Mosha e daljes në pension për gratë ka ndryshuar. Tashmë mosha e daljes në pension është rritur për gratë, në krahasim më atë që ka qenë më parë. Që nga data 1 janar, që një grua të fitojë të drejtën e pensionit të pleqërisë, ajo duhet që të ketë mbushur fillimisht moshën 61 vjeç e 4 muaj. Për vitin e kaluar, mosha e daljes në pension për gratë ishte 61 vite e 2 muaj. Rritja me 2 muaj në vit e moshës së pensionit për gratë është përcaktuar në reformën e pensioneve, e cila parashikon edhe rritje të viteve të vjetërsisë në punë për burrat. Kjo rritje është vazhdimësi e skemës së pensioneve e cila është miratuar në vitin 2015. Reforma cakton një rritje graduale të moshës së pensionit, si për burrat, ashtu edhe për gratë deri në vitin 2056, kur mosha e përfitimit të pensionit do të arrijë 67 vjeç për të dyja gjinitë. Në përputhje me ndryshimet të cilat iu bënë ligjit “Për sigurimet shoqërore”, parashikohet një rritje e moshës së daljes në pension për gratë me dy muaj në vit, duke u bërë 63 vjeç në vitin 2032. Për vitin 2021, mosha e daljes në pension për gratë ishte 61 vite e 2 muaj, ndërkohë që sipas kësaj llogaritjeje, mosha e daljes në pension për gratë këtë vit do të jetë 61 vjeç e 4 muaj, ndërsa në 2023 do të jetë 61 vjeç e 6 muaj. Deri në dhjetor të 2019-s, gratë e përfitonin pensionin e pleqërisë në moshën 60 vjeçare. Për burrat këtë vit nuk parashikohet rritje e moshës për të përfituar pension, kështu që ata do ta përfitojnë atë në moshën 65 vjeç, si më parë, pasi mosha e përfitimit të pensionit për gratë të arrijë 63 vjeç, do të nisë rritja e moshës dhe për burrat, për të shkuar në 67 vjeç për të dyja gjinitë.
Rritja e kontributeve për meshkujt
Ndërkohë, burrat do të preken nga rritja e viteve të vjetërsisë në punë. Kjo do të thotë se nëse një burrë në dhjetor të vitit 2014 duhej të kishte 35 vite vjetërsi për të marrë pensionin, nga data 1 janar 2022 duhet të ketë 37 vite e 8 muaj. E njëjta gjë vlen edhe për gratë, të cilave paralelisht me moshën u rriten edhe vitet e vjetërsisë në punë me 4 muaj në vit. Referuar legjislacionit në fuqi, rritja graduale e vjetërsisë ndikon drejtpërdrejt në masën e pensionit të pleqërisë, duke qenë se është një prej përbërësve të formulës për përllogaritjen e tij. Pensioni përbëhet nga një shumë bazë, që është e barabartë me pensionin social, shumëzim vitet e sigurimit që ka çdo person, pjesëtim vitet e vjetërsisë në punë. Ndërkohë, pensioni mujor i pleqërisë përbëhet nga një shumë bazë dhe nga një shtesë. Shuma bazë llogaritet si raport i periudhës së sigurimit, që ka realizuar personi, me periudhën e sigurimit të kërkuar, sipas tabelave të daljes në pension pleqërie, bazuar në moshë dhe vite sigurimi, shumëzuar me pensionin social. Shtesa do të jetë 1 për qind për vit sigurimi shumëzuar me bazën mesatare të vlerësuar që personat e siguruar kanë arritur nëpërmjet kontributeve, gjatë gjithë periudhës kontributeve. Skema e pensioneve përcakton se çdo vit rritet me 4 muaj kontributet që duhen paguar për të përfituar pensionin.