“Fraktura” sendërton një ndërhyrje artistike alternative shoqëruar me një diskutim publik në një vend të rëndësishëm të kujtesës kolektive shqiptare si burgu i sigurisë se lartë të Spaçit. Historia dhe vuajtjet në ish-burgun famëkeq të Spaçit në Mirditë, u risollën në vëmendje përmes ekspozitës të titulluar “Fraktura”, me autorë Ardian Isufi dhe Fatos Lubonja. Brenda rrënojave të burgut të shtunën paradite u ekspozuan artifakte, instalacione, sende, dokumente, etj. Kuruar nga Elton Koritari ky aktivitet ngjalli interes. Kuratori shprehet se për ekspozitën “Fraktura” ishte një punë disa mujore. “Ekspozita u hap paraditen e së shtunës dhe pati dhe një diskutim publik. Pati një pjesëmarrje të konsiderueshme, ku ishin dhe mjaft të rinj. Është një punë disa mujore për “Frakturën” në ish burgun e Spaçit”, tregon kuratori Elton Koritari për këtë prezantim, ku shton se u kuptua dhe nevoja për ta muzealizuar atë që ka ngelur nga ish burgu i Spaçit. Për aktivitetin që u zhvillua në ish burgun e Spaçit kuratori Elton Koritari vlerëson dhe historianen dr. Carmela Rosiello. “Pati një ndërhyrje me të vërtetë historike dhe nga ana e historianes Carmelo Rosiello, një kontribut që e çon situatën e Spaçit dhe të Shqipërisë në përgjithësi në gjë të veçantë nga ish blloku socialist”, vijon më tej kuratori Elton Koritari.
Rreth aktivitetit
Kamp i punës së detyruar, ku kanë shpenzuar jetën e tyre mijëra të persekutuar shqiptarë, me gjithë gjendjen e degraduar nga koha dhe harresa, Spaçi ngelet ndër emblemat e mizorisë së diktaturës komuniste shqiptare, por edhe të qëndresës ndaj saj. Me një ngarkesë të madhe emocionale, ky vend fton të dialogojnë mes tyre artifakte, instalacione, kujtime, sende, dokumenta, por dhe rrëfime të cilat tregojnë historinë e një institucioni që de jure ka pasur detyrën kryesore të administrojë vuajtjen e të burgosurve, por de fakto ka realizuar izolimin e plotë dhe tentuar asgjësimin e njeriut. Ekspozita dhe takimi publik në ish burgun e Spaçit u organizuan nga “Konrad Adenauer Foundation”. Ekspozita thekson dallimin thelbësor midis vendeve të kujtesës dhe përfaqësimit të tyre -fillesë e një diskutimi të hapur e konkret rreth muzealizimit të këtyre vendeve në Shqipëri. Ajo heton çfarë Fatos Lubonja cilëson si “nacional-komunizmi shqiptar” egzistenca e një sistemi ideologjik bazuar mbi dhunën por edhe mbi asimilimin kulturor, trashëgimi e periudhës diktatoriale edhe në kulturën e sotme të Shqipërisë. E më tej, eventi ftoi publikun në një pjesëmarrje aktive nëpërmjet një eksperience unike, për të kuptuar më mirë të kaluarën në një reflektim për pasojat e saj në të tashmen, me synimin sublim për t’u distancuar në mënyrë aktive prej çfarë ngelet nga ajo ideologji dhe për t’u përpjekur për të shkruar një histori të re identitare të vendit. Fatos Lubonja dhe Ardian Isufi janë dy artistë poliedrikë, të cilët operojnë në formë multidisiplinarenë skenën e artit bashkëkohor. Në këtë ekspozitë, të realizuar “site-specific”, ashtu si edhe në sferën publike, ata angazhohen si përherë mes artit dhe aktivizmit politik, duke pasur bindjen e thellë se frakturat e krijuara prej ideologjive totalitare janë shkak i një përplasjeje kulturore midis shtresave intelektuale të vendit dhe si të tilla, ato fraktura nuk mund kurrsesi të anashkalohen, në të kundërt, duhet patjetër të analizohen me një shpirt kritik dhe kështu, patjetër të riparohen.