Margariti: Mjelmat e baletit së shpejti në skenën e rikonstruktuar të TOB

0
346

Baleti “Liqeni i mjellmave” është një nga kryeveprat botërore, që nuk ka munguar dhe në skenën shqiptare. Baleti erdhi në skenën tonë 16 vjet më parë nga mjeshtri Agron Aliaj. Ministrja e Kulturës Elva Margarit ka publikuar foto nga kjo shfaqje, që është vënë vite më parë në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit dhe shprehet se do të jetë së shpejti në skenën e rikonstruktuar të këtij institucioni. “Nën drejtimin e mjeshtrit Agron Aliaj, 16 vjet më parë, më 29 maj 2004, në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit u shfaq premiera e baletit “Liqeni i mjellmave”, një nga kryeveprat e repertorit klasik botëror, kompozuar nga Pyotr Ilyich Tchaikovsky, mbi koreografinë origjinale të Marius Petipa. Mjelmat e baletit do të mbushin së shpejti skenën e rikonstruktuar të TKOBAP, një nga investimet më të mëdha në art, në vitet e fundit”, thotë ministrja Margariti. Pasioni për vallen dhe kërcimin lindën te Agron Aliaj që në vogëli. Krijimi i grupit të valleve në Shtëpinë e Pionierëve në vitin 1946 në Tiranë nën drejtimin e mjeshtrit Panajot Kanaçi, qe një nxitje për të. Ai është ndër të parët solistë të Filarmonisë Shqiptare (1948). Studimet e larta i kreu në shkollën koreografike pranë Teatrit Akademik të Moskës (1950-1956). Emërohet solist i parë i trupës së baletit të TOB, ku realizoi me nivel të lartë artistik interpretativ disa kryerole të literaturës së baletit nacional dhe atij botëror. Aktiviteti artistik pasurohet me veprën e tij krijuese koreografike. Pas realizimit të shumë valleve dhe numrave koncertorë është autori i shumë baleteve kombëtare si “Cuca e maleve” (1970), “Tokë e pamposhtur” (1977), “Para stuhisë” (1982), “Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë”, “Halili dhe Hajria” (1966), si dhe baletet klasike “Zhizel” (1988), “Don Kishoti” (1990), “Romeo dhe Zhulieta” (1996), “Hirushja” (2002), “Katedralja e Parisit” (2003), “Liqeni i Mjellmave”, “Plaga e dhjete e Gjergj Elez Alise”, “Migjeniana”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Lumi i vdekur”, etj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here