Prodhimi i filmit të animuar në vendin tonë përballet me probleme të ndryshme veç atyre financiare. Regjisori Artan Maku filmin e parë të animuar e realizoi në vitin 1981, për të vijuar më pas me të tjerë prodhime të animacionit. Si regjisor i animacionit Maku thotë se pavarësisht që teknologjia kryesisht luan rol, por rëndësi kanë dhe bazat klasike të animacionit. Në intervistën për gazetën “SOT” regjisori Artan Maku ndalet te prodhimtaria e animacionit sot në vendin tonë, ku ai shpreh shqetësimin për realizmin e filmave. Sipas tij, të rinjtë që kanë ardhur në fushën e animuar bazohen shumë te teknika, por jo te konceptet. Regjisori sjell në vëmendje dhe punën që bëhej dikur në Kinostudio me filmin e animuar dhe çfarë ndodhi pas vite ’90, ku u larguan dhe një pjesë e krijuesve të animacionit në vendin tonë. Problem për regjisorin Maku janë dhe politikat që ndjek Ministria e Kulturës në vendin tonë, që thotë se duhet të jenë më të qarta. Vjet në muajin tetor u shfaq premierë filmi i animuar “E mallkuar” me regji nga Artan Maku. Ai tregon se puna për këtë prodhim vijoi përgjatë pesë viteve. Herë pas here regjisori Artan Maku ka folur për punën që bën ai me filmin e animuar, por e “E mallkuar” është një film që vjen me një animacion të përkryer.
-Në vitin që lamë pas u shfaq premierë filmi “E mallkuar”. Si regjisor çfarë mund të na thoni më shumë me punën mbi këtë film të animuar?
Unë vjet përfundova filmin e animuar “E mallkuar”, një film që pati dhe vlerësime nëpër festivale filmi. Pesë vjet punë për filmin “E mallkuar”. Filmi “E mallkuar” është për moshat 12 vjeç e sipër, por mund të shihet dhe nga fëmijë të tjerë meqë ka animacion të përkryer, lëvizje, ka dinamikë dhe figurativisht është mbështetur tek tradita jonë, por që figurat, atmosfera janë të abstraguara.
-Këto kohë është pohuar herë pas here nga kineastët dhe ligji i ri për kinematografinë, problemet me prodhimin e filmit në vend, etj. Ju si regjisor i animacionit, çfarë mund të na thoni?
Nuk e di se çfarë do të bëhet më tutje me prodhimin e animacionit në vendin tonë, sepse kjo do të varet nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë dhe nga politikat e Ministrisë së Kulturës në lidhje me filmin. Por shpresojmë që këtë vit që do të jetë më mirë se sa viti që lamë pas, ashtu siç shprehen dhe kuadrot drejtuese të Ministrisë së Kulturës që kinemaja do të jetë më mirë. Sipas tyre po përfundojnë ligjin mbi kinematografinë dhe bashkë me ligjin do të zgjedhin dhe kryetarin e ri të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë.
-Sipas jush sa ka penguar punën dhe aktivitetin e kineastëve në vend mungesa e një kryetari në QKK?
Deri në këto momente ka penguar. Kur Qendra Kombëtare e Kinematografisë nuk ka kryetar, nuk ka dhe politikë të qartë se si do të procedojë. Janë në amulli të gjithë krijuesit e filmit. Me çfarë kam biseduar unë me kolegët e mi, me të rinj si dhe moshat e mëdha thonë nuk e dimë çfarë do të ndodhi.
-Ju filmin e parë të animuar e keni realizuar në vitin 1981 për të vijuar ndër vite me të tjerë prodhime filmash, ku jeni vlerësuar dhe me çmime të ndryshme në festivale brenda dhe jashtë vendit. Por nëse flasim për filmin e animuar, ku i shikoni problemet në realizimin e tij sot?
Prodhimi i filmit të animuar varet dhe nga këndvështrimet e reja, më tepër është në koncepte. Me sa po shikoj filmat që kanë përfunduar vjet nga krijues të rinj ka qenë problem moszotërimi mirë i teknologjisë bashkëkohore. Por është një mungesë e madhe që filmat nuk shfaqen publikisht. Një mungesë e madhe edhe mosdiskutimi për filmat me kolegët që bëjnë filmat e rinj. Me sa kam kuptuar filmat në përgjithësi kanë mungesat jo vetëm në teknologji, por dhe konceptim, sepse nuk njohin mirë kodin e filmit të animuar. Pavarësisht që teknologjia kryesisht luan rol, por luajnë rol dhe bazat klasike të animacionit. Prodhimtaria e filmit të animuar vuan nga mungesa e theksuar e profesionalizmit. Të rinjtë që kanë ardhur në fushën e animuar bazohen shumë te teknika, por jo te konceptet. Konceptet bazë mbi filmin janë klasike nuk ndryshojnë, por teknologjia sigurisht shfrytëzohet për ngritjen e nivelit të filmit.
-Disa muaj më parë u shfaq filmi juaj i animuar “E mallkuar” premierë në Arkivin e Filmit, ku siç treguat puna për realizimin e tij ka vijuar për 5 vite. A keni një projekt tjetër në fushën e animacionit?
Me këtë situatë që është tani dhe unë jam pjesë e grupit të krijuesve të filmit, por akoma nuk jam i qartë se si do procedohet në QKK. Ministria e Kulturës ka hap konkursin për kryetarin e QKK, por ministria duhet të qartësojë politikat e saj në art dhe kulturë.
-Filmin e parë e keni realizuar në vitin 1981, por nëse kthehemi pas në vite, çfarë mund të thoni mbi punën e bërë atë kohë?
Filmi im i parë i animuar si krijues i takon vitit 1980. E fillova atë vit dhe në 1981 e përfundova dhe titullohet “Dhelpra dhe iriqi”. Por e kujtoj me dhimbje si punë, sepse ishte periudha e vitit 1981 ku ishte vetëvrarë Mehmet Shehu dhe kërkohej në Kinostudio armiku i klasës. Pra në atë moment unë ujkun e bëj si pirat me shall të kuq dhe përndiqem.
-Prodhimi i filmit të animuar ka rënë, pra jo më si dikur. Ju keni qenë në Kinostudio, por sa filma prodhonte dikur?
Në fillim filloi me 4 filma në vit kur ka qenë Bujar Kapexhiu, Vlash Dobroniku erdhi Tonin Vuksani, më pas u bënë 8 filma, 10 filma dhe në përfundim të viteve ‘90 u bënë 16 filma të animuar. Por pas viteve ‘90 krijuesit u shpërndanë, një pjesë e larguan jashtë shtetit, ku dhe unë isha pjesë e atyre që u larguan. Unë u largova në vitin 1991 në Gjermani dhe isha 3 vite atje më pas nëpër Greqi, nëpër studio greke dhe pastaj u ktheva. Kur unë u ktheva nuk ishte e qartë se si do të veprohej me filmin e animuar. Filmi atë kohë kërkonte formate të reja, duhej bashkëpunimi me studio të huaja, por këtu nuk kuptohej. Pati ngecje në këtë drejtim. Punohej me filmin jo se nuk punohej, por nuk ishte në lartësinë e duhur.
-Në momentin që përfundon sot një film i animuar, çfarë ndodh më pas?
Në Shqipëri nuk inkurajohet që televizionet ta shfaqin filmin e animuar. Nuk ka asnjë lloj politike për filmin e animuar, kjo ndodh sepse i marrin të gatshëm, pirateria ekziston. Nuk e përfytyroni dot çfarë piraterie ka për filmin e animuar dhe atë që është i prodhimit artistik.
-Festivali “Anifest Rozafa” u nis në vitin 2010. Në vitin që lamë pas u zhvillua në Shkodër edicioni i 14-të. Për ju si drejtor, çfarë ka përcjellë ky festival ndër vite që është unik në vendin tonë?
Festivali “Anifest Rozafa” pati në fillim një pengesë dhe sigurisht, që dhe këtu ishin probleme të politikës që në fund fare u qartësuan. Festivali këtë vit u bë në Shkodër. Por pati një ngecje, sepse ishte dhe me situatën e kinemasë dhe atëherë festivali “Anifest” u realizua në bashkëpunim me Drejtorinë e Kulturës së Shkodrës. Festivali u realizua në Qendrën Kulturore të Fëmijëve dhe në Qendrën Rinore me sukses. Objektivi u realizua, por jo si kinemaja. Festivali i filmit do kinemanë, por predispozita ishte që festivali të vijonte normalisht. Unë dua që festivali të mos mbesë vetëm në qytetin e Shkodrës dhe po bashkëbisedoj me Tiranën ta realizoj te ish kinema “Agimi”. Shpresoj ta arrij këtë, sepse dhe kjo ka vështirësitë e veta. Por sot filmat prodhohen dhe nuk dihet ku bëhet premiera, dhe e vetja gjë që iu kërkoj kineastëve, ejani të bëni premierat kombëtare në festivalin “Anifest”.
Aktiviteti
Artan Maku, piktor dhe regjisor. Pasi studioi në Institutin e Lartë të Arteve u emërua piktor më 1981 në sektorin e filmit vizatimor në Kinostudio. Filmin e parë si piktor dhe regjisor e realizoi në vitin 1981, “Dhelpra dhe iriqi”. Në vitin 1984 krijon personazhin e Pikut, një karakter me të cilin xhiroi disa seri filmash vizatimorë deri në vitin 1988. Filmi i tij “Lulja magjike” në 1985 u vlerësua me çmimin e tretë në Festivalin e 6-të të Filmit Dokumentar e Vizatimor Shqiptar. Filmi “Piku me lëkurë dhelpre” merr çmimin “Desiderio” në festivalin e fëmijëve “GIFFONI”, Itali 1989. Filmi “Koha moderne” vlerësohet me “Best Animation” në Festivalin Ndërkombëtar “Nine Eleven”, Prishtinë 2007. Që nga viti 2005 Artan Maku i është kushtuar produksionit të filmit krahas punës krijuese në fushën e animacionit. Me kompaninë filmike “Maku Production” ka prodhuar një sërë titujsh veprash të reja të gjinisë së animacionit dhe të filmit me metrazh të shkurtër, duke u prezantuar me to në shumë festivale kombëtare dhe ndërkombëtare filmi. Në vitin 2010 merr jetë projekti i tij “Anifest Rozafa”, festivali ndërkombëtar i filmit të animuar për fëmijë dhe nga fëmijët, i pari i këtij lloji në Shqipëri. “E mallkuar” titullohet filmi i animuar që u shfaq këtë vit premierë në Arkivin e Filmit. Një film nga regjisori Artan Maku, ku puna për realizimin e tij ka vijuar për 5 vite.