Nga Julia Vrapi
Filma dokumentarë që mbajnë emrin e regjisorëve shqiptarë janë pjesë e festivalit të filmit dokumentar “Makedox”, që po zhvillohet në qytetin e Shkupit në Maqedoninë e Veriut. Tre dokumentarët që janë pjesë e koleksionit të Arkivit Qëndror Shtetëror të Filmit janë prodhime që janë realizuar përpara viteve 1990 në vendin tonë. Në festival AQSHF prezantoi filmat dokumentarë: Shqipëria turistike (1974), nga Mark Topallaj; Pse kështu (1956) nga Viktor Stratobërdha; Urime shokë studentë (1955) nga Viktor Stratobërdha. Arkivit Qëndror Shtetëror i Filmit është prezantuar dhe më parë nëpër festivale të tjera në botë me filma që janë pjesë e fondit të tij filmik ndër vite. Në programin kushtuar arkivave të Ballkanit, Arkivi Qëndror Shtetëror i Filmit mori pjesë në panelin e diskutimit mbi rëndësinë dhe digjitalizimin e arkivave filmike dhe shfaqi tre dokumentarët. “Arkivat janë baza, por nuk do të mund të ecim gjatë pa emocionet e ndjeshmërinë.
Si materialet arkivore ashtu edhe emocionet janë një burim i pashtershëm krijimtarie. Lloji i historive që do të duam të tregojmë, do të varet vetëm nga ne, por të paktën e dimë se ku duhet të gërmojmë nëse duam të jetojmë një jetë aktive, të mendojmë thellë dhe të lëmë pas diçka të vlefshme – për veten dhe për ata që vijnë pas nesh. Kjo është motoja e edicionit të 15-të të festivalit MAKEDOX që nisi të mbahet në Shkup nga data 15 – 22 gusht 2024”, thuhet nga AQSHF. Në hapësirën e Kurshumli Hanit, në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, nën moton “Minim i emocioneve nëpër kohë”, u hap këtë vit edicioni i 15-të i festivalit të filmit dokumentar “MakeDox”. Në këtë festival janë disa programe për filmat që marrin pjesë. Në hapjen e festivalit u shfaqën dy filma dokumentarë, filmi i shkurtër “How Do You Measure a Year” nga Jay Rosenblatt (ShBA, 2022) dhe filmi artistik “Celluloid Underground” (Mbretëri e Bashkuar/Iran, 2023) nga iraniani Ehsan Khoshbakht.
Dy regjisorët dhe aktiviteti në ish Kinostudio
Filmat e regjisorëve Viktor Stratobërdha dhe Mark Topallaj ishin ata që zgjodhi këtë herë AQSHF për këtë festival, por në aktivitetin tyre janë dhe të tjerë realizime filmash. Viktor Stratobërdha (15 maj 1925 në Korçë – 31 maj 2000 Montreal, Kanada) pas çlirimit të vendit, në vitin 1945, ai filloi të punojë në ish Kinostudion “Shqipëria e re”, ku ka realizuar dy filma “Pushime të gëzuara” dhe “Urime shokë studentë!”. Në vitin 1956 ai filloi xhirimet e filmit dokumentar “Pse kështu?. Dhe hiqet menjëherë nga industria e filmit. Syri i tij kritik ndaj shoqërisë komuniste do t’i kushtojë atij një persekutim që do të zgjasë deri në 1988, duke përfshirë tetë vjet burgim.
Studimet e larta i kreu në Moskë për regji filmi. Mark Topallaj (i lindur më 18 gusht 1937 në Rrëshen, në rrethin e Mirditës) njihet si aktor dhe regjisor. Në 1966 ai u bashkua me Kinostudion “Shqipëria e Re”, së pari si një aktor, dhe që nga 1969 si drejtor i filmave dokumentarë. Në karrierën e tij, Topallaj ka përfunduar shtatë filma artistikë dhe trembëdhjetë filma dokumentarë.