Në ekspozitën me titull “Piktura bizantine në Shqipëri”, që u hap në Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar janë përzgjedhur 13 ikona të ndryshme për shkak të periudhave, të cilat iu përkasin, mënyrës se si ato janë realizuar apo dhe për tipologjitë, stilit,dhe teknikat e përdorura. Ekspozita, që u hap pak ditë më parë vazhdon në Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë. MKAM shkruan se në pamjen e pare ikonat nuk kanë dallim nga njëra-tjetra, kjo për shkak të rregullave e rrepta dhe të pandryshueshme ende sot, të artit bizantin por njohja e skenave biblike dhe interpretimi i tyre individual sipas artistit, zhvillimi dhe trajtimi i tyre i bën ato të ndryshme dhe mjaft interesante. “Mbrapa këtyre rregullave ikonografike dhe ideologjive ortodokse ndodhet një botë e tërë, e pafund me larmishmëri stilesh, kompozimesh, ngjyrash dhe teknikash me vlera të larta artistike”, thuhet nga MKAM. Në ekspozitë ishin të ftuar historianë dhe studiues të artit dhe periudhës bizantine. Referuan e dr. Era Xhaferaj dhe dr. Ermir Hoxha. I ftuar ishte dhe dr. Mikel Temo së bashku me studentët e Universitetit të Arteve, Atelieja e Pikturës Monumentale e Restaurimit dhe Konservimit. “Së bashku ndamë mendime dhe folëm rreth restaurimit dhe projekteve të përbashkëta në të ardhmen. Patëm kënaqësinë e pritjes së profesorëve të artit figurativ nga liceu artistik “Jordan Misja” dhe njëkohësisht miq të kahershëm të muzeut. Patëm kënaqësinë dhe nderin e pjesëmarrjes së miqve të përhershëm të Muzeut të Artit Mesjetar, si dhe më të rinjve, jo vetëm në moshë, por edhe nga kombësi të ndryshme të cilët shprehën një interes të jashtëzakonshëm”, thuhet në faqen e MKAM. Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në Korçë, u përurua më 24 Prill 1980. Ai është një nga qendrat muzeore më të rëndësishme të Shqipërisë e më gjerë. Fondi i tij ka objekte kulti e arti, kryesisht ikona e më pak punime guri, druri, metali e tekstili të krijuara nga mesjeta e hershme deri në fillim të shek. XX prej artistësh anonimë e të mirënjohur, nga treva të ndryshme të vendit.