Reali i Madridit përmbys dhe shkatërron Liverpulin, Napoli fiton në transfertë me Eintrahtin

0
124

Liga e Kampioneve dhuroi emocione të mëdha mbrëmë, pasi u vunë përballë njëri-tjetrit dy skuadra që kanë shkruar histori në Champions League gjatë viteve të fundit. Liverpuli priti Realin e Madridit, në duelin e parë të 1/8 e finales. Liverpuli e nisi shumë mirë këtë ndeshje, duke shënuar i pari e madje duke e mbyllur 20-minutëshin e parë të lojës në avantazh 2-0. Mohamed Salah asistoi për Nunez që shënoi në minutën e 4-t, duke dhënë shenja për një Liverpul të fuqishëm në mbrëmjen e së martës. Madje këtë e përforcon edhe goli i vetë egjiptianit Mohamed Salah shënoi në minutën e 14-të. Këta dy gola u dhanë anglezëve epërsinë e duhur për të qenë fitues të ndeshjes, por kur përballë është Reali i Madridit gjërat duhen marrë seriozisht, pasi asgjë nuk është e sigurt. Reali i trajnerit Karlo Anceloti përmbysi gjithçka në gjysmën e dytë të pjesës së parë të lojës, pasi sulmeusi brazilian Vinicius shënoi dy herë, në minutën e 21-të dhe të 36-të, duke baraspeshuar gjithçka dhe duke bërë që 45-minutëshi i parë i lojës të mbyllej në barazim 2-2. Ky rezultat i dha krahë Realit ta menaxhonte më mirë pjesë e dytë. Militao shënoi në minutën e 47-të për rezultatin 2-3 dhe më tej Karim Benzema në minutën e 55-të shënoi për 2-4 në favor të Realit. Një asistim i Viniciusit në minutën e 67-të, do të bënte që Benzema të shënonte edhe golin e dytë personal dhe golin e 5-të për madrilenët, gjë që i solli skuadrës spanjolle fitoren 5-2. Një fitore e madhe në transfertë për skuadrën e Realit të Madridit, që i jep avantazhe të dukshme për duelin e kthimit. Tashmë Realit i duhet vetëm të menaxhojë epërsinë e rezultatit. Me fitoren e mbrëmshme, praktikisht Reali i Madridit është me një këmbë në turin tjetër të Ligës së Kampioneve. Ndërkohë, ndeshja tjetër e luajtur mbrëmë në Champions ishte ajo mes Eintrahtit të Frankfurtit dhe Napolit. Kryesuesit e Serisë A italiane janë bërë një ekip simpatik që janë të aftë të mposhtin çdo rival. Në minutën e 37-të Kvaracelia humbi një penallti për napolitanët dhe u duk sikur italianët do të demoralizoheshin, por nuk ndodhi kështu. Ende pa u mbyllur pjesa e parë e takimit, Napoli gjeti golin e parë me anë të Osimhen, i cili u asistua nga Lozano. Në minutën e 65-të, Kvaracelia korrigjoi gabimin e tij, por këtë herë duke dhënë një asist për Di Lorenzon, i cili shënoi golin e dytë për italianët dhe me këtë rezultat (0-2) u mbyll kjo ndeshje, me Napolin që fiton pastër e bindshëm dhe që bën një hap përpara drejt kualifikimit. Ndeshja e kthimit do të luhet në Itali dhe për napolitanët do të jetë më e lehtë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here