Premiera e filmit të restauruar “Partizani i vogël Velo” i regjisores Xhanfise Keko

0
75

“Partizani i vogël Velo” një prej filmave ikonikë të kinematografisë shqiptare me regji nga Xhanfise Keko realizuar në vitin 1980 u shfaq i restauruar. “Partizani i vogël Velo” është realizimi i katërt kinematografik shqiptar, që shfaqet në kinemanë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave. Në praninë e Drejtorit të Përgjithshëm të Arkivave, z. Ardit Bido, drejtoreshës së Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit znj. Marinela Ndria, dhjetëra studentëve, nxënësve, veteranëve dhe përfaqësuesve të Shoqatës së Dëshmorëve të Atdheut, DPA-ja ekranizoi mbrëmjen e 25 korrikut filmin e radhës që rrëfen përpjekjet e shqiptarëve për çlirimin e vendit nga pushtuesit nazifashist. Në këtë aktivitet për premierën e filmit të restauruar “Partizani i vogël Velo” mori pjesë edhe një prej aktorëve protagonistë të filmit, z. Eduart Çala, i cili e vlerësoi këtë nismë si të rëndësishme në fushën e kulturës vendase.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) shprehet se në ekranin e Kinemasë Verore filmi “Partizani i vogël Velo” u shfaq si pjesë e repertorit të filmave të përzgjedhur për t’u shfaqur në kuadrin e Vitit Mbarëkombëtar të 80-vjetorit të Çlirimit. Me rastin e këtij përvjetori jubilar, DPA-ja thotë se përmes një sezoni të ngjeshur artistik inkurajon të rinjtë të njohin të kaluarën historike të Shqipërisë. Në vazhdën e kësaj nisme, që gëzon bashkëpunimin e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit (AQSHF), do të shfaqen në Kinemanë Verore të DPA-së të tjera realizime filmike, në shenjë përkujtese të betejës së të parëve për liri.

Filmi “Partizani i vogël Velo”

Filmi “Partizani i vogël Velo” me regji nga Xhanfise Keko është një tjetër prodhim kinematografik i vlerësuar që mban emrin e regjisores së shquar. Një prej filmave ikonikë të kinematografisë shqiptare  u shfaq për herë të parë në cilësinë maksimale të figurës. Skenari është shkruar nga Anastas Kondo, Natasha Lako, prodhuar nga ish Kinostudio “Shqipëria e re”. Muzika  filmit është nga kompozitori Kujtim Laro. Operator në film Faruk Basha. Filmi flet për të voglin Velo, i cili mezi pret të rritet dhe të bëhet partizan i vërtetë.

Kjo dëshirë e tij forcohet edhe më shumë pas vrasjes së të atit nga armiqtë dhe ai insiston që ta zëvendësojë atë me çdo kusht. Disa herë ai nuk pranohet në radhët e partizanëve për shkak të moshës së tij të vogël dhe të “pushkës që është më e gjatë se ai”. Por Velo nuk jepet. Më në fund ai arrin të pranohet në radhët e partizanëve. Në film kanë interpretuar aktorët Petro Papakosta në rolin e Velos, Kadri Roshi në rolin e Xha Brahos, Pandi Raidhi në rolin e komandant Banit, Stavri Shkurti në rolin e Sinanit, babait të Velos, etj.

Vlerësimi i punës së regjisores

Filmat e regjisores Xhanfise Keko kanë marrë vlerësime kudo ku janë shfaqur. Jo vetëm në vendin tonë, por dhe jashtë kanë marrë vlerësimin e publikut dhe të kritikës, ku edhe premiera e filmit të restauruar “Partizani i vogël Velo” gjithashtu u mirëprit shumë dhe u ndoq me mjaft interes. Xhanfise Keko lindi më 27 janar të vitit 1928 në Gjirokastër. E filloi karrierën si montazhiere, një nga shtatë anëtarët themelues të Kinostudios “Shqipëria e Re”, më 1952. Pas një përvoje të gjatë si montazhiere e dokumentariste, filloi karrierën e regjisores më 1971. Për 13 vjet, deri në vitin 1984, Keko realizoi filma artistikë, që janë edhe sot mjaft të pëlqyer, sidomos për fëmijët.

Të realizuar artistikisht, por edhe me vlera eduktative, filmat e Xhanfise Kekos kanë konkurruar me dinjitet edhe në festivalet ndërkombëtare. Me filmat e saj Xhanfise Keko u vlerësua me çmime e tituj, si në “Giffoni Film Festival” në Itali, në Festivalin e Filmit në Beograd, Medaljen e Presidentit të Republikës Italiane etj. Por edhe në atdhe Xhanfise Keko do të vlerësohej për punë e saj të madhe në kinematografinë për fëmijë. U vlerësua me “Çmimin e Madh të Republikës”, në vitin 1979. Po në të njëjtin vit iu dha titulli “Artiste e Merituar”, ndërsa 5 vjet më vonë edhe titulli i lartë “Artiste e Popullit”. U nda nga jeta më 22 dhjetor të vitit 2007.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here