SPAK rrëzon OFL, sekuestrohen vetëm gjysma e pasurive, 29 të tjera i kthehen policisë

0
348

Kur ka kaluar gati një muaj nga nisja e Operacionit Forca e Ligjit për goditjen e pasurive që burojnë nga krimi, Prokuroria e Posaçme ka kërkuar sekuestrimin e gjysmës së kërkesave të dërguara në SPAK për sekuestrim. Më konkretisht nga ana e SPAK është kërkuar sekuestrimi i 31 pasurive, të dërguara nga OFL në institucionin më të ri të drejtësisë, ndërsa 29 të tjera rezultojnë se janë kryer në kundërshtim me ligjin nga OFL. Siç bëhet me dije në njoftimin e publikuar nga SPAK, dosja me 29 pasuritë do t’i kthehet policisë për të kryer veprime të tjera hetimore. Hetuesit kanë verifikuar 27 dosje dhe i kanë kërkuar Gjykatës Speciale që të vendosë në sekuestro 31 pasuri të individëve të dënuar për vepra të rënda penale. “Prokuroria e Posaçme ka marrë në shqyrtim të gjitha rastet e paraqitura dhe deri datën 06.03.2020 ka përfunduar shqyrtimin brenda afateve ligjore për 27 kërkesa për vlerësim sekuestro, të cilat përfshijnë 60 pasuri, nga të cilat 30 pasuri janë automjete dhe 30 pasuri janë truall dhe objekte. Për 27 kërkesat e përfunduara Prokuroria e Posaçme ka vlerësuar të ligjshme sekuestron e bërë nga Policia e Shtetit dhe ka kërkuar vendosjen e sekuestros nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për 31 pasuri. Ndërkohë për 29 pasuri është vlerësuar se sekuestro në kushtet e emergjencës apo kërkesa për sekuestrim e paraqitur nga Policia e Shtetit është bërë në kundërshtim me kërkesat e Aktit Normativ Nr.1, datë 31.01.2020 dhe në këto kushte është vendosur kthimi i materialeve Policisë së Shtetit”, thuhet në njoftimin që SPAK publikoi ditën e djeshme në faqen zyrtare. Deri tani, OFL ka dorëzuar në SPAK 62 raste për verifikim dhe ka kërkuar sekuestrimin e 101 pasurive me dyshimin se janë vendosur përmes aktivitetit kriminal. 70 prej tyre janë automjete, ndërsa pjesa tjetër ndërtesa dhe sipërfaqe toke. “Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, në zbatim të Aktit Normativ Nr.1, datë 31.01.2020, nga hyrja në fuqi e këtij akti dhe deri me datën 06.03.2020, ka paraqitur për vlerësim në Prokurorinë e Posaçme 62 raste sekuestrimesh, duke kërkuar vlerësim sekuestroje për 101 pasuri. Nga 101 pasuri të dërguara për vlerësim sekuestro, 71 pasuri janë automjete dhe 30 janë pasuri të paluajtshme (truall dhe objekte)”, thuhet më tej në njoftim. Në fund të njoftimit thuhet se Prokuroria e Posaçme është duke vlerësuar 35 kërkesat e tjera të paraqitura nga Policia e Shtetit, ku janë evidentuar 41 pasuri, për të cilat do të vendoset brenda 15 ditësh nëse do sekuestrohen ose do t’i kthehen policisë për veprime të mëtejshme.

Çfarë parashikon OFL?

Struktura e posaçme OFL parashikon kontrollin e pasurive të personave që janë dënuar për vepra të rënda penale në vitet e shkuara, si dhe sekuestrimin e pasurive të tyre në rastet e dyshimeve. OFL është në varësi të drejtpërdrejtë të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, në këtë rast Ardi Veliu, dhe drejtohet nga drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale. Ajo ka në përbërje të saj punonjës të Policisë së Shtetit dhe ekspertë të fushave të ndryshme. Përveç aksesit në database-in e Policisë së Shtetit, OFL-ja ka akses në informacionin apo bazën e të dhënave të institucioneve publike, përfshirë sistemin TIMS. Në shënjestër të paketës anti-KÇK janë të gjithë personat e dënuar apo që janë nën hetim për 44 vepra të rënda penale, ku përfshihen organizata kriminale, banda e armatosur, grupet kriminale, vrasjet, organizatat terroriste, rrëmbimet, pengmarrjet, trafiqet e armëve dhe të drogës, prostitucioni, vjedhjet etj. Njësia speciale e përbërë nga 50 oficerë tashmë ka nisur punën në qytetet më të mëdha të vendit, si Tirana, Durrësi, Vlora, Shkodra, Elbasani.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here