Shtohen sinjalet se presidenti Ilir Meta mund të bllokojë mandatimin e kryeministrit Edi Rama për të formuar qeverinë e re pas 25 prillit nëse Partia Socialiste fiton zgjedhjet parlamentare dhe del forcë e parë. Gazeta e tha pak ditë më parë se pakti i firmosur mes Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim ka si qëllim bllokimin e formimit të qeverisë nga PS dhe sinjalet për këtë strategji po shtohen nga dita në ditë. Ditën e djeshme presidenti Ilir Meta doli në një konferencë për shtyp para mediave, ndërsa u pyet nga gazetarët se kujt do t’i japë mandatin për të nisur negociatat për të formuar qeverinë e re pas zgjedhjeve të 25 prillit. Por presidenti Meta e shmangu si pyetje dhe u kujdes të dërgonte një mesazh të koduar, duke vënë në dukje faktin se në zgjedhjet e fundprillit kandidojnë më shumë se dy koalicione.“Unë dua t’ju jap një përgjigje tepër parimore: Në këtë garë ka shumë koalicione dhe shumë forca politike. Nuk janë vetëm dy, nuk janë vetëm tre, kështu që është shumë e rëndësishme që të gjithë qytetarët shqiptarë të nisen drejt kutive të votimit dhe me qetësi të vendosin se kë do të zgjedhin dhe se kë do të ndëshkojnë. Vota është një mjet për të zgjedhur. Është edhe një mjet për të ndëshkuar. Është e drejta e tyre të gjykojnë me shumë qetësi dhe objektivitet. Për mua është e rëndësishme që procesi të jetë tërësisht transparent, tërësisht me integritet, vota e çdo qytetari të jetë e barabartë, askush të mos intimidohet”, deklaroi ai. Kjo deklaratë tregon se Meta po jep sinjale se mund të bllokojë Ramën të formojë qeverinë, nëse Partia Socialiste nuk fiton 71 mandate.
PD-LSI letër presidentit të mandatojë Bashën
Por ai që i ka vënë kapak kësaj çështje, duke zbuluar hapur se Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim do të lëvizin të gjithë gurët për të bllokuar formimin e qeverisë së re nga Edi Rama nëse Partia Socialiste fiton zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, ka qenë ish-deputeti demokrat, Oerd Bylykbashi. Ky i fundit gjatë një prononcimi për mediat zbuloi se nëse PS merr më pak mandate deputetësh në krahasim me PD dhe LSI të dyja sëbashku, atëherë sipas tij, janë këto parti që e gëzojnë të drejtën për të formuar qeverinë e re. “Kanë ngecur të gjithë analistët e Ramës në këtë histori. I zuri papritur e gjithë kjo. Rama, duke u përpjekur të vërë vetullat, nxori sytë. Në momentin kur hoqi nga Kushtetuta një term që ishte “koalicioni zgjedhor”. E hoqi. Harroi ta hiqte edhe nga neni 96. Në nenin 96 nuk quhet koalicion zgjedhor. Quhet thjesht koalicion. Dhe kjo ka një rëndësi të madhe politike, kushtetuese. Nuk është një teknikalitet i thjeshtë. Në paragrafin e parë të nenit 96 kemi presidentin që, emëron kryeministrin me propozim të partisë ose koalicionit më të madh. Dhe kjo menjëherë pas zgjedhjeve ose në mes të mandatit ka rënë qeveria dhe duhet bërë qeveri e re”, deklaroi ai. Më tej gjatë fjalës së tij ish-deputeti demokrat, Oerd Bylykbashi nisur edhe nga kjo situatë, theksoi se Partia Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim do t’i dërgojnë letër presidentit Meta që t’iu japë atyre ekskluzivitetin për të formuar qeverinë e re. “Koalicioni e përfundon detyrën ditën që prodhohet rezultati i zgjedhjeve. Pas zgjedhjeve mund të krijojmë koalicione sa të duam dhe si të duam. Dhe marrëveshja e PD me LSI, ku dakordësia është që, kryeministri i ardhshëm është Lulzim Basha, ne i paraqesim presidentit kërkesën për mandatimin e Lulzim Bashës si kryeministër. Çfarë do të thotë? Në momentin që koalicioni i PD, bashkë me LSI, kanë më shumë mandate, këtë kërkon mandati i parë, kush ka më shumë mandate, ai propozon”, nënvizoi ish-deputeti i PD, Oerd Bylykbashi.