1 në 3 dosje të pensionistëve në 2022 rezulton me gabime, ja padrejtësitë që po u bëhen të moshuarve në llogaritjen e pensioneve bazë, shtesë dhe ato familjare, KLSH plas skandalin e madh

0
115

Përtej shqetësimit të një niveli të ulët të masës së pensionit, të moshuarit përballen edhe me gabime në përllogaritje kur plotësojnë moshën dhe kategorizohen përfitues. Pothuajse 1 në 3 dosje të të moshuarve në 2022 sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, kanë rezultuar me gabime sa i përket përllogaritjes së pensionit të tyre. Nga një auditim i kryer pranë Institutit të Sigurimeve për 148 dosje të shqyrtuara rreth 38% e tyre janë me gabime. Kjo rëndon direkt në xhepin e një pensionisti, jo sipas ekspertëve të ekonomisë, të cilët sytë i mbajnë nga indeksimet.  “Një gabim do t’i kushtoj më tepër një pensionisti. Sado gabim i vogël të jetë për pensionistin do të thotë shumë. Ne flasim për indeksime por kemi dhe gabime. Janë vite punë e mundime dëm që për ta do të thotë shumë. Gabimet kanë qenë në llogaritjet bazë, atë të shtesë por dhe ato familjare”, deklaroi dje në një media Romina Radonshiq, eksperte Ekonomie. Përtej gabimeve janë gjetur edhe vonesa në dosjet e shqyrtuara. KLSH raporton se në 25% e dosjeve janë hasur në vonesa përtej afatit të caktuar.

Problematikat që hasin pensionistët

Ndërkohë për ekspertin, Klodian Muço gabimet, por dhe vonesat janë një problem gjerësisht i përhapur, të cilat sipas tij, mund të jenë edhe të qëllimshme. “Të mendosh me paragjykim gabimet bëhen me qëllim për të reduktuar sadopak atë deficitin që ka skema e sigurimeve shoqërore. Por urojmë të jetë njerëzore dhe të verifikohet e rregullohet se ka shumë pensionistë që e shfaqin këtë problem të përllogaritjes”, deklaroi dje në një media Klodian Muço, ekspert ekonomie. Por e gjithë kjo situatë përkeqëson raportin mes të ardhurave dhe shpenzimeve, duke thelluar krizën në skemën e pensioneve. Për një deficit 57.9 miliardë lekë në 2022, ky tregues u rrit me 5 miliardë lekë më shumë në 2023. “Deficiti sapo vete e po shtohet dhe skema po vështirësohet. Nëse nuk merren masa konkrete skema e sigurimeve shoqërore mund të shkojë drejt defaultet”, nënvizoi më tej Muço. Rritja e deficitit në skemë tregon se buxheti i shtetit paguan më shumë nga taksat e qytetarëve për pjesën e pensioneve që nuk mbulohen dot nga të ardhurat nga kontributet. Në raportin e auditimit KLSH I rekomandon Institutit të Sigurimeve Shoqërore të mundësojë rritjen e të ardhurave e numrin e kontribuuesve, uljen e deficitit të skemës së pensioneve dhe zvogëlimin e subvencionit të buxheti shtetit për këtë skemë.

Çfarw ka ndodhur?

Në vitin 2010, statistikat zyrtare të ISSH-së raportonin 543,053 pensionistë, ndërsa në fund të vitit 2022, u raportuan 686,923 të tillë. Sipas të dhënave që i përkasin harkut kohor 2010-2022, ritmet e rritjes së numrit të pensionistëve u zgjeruan pas 2012-s. Më 2010 dhe 2011, numri i tyre është rritur me rreth 5 mijë pensionistë në secilin vit, por pas vitit 2013, në skemë shtohen mesatarisht 15 mijë çdo vit. Ritmet janë ulur pak vitet e fundit, për shkak të reformës së re në pensioneve që zgjati moshën e daljes në pension me 6 muaj në vit për gratë dhe efekteve që krijoi pandemia ku shumica e vdekjeve shtesë ishin në moshë pensioni. Megjithë këto zhvillime në vitin 2022 skema e sigurimeve shoqërore shfaqi qëndrueshmëri prej arkëtimeve më të larta nga kontributet. ISSH raportoi të ardhura 133,3 miliardë lekë nga kontribute me një rritje vjetore 18%. Si rrjedhojë subvensionet nga buxheti i shtetit për skemën e sigurimeve ishin 22,9 miliardë lekë me rënie 18 për qind nga viti 2021, ku buxheti e mbështeti nga të ardhurat e tjera skemën publike të pensioneve me rreth 28 miliardë lekë. Këto zhvillime nuk zbehin qëndrueshmërinë e skemës në periudhën në vijim ku gjithnjë e më shumë pensionistë do të përfshihen në skemë dhe presionet për rritjen e masës së pensioneve janë rritur nga çmimet e larta. Të ardhurat e pensionistëve po gërryhen nga inflacioni, teksa qeveria dha paketa ndihme shtesë këtë vit për këtë kategori. Shqipëria nuk e ka të zhvilluar infrastrukturën për të siguruar jetë të mirë për pensionistët. Mungojnë shtëpitë e kujdesit social, azilet etj. Sistemi shëndetësor ka kapacitete të kufizuara për të përballuar nevojat në rritje nga pensionistet për shërbime. Lista e barnave që rimbursohen është e kufizuar dhe moshat e vjetra përballen me shpenzime të larta për shëndetin nga xhepi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here