit të kryer, fajit, paragjykimeve e gjykimeve?

Si përballet ajo me sistemin e inkriminuar, për të cilin ajo vetë ka kontribuar për ta kthyer në një monstër që nuk kursen askënd? A mund të bëhet një nënë avokati i djallit, kur ky i fundit është djali i saj? Gjatë rrugës për të ngjitur sa më lart shkallët e pushtetit, ajo ka sakrifikuar gjithçka, por kur fillon tatëpjeta ajo do të njohë fuqinë e së keqes, shantazhit, korrupsionit, urrejtjes. Regjisori Robert Budina tha se ky film është një lloj reflektimi për gjithë ç’ka përjetuar si individ dhe si artist në raport me zhvillimet shoqërore të këtyre viteve. “Nuk jemi përpjekur të bëjmë aspak moral, por ti thërrasim ndërgjegjes së shoqërisë tonë dhe ne si shoqëri kemi probleme të mëdha në mënyrën si raportohemi me të vërtetën”, tha Budina ndër të tjera. Filmi “Pikë uji” është një bashkëprodhim mes pesë vendesh. Një projekt që ka bërë bashkë artistë të njohur, ku producentja Sabina Kodra thotë se filmi i flet audiencës shqiptare. “Filmi një ftesë për një drejtësi universale, për të parë disa të vërtetat tona”, thotë producentja Kodra.

Puna për kastin e aktorëve

Në rolet e filmit “Pikë uji”, regjisori Robert Budina ka mbledhur një kast aktorësh që sjellin karaktere të ndërlikuara dhe plot emocion. Producentja Sabina Kodra tha se puna për kastin e aktorëve ka vijuar për disa muaj. “Kasti i aktorëve ka zgjatur thuajse një vit. Ne nuk kënaqeshim kollaj, kemi kaluar nga audicioni në audicion. Për kastin kryesor dhe Z-studio na ka ndihmuar”, tha ajo. Në rolet kryesore janë Arben Bajraktari dhe Gresa Pallaska. Gresa Pallaska, një nga aktoret më të dashura për publikun mbarëshqiptar, interpreton rolin e Aidës, ndërsa Arben Bajraktaraj, aktor shqiptar me famë botërore që jeton dhe zhvillon aktivitetin e tij teatral dhe filmik në Paris, luan rolin e Ilirit.

Adem Karaga, një aktor shqiptar shumëdimensional nga Maqedonia e Veriut, interpreton Elvisin, ndërsa Gerhard Koloneci, një aktor që ka filluar të luajë role të rëndësishme në kinemanë italiane, luan rolin e Benit. Në film interpretojnë gjithashtu Klodjana Keco, një aktore shqiptare që zhvillon aktivitetin e saj artistik në New York, e cila ka sjellë një rol tronditës në këtë film, dhe talentet e reja natyrale si Paolo Iancu, i cili jeton në Bukuresht dhe ka filluar të luajë role në kinemanë dhe teatrin rumun, gjithashtu Henri Topi, një i ri nga Pogradeci që premton të jetë një nga zbulimet aktoriale shqiptare në të ardhmen.

Filmi nëpër kinema

“Pikë uji” është një nga ata filma shqiptarë që bën përpjekjen më të arrirë për rikthimin me dinjitet të filmit shqiptar në kinema, duke qëndruar larg komercialitetit dhe ndikimit të ndonjë sipërmarrje politike apo biznesi, larg kopjimit të kinematografisë perëndimore, por me një përqasje origjinale të plotësuar artistikisht. Pas premierës më 12 shtator, filmi “Pikë uji”, do të vazhdojë të shfaqet në Tiranë dhe në të gjitha kinematë e Shqipërisë. Më pas do të vazhdojë të shfaqet në kinematë e Ballkanit, Spanjës, Italisë, Austrisë dhe Gjermanisë.

“Pikë uji” është një bashkëprodhim Erafilm Shqipëri, Avanpost Rumani, Redibis Film Itali, IliriaFilm Kosovë, Manufaktura Production Maqedoni e Veriut. Me financimin e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë/ Ministrisë Italiane të Kulturës- Drejtoria e Kinemasë/ Qendrës Kinematografike të Kosovës/ Agjencisë së Filmit në Maqedoninë e Veriut/ Evropës Krijuese, MEDIA/ Rrjeti i Kinemave të Evropës Juglindore. Filmat e Robert Budinës kanë mbledhur një audiencë të gjerë për kinemanë në Shqipëri, Austri, Francë, Gjermani, Itali, dhe janë shfaqur në shumë televizione kombëtare dhe ndërkombëtare

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here