Pronësia e territorit të parkut kombëtar të Butrintit i mbetet Ministrisë së Kulturës, ku në Bordin e Menaxhimit me pesë anëtarë, dy janë nga ministria. Kjo bëhet me dije nga ministrja e Kulturës Elva Margariti në deklaratën e saj, pasi Këshilli i Ministrave miratoi një ditë më parë projektligjin “Për miratimin e marrëveshjes për administrimin e nënzonave të trashëgimisë kulturore dhe peizazhit kulturor, pjesë e parkut kombëtar të Butrintit, ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit të Menaxhimit të Butrintit”. Në deklaratën e saj ministrja Margariti hodhi poshtë akuzat se kjo marrëveshje u kalon në pronësi fondacioneve, pasi menaxhimi sipas saj kryhet nga shteti, ku një pjesë e të ardhurave do të derdhen në arkën e kujdesit të trashëgimisë. “Një marrëveshje që u nënshkrua në muajin nëntor, duke hapur një udhë të re në mënyrën e menaxhimit të trashëgimisë sonë kulturore. Së bashku me partnerin tonë strategjik, Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) kemi themeluar Fondacionin e posaçëm të Menaxhimit të Butrintit. Ka pasur shumë debate, pikëpyetje, keqinformime, por gjej rastin të qetësoj këdo në lidhje me pronësinë e Butrintit, se në çdo rast, pronësia e territorit dhe aseteve i mbetet ministrisë, si përfaqësues i shtetit”, shprehet Margariti. Ministrja e Kulturës thotë më tej se Bordi i Fondacionit të Menaxhimit të Butrintit përbëhet nga 5 anëtarë, ku i pesti për paanshmërinë e bordit. “2 prej të cilëve nga Ministria e Kulturës e 2 të tjerë nga partneri strategjik AADF, ndërsa një i pestë, që do të sigurojë paanshmërinë e këtij bordi vendimmarrës është një figurë e njohur e trashëgimisë kulturore (Richard Hodges)”, thotë Margariti.
Modeli i menaxhimit
Marrëveshja e nënshkruar sipas ministres së Kulturës, që merr jetë me miratimin e këtij projektligji, krijon një model menaxhimi hibrid jofitimprurës ku shteti është pjesë, por i jep zë dhe garanci edhe donatorit për administrimin e fondeve. “I hap rrugë donatorëve të tjerë potencialë që ti bashkohen procesit në vazhdim duke i garantuar fondacionit të posaçëm autonomi në vendimmarrje, brenda rregullave të caktuara me ligj, duke bazuar në një plan biznesi të detajuar”, vijon Margariti. Po ashtu sipas ministres së Kulturës marrëveshja, garanton investime të rëndësishme në infrastrukturë 2 vitet e para me krijimin e një qendre bashkëkohore për pritjen e vizitorëve, si dhe shërbime të integruara; do të menaxhojë fluksin e vizitorëve që ne mendojmë se do të jetë shumë më i madh se sot, përmes shërbimeve digjitale (audio-guida, ture virtuale, etj,) e stacioneve të qëndrimit. “Kontributi (fillestar) financiar i partnerit strategjik është 5 milionë dollarë, ndërsa ai i Ministrisë së Kulturës 2 milionë dollarë”, thotë Margariti. Një hap tepër është krijimi i Qendrës Kërkimore-Butrint Research Group, që do të kryejë studime të fushave të ndryshme. Në deklaratën e saj, ministrja e Kulturës thekson ndër të tjera se një përqindje e të ardhurave të Butrintit do të shkojnë në Fondin e Trashëgimisë Kulturore. “Çdo e ardhur në arkën e Butrintit do t’i shkojë sërish Butrintit duke e kthyer edhe në një qendër studimore. Por ky park-lider do të ndihmojë edhe simotrat e veta më të vogla, pasi një përqindje e të ardhurave ( duke filluar me 0,5 për qind vitin e parë, deri në 2 për qind e të ardhurave në vitin e katërt) të Butrintit do të derdhen në Fondin e Trashëgimisë Kulturore, për t’u investuar në të tjera site”, përfundon ministrja e Kulturës. Ministria e Kulturës dhe Fondacioni i Menaxhimit të Butrintit nënshkruan në nëntor 2021 marrëveshjen e administrimit të pasurisë kulturore të parkut të Butrintit.