Autorë e botues: Bibliotekat në rrethe të varfra, Ministria e Kulturës nuk ka një politikë të detajuar për librin

0
412

Bibliotekat në vend janë të varfra me libra. Prej vitesh është një gjendje, që për autorë dhe botues të ndryshëm duket se nuk ka pasur vëmendjen e duhur. Në reagimet e tyre ata pohojnë se kur flitet për biblioteka që janë me probleme në Tiranë, në rrethe është akoma dhe më mjerim. Botuesi Frano Kulli nga enti botues “Gjergj Fishta” dhe autori Mustafa Tukaj shprehen se para viteve ’90 kishte një furnizim të rregullt me libra, ndërsa prej vitesh në rrethe nuk ka vëmendje, por dhe në rastet kur bëhet një përpjekje janë buxhete të pakta për librat. Publicisti dhe botuesi Frano Kulli thotë se kjo ndodh, sepse në bashki të ndryshme nuk kanë financime për bibliotekat. “Bibliotekat janë të varfra në rrethe, sepse thjesht nuk furnizohen me libra, nuk ka furnizim të përditësuar. Pra botimet e reja përgjithësisht hyjnë ose shumë pak në mënyrë sporadike ose nuk hyjnë fare, jo më të bëhet fjalë për një lloj planifikimi përzgjedhës për botimet e reja. E gjitha kjo ndodh, sepse unë besoj se asnjë prej bashkive me sa di nuk ka ndonjë program të detajuar me suport financiar nga shteti për furnizimin e bibliotekave në rrethe me titujt e rinj, që dalin prej shtëpive botuese në të gjitha zhanret. Asnjë nga bashkitë nuk ka një plan një detajuar në sensin e përzgjedhjes së librit që duhet të hyjë në bibliotekë dhe suportin financiar më pas”, tregon Kulli. Ai kujton që kur kam qenë drejtues në një bibliotekë buxheti ishte i paktë për librat. Ai thotë se me fondin që jepet pak mund të bësh për pasurimin e një biblioteke. “Aty kur isha unë ka vijuar dhe ndonjë fond 5 milionë lekë të vjetra, i cili kur tenderohej përfundonte në 4, dhe çfarë mund të zgjedhësh në ato për gjithë vitin. Ka bashki që kanë vite që nuk japin dhe një cent për këtë punë. Ajo që vjen në bibliotekë është thjesht donacione dhe dhurata, që vijnë prej autorëve apo shtëpive botuese. Botues dhe autorë dërgojnë tituj, por kjo me dëshirën e mirë”, thotë Kulli.

Mungesë politike për librin

Për botues dhe autorë, bibliotekat në qytete të ndryshme janë në varësi të bashkive përkatëse. Sipas tyre Ministria e Kulturës është jashtë ndihmës së tyre. Botuesi dhe publicisti Frano Kulli thotë se sot shumica e bibliotekave janë me fonde librash që të para ‘90. “Ministria e Kulturës është jashtë totalisht, sepse me idenë që bibliotekat varen nga drejtoritë në bashki nuk bëhet fjalë që ministria të sigurojë mbështetje. Për fat të keq ajo që ka qenë sindromë prej 30 vitesh vazhdon sërish në dijet e mija, edhe pse nuk kam ndonjë informacion të sigurt. Biblioteka janë kryesisht me ato fonde librash si para ‘90.  Edhe në Lezhë që është ndër më të mirat dhe ka mjedise të mirëmbajtura dhe funksionojnë me promocione, me botime të reja dhe vijimësi leximi, por fondet janë mjaft të varfra”, vijon ai. Problem për botuesin Kulli është dhe fakti që ka munguar në vend një politikë si duhet për librin. Mungesa e saj, sipas botuesit ka lidhje dhe me gjendjen e bibliotekave në vend. “Nuk ka pasur dhe nuk ka një politikë të detajuar për librin në Shqipëri dhe kjo lidhet dhe me bibliotekat. Libri sot funksionon vetëm në sajë të punës shumë të lavdërueshme të shtëpive botuese në të gjitha kategoritë e librave, që bëjnë botimet. Por dhe ju e dini që shtëpitë botuese nuk kanë asnjë lloj suporti të tërthortë ashtu si funksion në botë. Nëse nuk funksionojnë bibliotekat publike, sigurisht që shtëpitë botuese nuk do të kenë mbështetje dhe do të bëjnë ato botime që bëjnë me tirazhe të vogla”, thotë ai. Edhe për autorin Mustafa Tukaj një emër i njohur në letërsi, problemet me bibliotekat në rrethe nuk janë pak. Ai thotë se para tre dekadash ishin më të pasura. “Bibliotekat para ‘90 kanë qenë më të pasura dhe çdo libër hynte. Madje jo vetëm bibliotekat e qytetit, por dhe biblioteka të ndërmarrjeve dhe shkollave kanë qenë të mbushura me libra. Tani janë bosh s’kam më si më parë. Bibliotekat sot nuk vlojnë si dikur me aktivitete dhe konkurse dhe fëmijët kalonin pasditen aty. Janë të varfra dhe mungojnë librat me vlerë”, thotë shkrimtari Tukaj. Për shkrimtarin një takim dikur në shkolla që zhvillonin autorët me nxënësit për librin ishte ngjarje, ndërsa sot nuk ndodh kështu.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here