Kryetari i Përgjithshëm i Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve të LANÇ, Odhise Porodini ka reaguar ashpër pas akuzave të lëshuara nga drejtori i Institutit të Krimeve të Komunizmit, Çelo Hoxha, i cili javën që shkoi nga foltorja e Parlamentit i ka cilësuar partizanët grupe terroriste. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, zoti Porodini akuzon kreun e Ballit Kombëtar, Adriatik Alimadhin dhe Çelo Hoxhën se janë pinjollë të kolaboracionistëve, ndërsa theksoi se Lufta Antifashiste Nacional Çlirimtare, sipas tij, është epopeja e Shqipërisë që s’mund të bëhet pis nga ballistët tradhtarë që bashkuan me nazifashistët.
-Zoti Porodini, cili është roli që luan në historinë e popullit shqiptar Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare?
Është një nga luftërat fitimtare në gjithë historinë e popullit shqiptar, sepse populli shqiptar vërtet ka luftuar në shekuj kundër pushtuesve të huaj por asnjë nuk e siguroi pavarësisë dhe lirinë e tija, ishte vetëm lufta antifashiste nacionalçlirimtare e udhëhequr nga shtabi i përgjithshme dhe komandanti i saj Enver Hoxha ata të cilët ditën që të frymëzojnë dhe të ngrejnë brezin e ri në radhë të parë dhe pastaj gjithë shtresat e tjera kundër pushtuesit nazifashist dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Ishte një luftë gjithëpërfshirëse, por në radhë të parë brezi i ri që nga Qemal Stafa, i cili frymëzojë rinin tonë, dhe kjo luftë nacionalçlirimtare ishte e tillë që siguroi çlirimin e vendit tonë. Të mos harrojmë një gjë e cila është me shumë rëndësi historike, vendet shoviniste u përpoqën që në konferencën e paqes së 46-tës që u mbajt në Paris vajtën përsëri me plane si ato të 13-tës për ta copëtuar Shqipërinë, por lufta nacional çlirimtare e njohur nga fuqitë e mëdha, u bë pjesë e koalicionit të madh antifashist botëror anglo-sovjeto amerikan dhe u konsolidua përfundimisht fitorja e popullit shqiptar dhe Shqipëria që ne gëzojmë sot.
-Mes forcave politike në vend ka debate lidhur me datën e çlirimit të vendit. Cili është komenti juaj lidhur më këtë?
Unë jam pjesëmarrës në Luftën Antifashiste dhe jemi ne dëshmitarët okular që jetojmë akoma që themi se Shqipëria u çlirua në datën 29 nëntor 1944 dhe këtë nuk është se e themi vetëm ne, por këtë e pohojnë edhe forcat pushtuese. Në arkivat gjermane janë të dhëna, të cilat ne i kemi botuar që tregojnë se forcat e fundit që u larguan me luftë nga Shkodra ishin në datën 29 nëntor në vitin 1944 dhe jo ajo që pretendojnë disa se nuk është 29 nëntori data e Çlirimit të vendit, ato janë përralla, janë falsifikime që i bëjnë në mënyrë të qëllimshme ata të cilët, nuk e kanë dashur asnjëherë këtë luftë dhe iu kundërvunë luftës.
-Drejtori i Institutit të Krimeve të Komunizmit, Çelo Hoxha pak ditë më parë ka bërë një deklaratë, ku i ka akuzuar partizanët si grupe terroriste. Si e komentoni këtë deklaratë të tijën?
Çfarë mund të presësh nga pinjollët e kolaboracionistëve dhe nga disa pseudo-intelektual, pseudo-analist të cilët hedhin të pavërteta. A e dini ju që unë kam luftuar 13- vjeç dhe si unë edhe shumë të rinj të tjerë. Në Pukë, ka rënë një djalë 14-vjeçar nga Peza kundër gjermanëve dhe kur ra heroikisht edhe gjermanët kur e panë atë djalë u rreshtuan për ta nderuar sikur të ishte i tyre. Pra, kështu kanë qenë partizanët, ata luftuan me trimëri dhe me guxim duke vënë jetën e tyre në rrezik, ikën 28 mijë dëshmorë që ranë për çlirimin e vendit dhe si mund të thuash që partizanët paskan qenë terrorist. Turp i madh, këta janë antishqiptar.
-Edhe kreu i Ballit Kombëtar,Adriatik Alimadhi më herët ka hedhur akuza ndaj partizanëve duke i cilësuar partizanët si kriminel. Si ju duken këto akuza?
Adriatik Alimadhi është një ballist që nuk i bënë nderë atij Parlamenti dhe politikës shqiptare, është një i ardhur aty në atë Parlament në mënyrë të tillë që është turp që të jetë atje. Dihet historia se çfarë bënte Balli Kombëtar, ata u bashkuan me pushtuesit dhe u vunë në shërbim të tyre, udhëhoqën operacione të gjermanëve në të gjithë vendin që vranë e prenë dhe masakruan popullin shqiptar dhe ky që është përfaqësues i ballit na del edhe flet tani kundër partizanëve. Ata ishin njerëz që rrinin kafeneve të Tiranës bashkë me pushtuesit, në një kohë që partizanët luftonin në male.
-Në fakt, dëgjojmë jo pak zëra që kërkojnë që të rishikohet historia e luftës. Pse mendoni ju se e kërkojnë këtë?
Historia e luftës është shumë e pasur, është shkuar me shkronja të arta dhe me gjakun e atyre 28 mijë dëshmorëve të rënë për vendin e tyre dhe me sakrificën e atij populli që luftoi trimërisht dhe mundi pushtuesit e huaj. Historia është bërë, mbase mund të ketë ndonjë problem që duhet shtjelluar akoma mbase kjo po, por jo për ta rishikuar dhe për ta deformuar, nëse ka qëllime të tilla mendoj se këto duhet që të shmangen. Historinë mund ta pasurosh, por kjo s’do të thotë se duhet që ta falsifikosh dhe ta shkatërrosh. Ne jemi kundër kësaj gjëje, ne jemi për një pasurim të historisë dhe jo për rishikim, hajde ta shikojmë se janë bërë gabime në të. Këta që dalin tani pjesa më e madhe janë për ta deformuar.
-Si e komentoni vendosjen e monumentit të Zogut në disa qytete të Shqipërisë?
Është një turp i madh, një gjë e papranueshme. Populli shqiptar është i indinjuar dhe indinjohet edhe sot kur i sheh ato shtatore, sepse Zogu dihet si erdhi në fuqi dhe se si e mori atë titull mbret dhe se si e mbajti atë titull, me forca të huaja. Në revolucionin e viti 1904 që e udhëhoqi Fan Noli, ai iku me bisht me shalë dhe pastaj u rikthye përsëri. Ky përgatiti pushtimin duke e shitur Shqipërinë tek Italia fashiste e Musolinit dhe kur erdhi puna tha, unë do ta mbroj Shqipërinë nga pushtimi fashist dhe bëri të kundërtën, pasi mori të gjithë gjakun e popullit shqiptar thesarin, ai iku si një hajdut dhe si një tradhtar nga Shqipëria. E si mundet ky njeri të respektohet dhe të nderohet, ai është një tradhtar dhe një hajdut dhe ka qenë njeriu që ka masakruar dhe ka vrarë patriotët shqiptar. Ai i ka vrarë patriotët e mëdhenj shqiptar si Hasan Prishtina, plakun e maleve të Tropojës dhe nuk e meriton të nderohet. Na erren sytë kur shkojnë edhe bëjnë shtatoren e tij edhe për më tepër ngritën edhe shtatoren e të shoqes së tija, edhe ky ishte turp i dyfishtë. Mua më vjen keq që e pranoi e majta drejtuese këtë Geraldinën, por mirë Zogun se e prunë forcat e djathta.
-Në debatet që bëhen mbi temën e luftës, ka individë që kanë hedhur mendime se janë mbajtur qëndrime ekstremiste lidhur me zbatimin e ligjit të LANÇ. Cili është mendimi juaj?
Në një luftë aq të madhe sa u bë ajo, edhe mund të ketë pasur edhe ndonjë rast apo ndonjë veprim ekstrem, por nuk mund që të marrësh një gjë të shkëputur në një gjë të madhe. Prandaj, ne themi që lufta partizane ka qenë luftë patriotike antifashiste dhe mbase ka pasur ndonjë teprim, ose nxitim që nuk duhej bërë por në atë tension të madh të luftës mbase. Nuk duhen pranuar këto gjëra. Luftërat sjellin pasoja të rënda dhe e tillë ishte dhe lufta që na u imponua dhe ne si popull nga pushtuesit nazifashistë. Ne veteranët që kemi marrë pjesë direkt në LANÇ, ndryshe nga forcat e tjera ballist e zogistë, që u bashkuan me pushtuesit e u shërbyen atyre, kemi qenë tepër të vëmendshëm për të mos goditur e dëmtuar njerëzit e thjeshtë, qofshin ata dhe nga radhët e kundërshtarëve.
-Në përfundim, do doja të na tregoni diçka më tepër për aktivitetet të cilat do të organizohen në datën 5 maj, në Ditën e Dëshmorëve?
Po në fakt, janë 3 aktivitete të cilat do të organizohen në datën 5 maj. Njëri prej aktiviteteve do të organizohet atje ku është busti i Qemal Stafës përkrah godinës së Presidencës, atje do të organizohet në orën 9 një manifestim, përkujtimore ku do të marrin pjesë pushteti lokal, organizata e veteranëve dhe e familjeve të dëshmorëve, patriotët, qytetarët. Më pas në orën 1 do të jenë homazhet në varrezat e dëshmorëve, në orën 12 në Akademinë e Shkencave promovohet një botim që bëhet për Qemal Stafën dhe po ashti edhe disa botime të tjera. Kjo agjendë është në sinkron me Komitetin Kombëtar të Organizatës së Veteranëve dhe me Organizatën Kombëtare të dëshmorëve të luftës.
Intervistoi: Sidorela Braçja