Shtatorja e Heroit Kombëtar Skënderbeu e vendosur në Prizren me rastin e 108-vjetorit të Pavarësisë, si dhe ajo e komandantit legjendar Adem Jashari ngjalli reagime të shumta jo vetëm të artistëve, por dhe qytetarë ve të ndryshëm në Kosovë dhe Shqipëri. Vendosja e dy shtatoreve në Prizren riktheu debatin e përçundimit, që po iu bëhet figurave historike edhe në përjetësimin e tyre vepra arti. Dekani i Fakultetit të Arteve të Bukura në Tiranë skulptori Artan Peqini shprehet se janë instancat, që duhet të përgjigjen për çfarë ndodh me figurat historike, ndërsa thotë se është një gabim strukturor kjo që ndodhi së fundmi me shtatoret e heronjve. “Për pikëpamje etike nuk është mirë për të folur për skulptorin. Unë e pashë dhe për arsye etike nuk dua të qëndroj gjatë tek autori. Unë do ta quaja atë një gabim strukturor. Nuk është thjesht pamundësia e autorit për të interpretuar një figurë të tillë, por janë dhe instanca të tjera që marrin vendime. Mënyra se si përzgjidhen njerëzit që do të interpretojnë këto projekte të mëdha artistike është thellësisht e paqartë, jo transparente dhe dukshëm produkti është ky që kemi përpara”, thotë dekani i FAB. Në reagimin e tij, skulptori Artan Peqini thotë më tej se autori që ka bërë shtatoren e Skënderbeut ka gabuar dhe aty ka gabime anatomike. “Ai ka bërë një gabim thelbësor, që nuk ka kapacitet për të ndërtuar një figurë. Është një gabim i tij, secili nga ne ka limitet veta që çfarë bën. Nuk po flas për vepër arti, por ai nuk njeh anatominë. Aty ka gabime anatomike, si qëndron figura. Ai nuk ka kompetencat minimale të një skulptori për këtë lloj vepre, sepse mund të jetë i zoti për skulpturë abstrakte përshembull”, vijon dekani Artan Peqini. Duke folur për çfarë po ndodh me figurat historike, dekani i FAB Artan Peqini thotë se raste me probleme ka pasur edhe në Shqipëri. Por sipas tij kur flitet për veprat në hapësirat publike, nuk mundet që një kryetar komune ti transformojë ashtu si ai mendon. “Rate të tilla ka pasur dhe në vendin tonë. Ka një nivel të caktuar që vepra qëndron dhe profesionistët për këtë standart janë, që ajo mos të bie poshtë. Duhet të kuptohet në parim problemi, por debati i artit i bën mirë ambientet shoqëror. Është hapësirë publike dhe vendimmarrja për të duhet ti takojë publikut. Tek ne ndodh që në një hapësirë publike del një kryetar komune që e transformon si do”, thotë ai.
Jo kushdo mund të bëjë vepër arti
Me kritika shprehet dhe skulptori Maksim Bushi. Lidhur me shtatoret, që u vunë së fundmi në Prizren, skulptori thotë se kjo duhet diskutuar si fenomen, sepse është përsëritur disa herë. “Është përsëritur me statujën e Klintonit, me disa portrete dhe statuja të luftëtarëve kosovarë, që janë bërë nga njerëzit jo kompetent. Por këtu del një problem. Ka trysni të madhe për të marrë porosi, sepse është dhe leverdia e lekut. Përgjegjësia është që në fillim në ndërtimin e komisioneve. Komunat dhe bashkitë duhet të ngrenë komisione kompetente me artistë të fushës, me historianë, që e njohin në të gjithë dimensionet figurën e heronjve. Por kjo si duket nuk bëhet”, thotë skulptori Bushi. Në reagimin e tij skulptori thotë më tej se nëse janë bërë figura që ai i quan të shëmtuara duhen hequr. Sipas Maksim Bushit, të ngrihet një komision për të marrë në vlerësim veprat që janë vënë. “Nga këto probleme lindin figura të shëmtuara, që duhen hequr menjëherë. Duhet të kemi kujdes kur ti mendojmë, që në fillim komisionet që të mos bëhen gafa me të tilla përmasa. Edhe në Shqipëri ka plot probleme me konkurset, që ka pasur njerëz që kanë nxjerrë figura të shëmtuara. Janë figura kombëtare dhe të kemi komisione me profesionistët”, thotë ai. Për një tjetër skulptor Agim Radën, kjo që ndodhi me shtatoret në Prizren është përgjegjësi institucionale dhe sipas tij raste me abuzime të veprave duhen ndalur. “Jo kushdo mundet që të bëjë vepër arti. Kryetarët e bashkive apo të komunave nuk kanë tagrin dhe as nivelin për të zgjedhur veprat e artit, duhet ta bëjnë specialistët e afirmuar. Edhe në Shqipëri kemi pasur rate kur kanë abuzuar me veprat e artit. Të kemi një komision që të vendosë se kush duhet të qëndrojë dhe kush jo, ose të zëvendësohen me të tjera. Ishte qesharake ajo punë, që ishte në Prizren me shtatoren”, thotë skulptori Rada. Të gjithë artistët në reagimet e tyre kanë pohuar kritika të shumta që u drejtuan për autorët që kanë punuar veprat, por edhe për Komunën e Prizrenit që lejoi vendosjen. Për shtatoren e Adem Jasharit u bë me dije se do të rimodelohet.